E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç, Berisha injoron Kuvendin

Për dy dorë rresht Berisha flet për arritjet e qeverisë. Asnjë fjalë për Damir Fazlliçin. U rikthehet akuzave si ish-kryetar opozite Në mungesë të përgjigjeve, kreu i ekzekutivit, Sali Berisha ka sulmuar ashpër kryetarin e opozitës, Edi Rama

TIRANË - Kryeministri Sali Berisha, mbajti dje në kuvend një fjalim të gjatë plot 2 orë. Por, ndryshe nga sa pritej, kryeministri Sali Berisha përdori mocionin me debat të kërkuar nga grupi parlamentar i PS-së për Damir Fazlliçin, për të renditur, ato që ai i cilësoi si arritje të qeverisë së tij në këto tre vjet, duke nisur nga lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, deri tek firmosja e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Europian, apo dhe marrja e ftesës për në NATO. Kryeministri Sali Berisha, la pa përgjigje, jo vetëm opozitën, por gjithë qytetarët shqiptarë mbi lidhjet e tij me biznesmenin serbo-boshnjak, Damir Fazlliçin. Në asnjë fjalë të fjalimit të përsëritur për reformat, Berisha nuk foli për atë që ishte thirrur, për Damir Fazlliçin. Kreu i ekzekutivit nuk iu përgjigj pyetjeve publike të ngritura nga partia më e madhe në opozitë mbi faktin se cili është roli i Damir Fazlliçit në kompaninë “BG&R” dhe në marrëdhëniet me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike; sa është vlera e kontratës midis “BG&R”-it dhe Sali Berishës për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2005; cili ka qenë roli i Damir Fazlliçit gjatë fushatës zgjedhore 2005 dhe a është paguar ai për këtë rol; cili është aktualisht roli i Damir Fazlliçit pranë qeverisë shqiptare dhe vetë Sali Berishës; sa herë dhe me çfarë statusi ka qenë Damir Fazlliçi në zyrën e Berishës dhe cilat janë projektet për të cilat ka negociuar ai me qeverinë shqiptare, etj. Në mungesë të përgjigjeve, kreu i ekzekutivit ka sulmuar ashpër kryetarin e opozitës, Edi Rama. Ai e ka akuzuar këtë të fundit se e ka zhytur opozitën në atë që ai e ka cilësuar si “bataku i bllofeve”. Berisha deklaroi gjatë fjalës së tij se mocioni i kërkuar nga opozita ka në themel mëri, inat dhe zili primitive për zhvillimet në vend. Gjatë fjalës së mbajtur, Berisha, hera herës i është rikthyer edhe fjalorit të kohërave të vjetra si ish-kryetar i opozitës. “U vendos mocioni i mosbesimit dhe ai i mosbesimit, për të cilin ju nuk patët guxim. Juve ju mungonin hormonet që ta ndërmerrnit”, - tha Berisha teksa e kishte shkëputur vëmendjen nga letra e përgatitur. Kreu i ekzekutivit ka vijuar më tej teksa ka akuzuar të majtën, kur ajo ishte në pushtet për lidhje të forta me krimin e organizuar që, sipas tij, kontrollonte institucionet shtetërore. Berisha u zhvesh nga fjalori i tij politik duke folur deri për orgjira e për veprime tutorësh.

Pyetjet e grupit parlamentar të PS-së që nuk morën përgjigje nga Berisha:

Cili është roli i Damir Fazlliçit në kompaninë “BG&R” dhe në marrëdhëniet me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike?

Sa është vlera e kontratës midis “BG&R”-it dhe Sali Berishës për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2005?

Në ç’rrugë janë paguar paratë dhe sa tatime ka paguar në Shqipëri Kompania “BG&R” ?

Cili ka qenë roli i Damir Fazlliçit gjatë fushatës zgjedhore 2005 dhe a është paguar ai për këtë rol?

Cili është aktualisht roli i Damir Fazlliçit pranë qeverisë shqiptare dhe vetë Sali Berishës?

Sa herë dhe me çfarë statusi ka qenë Damir Fazlliçi në zyrën e zotit Berisha, cilat janë projektet për të cilat ka negociuar ai me qeverinë shqiptare?

Çfarë aktiviteti kanë kryer në Shqipëri 5 kompanitë e denoncuara publikisht në media, me emër e mbiemër, me data, akte themelimi e adresa të sakta?

A ka pastrim parash në transaksionet e Fazlliçit?

A janë paguar taksat sipas ligjeve të shtetit shqiptar?

A janë transparente bilancet e kompanive të Damir Fazlliçit?

Deputeti i PS-së, Gramoz Ruçi, reagoi ashpër pas heshtjes së kryeministrit Berisha për Damir Fazlliçin

Ruçi: Berisha, hienë politike, injoroi ligjin

TIRANË- Në mungesë të përgjigjeve të kërkuara nga opozita për lidhjet e dyshimta të kryeministrit Sali Berisha, me biznesmenin serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, deputeti i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, deklaroi dje gjatë fjalës së tij se, Berisha injoroi publikun shqiptar, injoroi ligjin dhe gjykatat duke u fshehur pas imunitetit politik.

