E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet ligji për mbikqyrjen elektronike, përfitojnë personat në arrest shtëpie

TIRANË - Ministria e Drejtësisë e cilëson tepër të rëndësishëm miratimin sot në qeveri të ligjit për mbikqyrjen elektronike.

Nga zbatimi i këtij ligji, përfitojnë të dënuarit me arrest shtëpie dhe personat me dënim alternativ. Kjo lloj masë do të aplikohet më shume tek të rinjtë, si dhe tek të miturit në konflikt me ligjin. Sipas ministrisë së Drejtësisë që ka hartuar dhe draftin, ky ligj do të rrisë jo vetëm sigurinë në komunitet, por do të shkurtojë shpenzimet e buxhetit te shtetit dhe do të rrisë zbatueshmërinë e vendimeve të gjykatave.

Ligji, parashikon vendosjen e disa paisjeve (sistem GPS) sigurie në trupin e të dënuarve të sipërpërmendur, duke theksuar se paisjet janë shumë të sigurta dhe rreziku i largimit të të mbikqyrurve është zero.

Bëhet fjalë për një paisje sa një ore dore, e cila vendoset dhe mbahet lehtësisht ose në dorë, ose në këmbë. Koordinatat që lëshon paisja, tregon në kohë vend-ndodhjen në një hartë elektronike, e cila përfshin të gjithë sistemin administrativ të Shqipërisë.

300 persona e parë që do t'iu aplikohet ky sistem do të jenë nga Tirana. Ata do të përfitojnë nga mbikëqyrja elektronike, pasi kryeqyteti do të jetë vendi i pare ku do të nisë zbatimi i këtij sistemi dhe sallat operative të policisë janë tashmë gati.

Kjo gjë ul kohën e aplikimit, pasi punonjësit e sallës operative do të kontrollojnë nëpër ekrane vendndodhjen e paisjes dhe në momentin që personi do të dalë jashtë zonës së lejuar, ato sinjalizohen menjëherë në hartë dhe tregon që personi nuk ndodhet në zonën e lejuar. Ndërkohë, operatori i sallës ka në hartë edhe vendndodhjen e makinës më të afërt të policisë dhe e lajmëron atë për të ndaluar të dënuarin që mbart paisjen e GPS-së.

Paisjet kane një lloj sistemi mbrojtës, i cili ne zhargon quhet "Paisje Sistem Antivandal" dhe në momentin që tenton ta manipulosh, ose dëmtosh paisjen, ajo sinjalizon menjëherë sallën operative.

Projekt-ligji për mbikëqyrjen elektronike u diskutua edhe me grupet e interesit, ku morën pjesë përfaqësues të Gjykatës së Lartë, Shoqata e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, OSBE-së, EURALIUS dhe Ambasadës Britanike.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›