Kriza në Eurozonë, Dragi para testit të madh

Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Dragi, po përballet me presion të shtuar të investitorëve, liderëve evropian dhe Uashingtonit zyrtar rreth realizimit të premtimit për të bërë gjithçka që duhet në shpëtimin e Euros.
Takimi i së enjtës konsiderohet të jetë testi kryesor për Dragin gjatë nëntë muajve të punës së tij.
BQE-së i ka mbetur pak hapësirë për ta mbajtur kredibilitetin dhe për të parandaluar rritjen e kostove të huave për vendet e zhytura në borxh si Greqia, Italia dhe Spanja.
Në javën e kaluar, Dragi tha se banka “është e gatshme të bëjë çfarë është e nevojshme për të shpëtuar Euron”.
Analistët thonë se mosveprimet eventuale gjatë së enjtes mund të shkaktonin një rritje të sërishme të kostove të huave.
Sekretari i Thesarit Amerikan, Gejtnër, ka theksuar nevojën që Eurozona të ndërmarrë veprime konkrete në uljen e kostove të huave për vendet e saj të zhytura në borxh.