Duke e akuzuar kryeministrin për faktin se e mban peng shtetin dhe se e ka vënë në shërbim të halleve personale e familjare edhe të Fazlliçit, Ruçi i kujtoi kryeministrit mbështetjen që u ka dhënë kohë pas kohe klaneve serbe, duke mbajtur një qëndrim kundërshtari ndaj Kosovës. Deputeti socialist e ka cilësuar gjithashtu Berishën një hienë politike që nuk do të ndryshojë asnjëherë. “Qeveria jonë e para vitit 2005, nuk arriti të bindte shqiptarët se Saliu po mashtron. Por, sot të gjithë ne po shohim se si mashtrimi nuk ka kufij. Sot për Fazlliçin, që sipas të gjithë gjasave është duke pastruar para në Shqipëri, Sali Berisha, na fshikullin turinjve copa ligjesh e nenesh kujtdo që kërkon të hetojë mbi këtë personazh. Ky zotëri, nuk pyet fare as për postin zyrtar që mban e as për borxhin politik që ju ka njerëzve që e votuan, sepse e besuan”, - vazhdoi më tej Ruçi. Sipas Ruçit, kjo është një periudhë ku shteti është i kapur nga krimi. “Është afatshkurtër se në qershor Saliu dhe shteti i tij i kapur marrin fund. Ky është rregulli i demokracisë dhe është i vetmi që Saliu nuk e shkel dot. Jo se nuk do, por se nuk mundet. Ai e di mirë se çfarë i ndodh po të guxojë ta shkelë.E provoi një njëherë në '96-n dhe jo nga rebelimi komunist, siç përpiqet Saliu të mbrohet, por nga shqiptarët që nuk e durojnë dot mashtrimin e Sali Berishës,” - tha ai. Në fund të fjalës së tij, deputeti socialist shprehu mbështetjen ndaj Prokurorisë në çdo veprim hetimor kundër “Fazlliçit të serbëve dhe të gjithë Fazlliçëve të Saliut”. Gjithashtu ai propozoi që seanca të përfundojë më një rezolutë të kuvendit që mbështet Prokurorinë dhe të dënojë krimin. “Ky është gjesti i vetëm që na lejohet të bëjmë, të tjerat janë përralla nga ato të Saliut që as ai vetë nuk i beson më”, - tha në fund Ruçi.

Deputeti i PS-së tha se Prokuroria po bllokohet që të mos shkohet në gjurmët e Gërdecit

Blushi: Fazlliç erdhi pas 2005-s për të vjedhur

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, deklaroi dje në kuvend se çështja për t’u diskutuar, nuk është Damir Fazlliçi, por vetë Sali Berisha. “Të mos merren me Damir Fazlliçin, sepse e konsideroj si një kuti këpucësh, që e mbajnë në përgjithësi hajdutët poshtë tavolinave të zyrës për ta mbushur me para. Dhe ky është ndryshimi mes Fazlliçit si kuti këpucësh, kur në fakt këpuca është këtu prapa. Të merremi më këpucën të mos merremi me kutinë, sepse pronari i kutisë dhe i lekëve është para nesh. I thashë këto për të thënë se besoj që, Damir Fazlliçi, nuk është çështja, çështja është Sali Berisha. Çështja për të diskutuar është Sali Berisha”, - tha Blushi. Debati i mocionit, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me Berishën dhe faktin se pse ai dhe familja e tij janë të përfshirë në çështje e afera, për të cilat akuzohen. Duke e lidhur ardhjen e Fazlliçit me ardhjen e vetë Berishës në pushtet, Blushi u shpreh se: “Në vitin 2005, filloi koha për të vjedhur, kronometri u shtyp për të vjedhur dhe vazhdon akoma. Kjo është arsyeja se pse Damiri erdhi në Shqipëri. Erdhi nga Bosnja në Shqipëri për të vjedhur, dhe pyetja ime është "Pse nuk erdhi Damir Fazlliç para vitit 2005? Sepse ne kur ishim në pushtet nuk lejonim shtetas të huaj të investonin në Shqipëri? Jo!! Erdhi pas vitit 2005 për të vjedhur sepse kjo mundësi u krijua pas vitit 2005. Dhe se kush e ftoi pas shtatorit të vitit 2005 është shumë e qartë! Se kemi ftuar ne, e ka ftuar Sali Berisha”. Duke e cilësuar të turpshme atë që po ndodh me Prokurorinë, Blushi deklaroi se Prokuroria po bllokohet, që të mos gjejë pronarin legal të bizneseve. “Nuk bllokohet Prokuroria për të bllokuar Damir Fazlliçin si një njeri me kombësi të huaj, bllokohet që të mos shkohet në gjurmët e Gërdecit dhe pronarëve legalë që janë pas meje”, - tha Blushi, duke e drejtuar gishtin tek kryeministri Berisha.

Kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, ka sqaruar dje arsyet e kërkesës së mocionit me debat ndaj Berishës

Leskaj: Shteti u kap, Berisha duhet të largohet TIRANË - Kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, ka kërkuar dje largimin e kryeministrit Sali Berisha, pasi ky i fundit ka vënë interesat shtetit në shërbim të një njeriu që përfaqëson interesa të dyshimta, si Damir Fazlliçi. Gjatë fjalës së saj, Leskaj ka deklaruar se grupi kuvendor kërkoi zhvillimin e këtij mocioni me debat, nisurnga një çështje, e cila, sipas saj, ka të bëjë me lidhje të dyshimta të Berishës dhe qeverisë që ai drejton “me një përfaqësues tëbotës së interesave të paligjshme, lidhje që e kanë vendosur qeverinë në konflikt të hapur interesi”. “Së pari, Kryeministri, si njeri me imunitet politik, duhet të bëjë transparente marrëdhëniet e tij me shtetasin serbo-boshnjak, Damir Fazlliçin, marrëdhënie nga të cilat kanë derivuar një sërë aferash korruptive të bëra publike kohët e fundit edhe në shtyp. Së dyti, kryeministri ia ka borxh këtij kuvendi dhe shqiptarëve një rrëfim të sinqertë për lidhjet e hershme të tij me Damir Fazlliçin, që nga zgjedhjet e vitit 2005”, - tha dje Leskaj. Kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, shtoi se Berisha vuri qeverinë në mbrojtje të Fazlliçit, shtoi sulmet ndaj institucioneve të pavarura, deri edhe tek propozimet absurde për hetimin parlamentar ndaj prokurorisë apo ekspertimin ndërkombëtar. “Ajo që na ka shqetësuar ne është fakti se çështja “Fazlliç” nuk është një çështje e thjeshtë korruptive e një individi, kjo çështje është kapja tipike e shtetit. Është kapje e shtetit, për sa kohë që, kryeministri, vë në shërbim të tij institucionet e shtetit dhe qeveria merr vendime në favor të biznesit të tij (si ngritja e parkut energjitik), kur familjarë të kryeministrit dhe ministrave rezultojnë të lidhur direkt në afera biznesi me të. Është kapje e shtetit kur, për shkak të tij, kryeministri vë nën presion institucionet e pavarura, duke kërkuar deri edhe hetim ndaj prokurorisë”, - tha Leskaj. Kryetarja e grupit parlamentar e PS-së shtoi se, është kapje e shtetit, kur në shërbim të tij vihet eskortë policore. “Është kapje e shtetit kur Fazlliçi vë në rresht qeveritarë, të cilët raportojnë përpara tij për çështje të sigurisë kombëtare dhe këtë e bën në cilësinë e biznesmenit (këtë nuk e ka thënë opozita, po deklarata e qeverisë)”, - tha ajo. Leskaj theksoi se, “Është e drejta juaj të zgjidhni miqtë tuaj, por ju nuk jeni një qytetar i thjeshtë, ju jeni kryeministri i vendit dhe kryeministri i vendit nuk mund të ngatërrojë miqësitë personale me punët e shtetit. Ju këtë e dini. Është e drejta juaj të mbani një mik të dyshimtë e në konflikt me interesat e shtetit ligjor, në konflikt me interesat kombëtare të këtij vendi, por nuk mund të jeni njëherësh edhe kryeministër i vendit, ndaj ju duhet të largoheni nga posti i kryeministrit”. Pikërisht për këtë arsye, Leskaj ka kërkuar që kryeministri të japë sqarime mbi pyetjet e ngritura nga opozita lidhur me marrëdhëniet e tij me Fazlliçin, si dhe mbi veprimtarinë e këtij të fundit në Shqipëri.

Berisha-Ruçit: Fatos Nano të ka akuzuar se ke dashur ta vrasësh. Tani e ke qartësuar këtë problem brenda partisë apo jo. Kaq. Po, po e ka akuzuar.

Ruçi-Berishës: Sa i përket pyetjes, për atë që më ka akuzuar Fatos Nano, kjo nuk është farë e vërtetë. E megjithatë unë po ta jap përgjigjen me një pyetje tjetër.

Z. Berisha, ty që të ka akuzuar një Tropojë e gjitha. Kur do vesh në Tropojë dhe kur do të falësh gjakun e tyre?

Basha-Blushit: Do ju lë në ishullin tuaj, nga i cili besoj se do ishit larguar, por mesa duket atje jeni dhe atje do të qëndroni për një kohë të gjatë?

Blushi-Bashës: Po të jepja një autograf të librit tim e do të thosha: Lul, është më mirë të lexosh sesa të recitosh. Është gjithmonë më mirë të lexosh se të recitosh. Dhe besoj se do ta jap ndonjë ditë, kur të jemi vetëm. Berisha-Deputetëve të PS-së: Ju kanë zënë prapanicat kallo nëpër kafenetë e Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›