E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë i humbur veç votuesve?

Vendimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim për t'u përfshirë në një shumicë të re politike me kryeministrin, Sali Berisha, thuajse pa kushte, do të ndryshojë rrënjësisht skenën politike shqiptare dhe të ardhmen e së majtës shqiptare. Kjo lëvizje, e cila kalon caqet e arsyeve politike, dhe përzihet me interesa të gjera financiare dhe klanore, në të vërtetë çon secilin aktor në vendin e vet në skenën politike shqiptare.

I dëmtuari kryesor i kësaj fushate, Edi Rama, i cili paradoksalisht është kryetari i partisë më të votuar nga shqiptarët më 28 qershor, konsolidon me këtë lëvizje të Ilir Metës fronin e tij, ndoshta të pamerituar, në krye të Partisë Socialiste, pasi gjithë qortimet tona në adresë të tij për persekutim politik të Ilir Metës dhe nxjerrje të tij jashtë koalicionit, me arsyetimin se ishte bashkëpunëtor i Berishës, kanë një bilanc që i jep atij të drejtë për këtë hezitim që nxori të majtën fituese të votave popullore dhe humbëse të pushtetit. Por, më shumë sesa shanset e përjetshme të Ramës për të qenë në krye të PS, ajo që dëmtohet shumë është tani beteja e brendshme demokratike në Partinë Socialiste dhe kërkesa e llogarisë ndaj Edi Ramës. Të gjithë kritikët kanë vetëm një argument, atë të mungesës së një strategjie elektorale dhe mungesës së Ilir Metës në koalicion dhe ky argument tanimë ka rënë. Edi Rama do ta kalojë këtë periudhë paszgjedhore pa një reflektim serioz dhe të hapur, pikërisht për shkak të këtij fakti që shkon në favor të tij. Ai është sot lideri më i votuar i partive politike të 28 qershorit, duke çuar mandatet e partisë së tij në 66, nga 55 që ishin në zgjedhjet e 2005, dhe duke rritur numrin e votave popullore në favor të tij.

Pas tij vjen Sali Berisha që ka rënie të numrit të mandateve të marra në emër të koalicionit, pasi partia e tij më 2005 bëri votim taktik dhe e ka të paverifikueshëm numrin e mandateve dhe i treti është Ilir Meta, i cili këtë radhë nuk fitoi 4 mandate për arsye politike, por për arsye thuajse personale të kandidatëve në garë.

Duke qenë në këto pozita, Edi Rama është shumë i imunizuar nga betejat e pritshme kundër tij brenda PS, çka do ta ngulfasin realisht një debat të nevojshëm dhe të shëndoshë për atë parti.

Një tjetër arsye që do ta mbajë të ngulfatur debatin është se rivali i tij kryesor brenda PS, Ben Blushi, shihet gjerësisht si njeri i mbështetur nga grupi i TV Klan, të njëjtit grup që ka ngjizur aleancën Meta-Berisha dhe do të dukej teprim i madh, që sekserët e koalicionit qeveritar të jenë diktues dhe të liderit opozitar.

Këto zhvillime do ta lënë Edi Ramën në krye të një opozite të dëshpëruar nga mungesa e eficiencës, por dhe të egërsuar nga ajo që e konsiderojnë tradhti dhe kjo mund të na çojë në një opozitë agresive duke i dhënë fund epokës së opozitës së trëndafiltë të Edi Ramës, "përtej së majtës dhe së djathtës", të cilën Edi Rama e tha, dhe Ilir Meta me Berishën e bënë.

Ky zhvillim lë po ashtu në pushtet Sali Berishën, aktorin e dytë kryesor të këtyre zgjedhjeve. Koalicioni i tij me Ilir Metën i jep atij mandatin legjitim për të qenë kryeministër i shqiptarëve, për të zgjedhur Presidentin e Republikës, për të frikësuar sistemin gjyqësor, dhe për t'i mbyllur gojën medies kritike. Ai është sot njeriu më i pushtetshëm në botë, më i pushtetshëm se ajatollahët e Iranit që diktojnë një shoqëri të burgosur, pasi pushteti i tij në këtë shoqëri të korruptuar është një ofertë e gatshme arbitrariteti dhe arrogance, që do të përçohet te secili prej sejmenëve të tij. Duke rimarrë mandatin e kryeministrit me ndihmën e një partie të majtë, Sali Berisha kthehet nga i zgjedhur në sundues dhe i jep fund çdo shansi për ndërtimin e një shteti juridik në vend. Çështje të tilla të nxehta që kishin të bënin me lobimin e djalit të tij në tragjedinë e Gërdecit, përfshirjen e vajzës së tij në ndërmjetësitë për koncesione dhe privatizimet në vend, janë tani histori që mbyllen pa u hapur. Koalicionin qeveritar si asnjëherë tjetër në gjithë historinë e këtij vendi e bashkon një emër i vetëm, Mihal Delijorgji. Ai është mik i Shkëlzen Berishës, Fatmir Mediut, Ilir Metës, Aleksandër Frangajt, Fahri Balliut dhe gjithë garniturës që formon këtë qeveri. Ky koalicion është triumf i kapjes së shtetit prej krimit dhe fund i çdo shprese se mafia mund të ndëshkohet me votë. Kjo qeveri nuk ngjall asnjë entuziazëm dhe asnjë shpresë te shqiptarët, përveç çakërritjes së syve të Aleksandër Frangajt, i cili mund të vazhdojë të plaçkitë ç'ka mbetur në këtë vend, tashmë jo vetëm nën emrin e Sali Berishës, por dhe të Ilir Metës.

 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›