Alkooli, 4.8% e femrave të moshave të reja, konsumatore të rregullta
Jonida Tashi
Mjaft ferma në vendin tonë kanë rënë “pre” e alkoolit, duke u bërë përdoruese të rregullta të tij. Madje jo vetëm kaq, por bëhet fjalë për femra, që u përkasin moshave të përshtatshme për të sjellë në jetë një fëmijë, të cilat duket se nuk po mendojnë aspak seriozisht për këtë çështje. Kjo ka bërë që peshorja për të alkoolizuarit në vendin tonë të mos mbajë më qëndrim, majtas ose djathtas, në varësi të gjinisë së përdoruesve. Megjithëse tradicionalisht në vendin tonë në shënjestrën e përdoruesve të alkoolit kanë qenë vetëm meshkujt, mbrapa nuk ngelen as femrat. Sipas studimeve të vazhdueshme, të kryera nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik në fushën e Alkoologjisë, evidentohet se në Shqipëri rreth 4.8% e femrave të moshave fertile kanë rezultuar konsumatore të rregullta të alkoolit. Aktualisht në vendin tonë numërohen rreth 340 mijë persona që konsumojnë alkool, nga të cilët, 58% pinë alkool tej masës së lejuar dhe rreth 20% (2% e popullsisë) janë të varur prej tij. Ndërkaq, rreth 9% e morbozitetit kronik është pasojë e abuzimit të zgjatur alkoolik. Sipas mjekëve, alkooli, pavarësisht nga çrregullimet serioze shëndetësore dhe psiko-sociale të derivuara nga abuzimi i tij, edhe në vendin tonë përbën substancën psikoaktive më difuze, dhe është pikërisht aksesi social tradicional që e avantazhin atë në krahasim me substancat e tjera psikoaktive.
Klinika
Për herë të parë, edhe të alkoolizuarit në vend do të kenë një vend të specializuar për të marrë ndihmën e duhur mjekësore. Ditën e djeshme, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është hapur klinika për trajtimin dhe rehabilitimin e personave që janë të varur nga alkooli. Klinika Alkoologjike është lokalizuar pranë Spitalit Psikiatrik (një vend ky i synuar për vetë faktin e nevojës reciproke të dy shërbimeve, atij Psikiatrik dhe Alkoologjik, në raport me trajtimin e diagnozave të dyfishta), dhe ka një kapacitet prej 10-12 shtretërish. Ambientet e kësaj klinike (ish-Psikiatria Infantile) janë realizuar në mënyrë komode, me të gjithë aksesorët e nevojshëm, kryesisht falë rikonstruksionit recent të saj, përfituar nga projekti i rikonstruksionit të Spitalit Psikiatrik. Përsa i përket pajisjes hotelerike të dhomave, pjesa kryesore e klinikës është realizuar nga ndihmat e palës italiane (shtretër, dyshekë, komodina, karrige, skrivani, etj). Në aspektin teknik dhe administrativ, Shërbimi Alkoologjik, me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, do të funksionojë në përbërje dhe përkatësi të Shërbimit Toksikologjik të QSUT-së, me të drejtat dhe detyrimet e parashikuara në rregulloren e shërbimit spitalor në përgjithësi dhe atij toksikologjik në veçanti, duke i mundësuar sigurisht ruajtjen e identitetit si një shërbim nozologjik specifik. Struktura e burimeve njerëzore të klinikës ka në përbërje 2 operatorë (një mjek toksikolog, që është edhe shef i shërbimit dhe një sociologe), një kryeinfermier dhe 4 infermierë.
