E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gabimi i sondazhit "Zogby"

Dhjetë ditë para zgjedhjeve në Shqipëri, kompania amerikane "Zogby" parashikoi një barazim mes dy koalicioneve kryesore, ndërkohë që për 10% të votuesve nuk ishte në gjendje të parashikonte se nga do të anonin. Ndërsa në ditën e zgjedhjeve, fill pas mbarimit të votimit, kjo kompani parashikoi një diferencë të thellë prej 14 deputetësh, në favor të koalicionit të udhëhequr nga Berisha, ndërkohë që 11 mandate i klasifikoi si të papërcaktuara (por që anonin dukshëm nga koalicioni Berisha). Dhe kur votat u numëruan, rezultati përfundimtar tregoi se parashikimi i bërë dhjetë ditë para zgjedhjeve kishte qenë statistikisht fare afër së vërtetës, ndërsa ai i bërë ditën e zgjedhjeve ishte vite statistikore larg realitetit.


Në pamje të parë, ky dështim spektakolar i një kompanie prestigjioze si "Zogby" në ditën e zgjedhjeve, duket paradoksal. Por, në fakt, paradoksal nuk ishte dështimi i "Zogby"-t, ishte vendi ku u zhvillua ai sondazh. Le ta sqarojmë se pse.


Për të parashikuar sesi do të ndaheshin mandatet parlamentare mes koalicioneve, "Zogby" shpërndau ditën e votimit në mënyrë të rastësishme intervistuesit e vet në rreth 500 qendra votimi, në të gjithë qarqet e Shqipërisë (minimumi në 25 qendra të Qarkut të Kukësit dhe maksimumi në 50 qendra votimi të Qarkut të Tiranës). Pastaj, intervistuesit përzgjodhën në mënyrë të rastësishme votues në çdo qendër votimi, dhe u kërkuan atyre të plotësonin fletë të ngjashme me ato të votimit - bash ashtu siç kishin votuar në realitet. Plotësimi i këtyre fletëve të sondazhit u bë në mënyrë të fshehtë, njësoj si në votimin real, dhe u hodhën nga vetë të intervistuarit në një kuti të ngjashme me atë të votimit.


Zakonisht, në raste të tilla, jo të gjithë votuesit e përzgjedhur për sondazh marrin pjesë në të. Kështu, në SHBA, rreth 10% e votuesve të përzgjedhur refuzojnë të marrin pjesë në sondazhet e ditës së votimit (quajtur në anglisht exit polls). Ndërsa në sondazhin shqiptar të "Zogby"-t ditën e zgjedhjeve, rreth 20% e votuesve të përzgjedhur, kryesisht në zonat rurale, refuzuan të marrin pjesë në sondazh (nga 15 mijë votues të përzgjedhur, vetëm 12 mijë pranuan të plotësonin fletët e intervistave). Dhe pyetja kyç këtu është se pse kaq shumë votues shqiptarë refuzuan.



Në SHBA, refuzimi ndaj exit poll-eve ndodh kryesisht, sepse disa votues përtojnë të harxhojnë disa minuta për plotësimin e pyetësorit, dhe jo sepse votuesit e opozitës kanë frikë të sondohen. Ndërsa në Shqipëri, siç edhe mospërputhja e rezultateve të sondazhit me rezultatet reale treguan, refuzimi u bë në shumicë prej votuesve të opozitës. Si rrjedhojë, edhe kampionët për pothuajse çdo qark, rezultuan shumë më djathtas se sa elektorati i qarkut përkatës. Kështu, në kampionin e "Zogby"-t për Qarkun e Tiranës, koalicioni i Berishës kishte një avantazh prej 14 pikë përqindjeje ndaj atij të Ramës, ndërkohë që rezultatet reale treguan një avantazh fare të vogël prej rreth 1 pike. Dhe diferenca të tilla spektakolare u regjistruan edhe në Qarkun e Korçës, të Elbasanit etj.



Në qoftë se do të kishte një mënyrë sesi "Zogby" të vlerësonte se sa nga refuzuesit e sondazhit ishin përkrahës të opozitës, mund t'i kishte korrektuar kampionët për çdo qark, në mënyrë të tillë që t'i afronte ata sa më pranë realitetit. Për shembull, në qoftë se refuzuesit do të ishin shpërndarë në raportin 1 me 3 mes pozitës dhe opozitës, rezultati i "Zogby"-t do të kishte treguar një diferencë mes dy koalicioneve kryesore prej vetëm 3 mandatesh dhe jo prej 14 mandatesh, siç u raportua natën e 28 qershorit.



Dhe pyetja është nëse kishte një mënyrë sesi "Zogby" të vlerësonte se sa nga refuzuesit e sondazhit ishin përkrahës të opozitës? Përgjigjja, fatkeqësisht, është jo. Por kishte ama një mënyrë alternative sesi të vlerësohej se sa djathtas anonin kampionët e përzgjedhur nga "Zogby". Kështu, në qoftë se në fletët e sondazhit do të kishte edhe një pyetje se për cilin koalicion ishte votuar në zgjedhjet paraardhëse, do të ishte e mundur të vlerësohej se sa djathtas kampionët anonin. Kjo, duke bërë krahasimin e votimit të kampionit në të kaluarën me atë të shpallur nga KQZ-ja për zgjedhjet paraardhëse. Dhe pasi të bëhej ky krahasim, mund të realizohej edhe korrektimi përkatës i kampionit.



Por përse "Zogby" nuk e përfshiu pyetjen e mësipërme magjike në fletët e sondazhit? Sipas shpjegimit të përfaqësuesit të "Zogby"-t në "Top Channel", ata nuk e kishin quajtur të nevojshme t'i ngarkonin fletët e sondazhit me shumë pyetje. Kjo, sepse kishin prezumuar që votuesit shqiptarë janë si ata amerikanë, të cilët problem kanë vetëm kohën, dhe jo frikën nga pjesëmarrja në exit poll...

 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›