E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, mblidhen guvernatorët e Evropës Juglindore

Guvernatorët e bankave qendrore shprehen se pasojat e trazirave në tregjet financiare ndërkombëtare, të cilat filluan në vitin 2007 dhe janë intensifikuar gjatë muajve të fundit, kanë pasur deri në këto momente ndikime të tërthorta ose të kufizuara mbi ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore. Të mbledhur me ftesë të guvernatorit të Bankës Kombëtare të Bullgarisë, Ivan Iskrov, krerët e bankave qendrore të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Qipros, Maqedonisë, Greqisë, Malit të Zi, Rumanisë dhe Serbisë, kanë zhvilluar një takim në kuadrin e Memorandumit të përbashkët të Mirëkuptimit, i nënshkruar në takimin e zhvilluar në Athinë në muajin korrik të vitit 2007. Qëllimi i takimeve lidhet me fushën e mbikëqyrjes bankare në Evropën Juglindore, si dhe me ruajtjen e stabilitetit financiar në rajon. Pas disa orë diskutimesh, krerët e bankave qendrore vendosën dje që, krahas shkëmbimit të rregullt të informacionit, të shkëmbehet informacion sasior dhe cilësor mbi zhvillimin e sistemit bankar në vendet e Evropës Juglindore, në bazë vjetore dhe në rastet e tjera kur lind nevoja, si dhe të përgatitet dhe ruhet një listë e mbikëqyrësve bankare të linjës për çdo grup bankar, që operon në vendet e Evropës Juglindore. Megjithatë, guvernatorët e bankave qendrore kanë pranuar gjithashtu prezencën e pasigurive të mëdha për të ardhmen e ekonomive të vendeve të Evropës Juglindore, që rrjedhin nga ngadalësimi i mëtejshëm dhe i mundshëm i normave të rritjes së prodhimit dhe të tregtisë botërore, në rast se kriza financiare globale do të shtrihet në kohë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›