Kriza në Kongo, Ban Ki Moon: Kemi nevojë për paqe
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon ka njoftuar udhëtimin e tij në Republikën Demokratike të Kongos këtë fundjavë për të takuar udhëheqësit politikë atje.
“Presidenti kongolez, Joseph Kabila dhe homologu i tij në Ruandën fqinje, Paul Kagame kanë shprehur vullnetin për të më takuar”- ka thënë ai, duke deklaruar se ka caktuar ish presidentin nigerian, Olusegun Obasanjo, si një të ngarkuar special për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës.
Më herët ministri i jashtëm francez, Bernard Kouchner tha se forca paqeruajtëse e OKB-së në lindje të Kongos kishte nevojë për rregulla të ndryshme angazhimi për të qënë në gjendje që të mbrojë njerëzit e zhvendosur nga konflikti.
Zoti Kouchner tha se forca e OKB-së do të ishte më e madhe dhe e përbërë nga ushtarë që të kishin leje për të luftuar.
Punonjësit humanitarë në zonat e kontrolluara nga rebelët po përpiqen të lokalizojnë dhe ndihmojnë dhjetra mijëra vetë të shpërngulur nga konfilkti mes qeverisë dhe forcave rebele.
Autokolona e parë e OKB-së që transportonte pajisje mjeksore mbërriti në këto zona ditën e hënë.
Duke folur në Kombet e Bashkuara, Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon e ka mirëpritur fillimin e lëvizjes së ndihmave dhe tha se kishte ardhur koha që luftimet të ndaleshin.
"Konflikti përgjatë Ruandës dhe kufirit kongolez ka zgjatur tej mase. Ne kemi nevojë për paqe dhe për t'i dhënë fund luftimeve, në mënyrë që rajoni të gëzojë stabilitet dhe prosperitet."
"Me armëpushimin në fuqi, unë kam mobilizuar agjencitë e ndihmës që ato të japin asistencë."
"Është themelore që atyre t'u krijohen lehtësira lëvizjesh për tek popullsia në nevojë," tha zoti Ban.
(BBC)