E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, i gjithë Ballkani fillon të dorëzohet te FMN-ja



Tre fqinjët tanë, Mali i Zi, Kroacia dhe Maqedonia, ndoshta do të detyrohen shumë shpejt t‘i drejtohen për ndihmë Fondit Monetar Ndërkombëtar, bën të ditur agjencia e lajmeve "Reuters". Të tria vendet gjenden në vështirësi të konsiderueshme financiare si pasojë e rrënimit të sektorit të turizmit nga kriza në rastin e Malit të Zi dhe Kroacisë, si dhe për shkak të rënies së eksporteve e remitancave, në rastin e Maqedonisë. Bosnja dhe Serbia kanë filluar sakaq programe ndihmash dhe disipline financiare me FMN-në, megjithëse Bosnja nuk po arrin t‘i bindet urdhrave të Fondit për shkurtim shpenzimesh. Ekonomia kroate ka rënë me 6.7 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, ndërsa ajo maqedonase me 0.9 për qind. Mali i Zi vlerësohet të ruajë rritje ekonomike zero, ndërkohë që vitin e kaluar pati rritje ekonomike prej 10 përqindësh. Të gjitha vendet që bazohen te turizmi, po përballen këtë vit me çmime të depresionuara dhe plazhe të boshatisura. Kroacia, e cila ka një borxh publik të konsiderueshëm, duket se do ta ketë të vështirë.

3 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›