E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ndikon karburantet, nafta bie në 65 dollarë për fuçi

07/07/2009  Tregjet ndërkombëtare

Çmimi i naftës në tregjet amerikane ka pësuar sërish rënie, duke kapur nivelin prej 65 dollarë për fuçi. Kjo situatë është pasojë e krizës ekonomike botërore, e cila është shoqëruar me pakësim të kërkesës për naftë në nivel botëror dhe kërkesës për energji. Nëse rënia e çmimit të arit të zi në bursa do të vazhdojë pritet një reflektim edhe në tregun e karburanteve në vend. Sipas të dhënave të bursave të huaja, rënie prej 4 për qind për furnizimin e gushtit, pësoi ari i zi edhe në tregjet aziatike dhe në atë të Londrës. Gjithashtu mësohet se sasia e naftës së prodhuar ka shkuar në 2 milionë fuçi më pak në ditë. Po kështu vijojnë të jenë në nivele të larta edhe shifrat e papunësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas të cilave afro gjysmë milioni njerëz humbën vendet e tyre të punës në muajin qershor dhe niveli i papunësisë arriti rekordin prej 9.5 për qind për herë të parë në 26 vitet e fundit. Papunësia mbetet e lartë edhe në 16 shtete të Bashkimit Evropian duke prekur nivelin e 9.5 përqindëshit. Me gjithë shenjat pozitive të përmirësimit të ekonomisë botërore, sipas specialistëve të bursave ndërkombëtare ende nuk ka mbërritur stadi i stabilizimit të plotë të tregjeve ndërkombëtare, të cilat kaluan një periudhë shumë të vështirë nën efektet e krizën globale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›