Trajtimi
Mënyrat e trajtimit të Shërbimit Alkoologjik janë të përcaktuara plotësisht në protokollin e mjekimit, dhe konsistojnë në trajtimin e fenomenit të tërheqjes dhe varësisë alkoolike. Vetë teknika trajtuese konsiston në kombinimin e vërtetuar si shumë efikas midis terapisë sjellore në grup (komunitetet multifamiljare, ku marrin pjesë familjarë apo tutorë të pacientëve) dhe farmakoterapisë (administrimi i disulphiramit). Terapia hospitalore ka një kohëzgjatje rreth një muaj dhe do të përbëjë vetëm fazën e parë të trajtimit të varësisë alkoolike. Sipas QSUT-së, kjo fazë pasohet nga faza e dytë, që është ajo e trajtimit ambulator, me kohëzgjatje rreth 11 muaj (gjithsej terapia mbajtëse zgjat rreth 12 muaj), e cila për vetë rolin e saj deçiziv dhe përbërjen me një varg elementesh të komplikuar, paraqitet më e brishtë. Për fazën e dytë, vlen të evidentohet një aspekt realisht preokupues, për mënyrën e sigurimit të farmakoterapisë (disulphiramit) për pacientët. “Pavarësisht nga kostoja relativisht e ulët e kësaj terapie, po të marrim parasysh faktin se kontingjenti i alkoolikëve i përket kryesisht shtresave shoqërore me standard të ulët jetese, të margjinalizuara, shpesh të papunë dhe të pasiguruar, përballimi financiar nga ata i farmakoterapisë ambulatore do të ishte i dyshimtë dhe jo rrallë me pasojë ndërprerjen e terapisë dhe rritje të incidencave të relapsit (kthimit në ves)”,- thuhet në njoftimin e QSUT-së. Ndërkaq, një ndër komponentët e fazës ambulatore është edhe frekuentimi një herë në javë nga abstinentët, mundësisht dhe familjarëve të tyre i klubeve të abstinentëve alkoolik (KAA). Këto klube, të cilat do të drejtohen nga sociologë, do të përbëjnë ambiente ku psikoterapia do të ushtrohet natyrshëm dhe do t’i ndihmojë abstinentët, duke i motivuar për vazhdimin e terapisë, si dhe për ndryshimin e tyre në sjellje. Konkretisht, mbas një marrëveshje për këtë qëllim midis Ministrisë së Shëndetësisë, Bashkisë së Tiranës dhe Komunitetit Emanuel, tashmë në Tiranë ka filluar aktivitetin klubi i parë i abstinentëve alkoolik, i cili do të pasohet në të ardhmen nga të tjera klube, që do të hapen jo vetëm në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera të vendit ku hasen probleme të alkoolizmit. Së fundi, faza e tretë e trajtimit të alkoolizuarve ka të bëjë me vazhdueshmërinë e frekuentimit të klubit nga abstinentët (edhe mbas mbylljes së ciklit trajtues njëvjeçar me disulphiram) për periudha të papërcaktuara.
Të dhënat për përdoruesit e alkoolit
Studimet recente, të kryera nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik në fushën e alkoologjisë evidentojnë se në Shqipëri:
340 mijë persona konsumojnë alkool
58% pinë alkool tej masës se lejuar
2% e popullsisë janë të varur prej alkoolit
9% e morbozitetit kronik është pasojë e abuzimit të zgjatur alkoolik
4.8% e femrave të moshave fertile kanë rezultuar konsumatore të rregullta të alkoolit
Ndotja e ajrit
Specialisti Agron Deliu: “Banorët e Tiranës jetojnë 2 vjet më pak”
Kryeqytetasit jetojnë gati 2 vjet më pak se banorët e qyteteve të tjera të vendit për shkak të ajrit të ndotur. Deklarata është bërë dje nga specialisti i shëndetit t Publik, Agron Deliu, sipas të cilit, një banorë i Tiranës jeton 1.5-2 vjet më pak për shkak të ndotjes së ajrit. Specialisti i Institutit të Shëndetit Publik, shpjegon se 80% e ndotjes së ajrit në Tiranë vjen nga lëvizja e automjeteve, e më pas ndikojnë edhe ndërtimet. Sipas tij, cilësia e ajrit në Tiranë nuk është aspak e mirë për shkak të përmbajtjes së lartë të grimcave të respirueshme që depërtojnë thellë në rrugët e frymëmarrjes, të cilat janë shumë të rrezikshme. Ai theksoi se masat që merren në Tiranë për ruajtjen e cilësisë së ajrit janë të pamohueshme, por nuk mjaftojnë.
27 Prill 2010