Kriza italiane dhe ndikimi i saj në Shqipëri
Nga Kristal Hyskaj
Tregjet financiare italiane po përjetojnë një vakum total që vjen si pasojë e zgjedhjeve elektorale të shkurtit. Gjithsesi ata kanë ende një siguri që ju vjen nga Banka Qendrore Europiane që ju ofron si zgjidhje momentale blerjen e bondeve pa limit. Në jugun e sotëm të Italisë, konkretisht në Napoli nuk është e rrallë të ndeshësh firma e individë të cilët nuk janë likuiduar nga shteti italian për punë të kryera 5 vite më parë. Sektorët më të dëmtuar janë sektori industrial, ai i ndërtimit dhe padyshim sektori financiar.
Në bazë të deklaratave të fundit, ka punëtorë që skanë marrë rrogat e tyre për 9 muaj dhe ka firma që sjanë paguar për mbi 5 vjet, mungesë e theksuar likuiditeti në treg. Për të mbuluar këtë hendek qeveria Italiane ka vendosur për të marrë borxh rreth 40 bilion ($52 bilion) të cilat do ndahen në dy pjesë, 20 bilion do merren këtë vit, dhe pjesa tjetër vitin tjetër. Në bazë të përllogaritjeve, do ta çojë nivelin e borxhit për Italinë, në 130% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PBB).
Pavarësisht kësaj, sipas rregullave europiane të kontabilitetit, paratë që janë borxh ndaj bizneseve nuk përllogariten në borxhin publik, çka kjo sjell një tjetër problem. Vlera e këtij borxhi sipas Bankës së Italisë është 91 bilion, nga të cilat vetëm 11 bilion janë të përllogaritura si borxh zyrtar sepse janë punime të përfunduara dhe faturat janë të dërguara tek bankat dhe tek qeveria. Gjithsesi, impakti mbi deficitin buxhetor do të jetë i limituar. Nga 40 bilion që përmendëm më lart, rreth 8 bilion do të shpenzohen për të mbuluar shpenzimet kapitale dhe kjo do të rrisë deficitin buxhetor nga 2.4% të GDP në 2.9%. (Ref. Banka e Italisë)
Vendimi i Italisë reflekton natyrën zhvendosëse të krizës së Euros. Monedha e vetme Euro nuk mund të përballet më një kërcënim ekzistencial, nga tregjet e bonove të turbullta, por kjo duket e pamundur të durojë nëse anëtarësimi i vendeve të reja do të kryqëzojë ekonomitë e vendeve aktuale. Shpresat për një shërim gjatë këtij viti janë të pakta duke qenë se firmat e gjejnë veten të kapur në një mungesë likuiditeti të egër.
Sigurimi i likuiditetit për sektorin e korporatave do ketë shumë impakt mbi financat publike Italiane. Sipas Fabio Fois, një bankier në Barclays Bank, Londër, ndikimi i mungesës së likuiditetit ka të ngjarë të jetë i kufizuar dhe sipas tij do të kemi dhe një zbutje recesioni këtë vit. Së bashku me të gjitha shtetet e Europës që po përjetojnë një krizë ekonomike, vështirësia e Italisë qëndron në përmirësimin e kushteve financiare çka do të çojë në rritjen e kredive bankare. Në një deklaratë të tij në fillim të këtij muaji Presidenti i Bankës Qendrore Europiane deklaroi se duhet menduar një zgjidhje 360 gradë për Italinë, të njëjtën gjë ka deklaruar dhe më parë, të shohim nëse do ofrohet kjo zgjidhje.
Por cilët mund të jenë efektet e
krizës italiane në ekonominë shqiptare?
Efektet e para që mund të jenë në këtë pikë ku jemi janë: Ulja e remitancave, mos të harrojmë që është një numër i konsiderueshëm shqiptarësh që punojnë dhe jetojnë në Itali. Nëse do kemi rritje të papunësisë së emigrantëve shqiptarë që punojnë në Itali, atëherë do të kemi ulje të të ardhurave të tyre, çka do të sjellin uljen e të ardhurave të tyre drejt Shqipërisë. Ka shumë familje që burim kryesor ekonomik kanë këto para.
Problemi i dytë janë bankat. Kriza italiane që ka dëmtuar rëndë sektorin bankar do të reflektohet edhe në bankat që ndodhen përtej kufijve të Italisë. Intesa San Paolo, bankë italiane që operon në tregun shqiptar, një shembull konkret i kësaj situate mund të shkoj drejt mbylljes së një pjese të mirë të degëve të saj që do të krijonin një situatë mjaft kritike për qindra e mijëra të punësuar në Shqipëri. Efekti që do të ketë në tregun shqiptar të punës do jetë I rëndë, sepse në bazë të raportit të tyre në Shqipëri kanë mbi 700 punëtorë. Edhe pse në bazë të ligjit që është në fuqi, të gjitha depozitat janë të mbrojtura njësoj, nëse kjo bankë ka probleme në Itali, mund të ketë reflektim ne tregjet jashtë Italisë.
Dhe problem tjetër janë investimet italiane në Shqipëri. Me një volum shkëmbimesh të përgjithshme eksport-import prej 48 për qind, Italia mbetet partneri i parë i Shqipërisë në tregtinë e jashtme edhe këtë vit. Biznesi shqiptar gjithnjë e më shumë po furnizohet me makineri, pajisje dhe teknologji bashkëkohore nga Italia. Makineritë dhe pajisjet që u importuan nga Italia në vendin tonë gjatë vitit të fundit zunë 24 për qind të totalit, prodhimet ushqimore 17.9 për qind, konstruksionet metalike 15.8 për qind, materialet e ndërtimit 14.3 për qind, tekstilët dhe këpucët 12.2 për qind. Italia mbetët partneri kryesor i Shqipërisë jo vetëm në shkëmbimet tregtare, por edhe në investimet private. Rreth 90 për qind e ndërmarrjeve private të vogla dhe të mesme të huaja të hapura në vendin tonë janë italiane dhe shtrihen në zonat kryesore ekonomiko-industriale të vendit dhe përgjatë bregdetit. Kryesisht ndërmarrjet italiane dhe ato të përbashkëta me biznesin shqiptar janë të shpërndara në rreth 35 për qind në sektorin e ndërtimit, 21 për qind në industrinë e tekstilëve dhe këpucëve, 16 për qind në sektorin e tregtisë dhe të shërbimeve dhe 8 për qind në industrinë ushqimore. Ndërkohë edhe prodhimet italiane në tregun shqiptar zënë një peshë të konsiderueshme, duke u renditur në vendin e parë në raport me vendet e tjera të rajonit ballkanik. (Ref:MOF)
Sipas Institutit Italian të Tregtisë më Jashtë (ICE), importet kryesore nga Italia në Shqipëri zënë 33 për qind të totalit në tërësi. Sot numërohen mbi 500 ndërmarrje italiane që operojnë në Shqipëri, 50 për qind e të cilave janë përqendruar në zonën Tiranë-Durrës, ku sipërmarrësit italianë zënë vendin e parë përsa u përket investimeve në vendin tonë në fushën e industrisë së lehtë, përfshi atë të konfeksioneve dhe të këpucëve, kryesisht në ndërmarrjet që punojnë me material porositësi (fasonët), të cilat zënë 37.8 për qind të totalit.
Por cilat janë tendencat për të ardhmen?
Kemi dy anë medaljeje në këtë mes. Nëse Italia vazhdon të jetë në probleme, atëherë do kemi një avantazh nëse çmimet do kenë ulje, sepse mund të marrim më lirë makineritë dhe lëndët e para, por kemi problemin e investimeve. Nëse çmimet do kenë rritje, dhe Italia shpejton drejt krizës, për ne do të jetë, një ulje investimesh si dhe kërkim për tregje të tjera për të blerë makineri dhe lëndë të parë.