Uashingtoni dhe zgjedhjet 2009
Sipas mediave shqiptare, zv/ndihmës Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Stjuart Xhons, i ka deklaruar qartë Kryeministrit Berisha se qëndrimi që ka shprehur dhe shpreh ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, pasqyron vetëm vijën zyrtare të administratës së Uashingtonit, përkatësisht të Presidentit Bush, si dhe të Senatit e të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së. Këtë qëndrim, sipas mediave shqiptare, zyrtari i lartë i SHBA-së, ia ka bërë të ditur gjatë një takimi edhe kreut të PS-së, Edi Rama. Dhe, në mënyrë diplomatike, ai dha të njëjtin mesazh edhe në një intervistë në Zërin e Amerikës. Kuptohet se sqarimi i zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, është një përgjigje për zërat në kampin e Berishës se deklaratat e ashpra të ambasadorit Uithers, nuk janë në përputhje me linjën zyrtare të Uashingtonit. Gjithashtu, ai sqarim ishte edhe një përgjigje ndaj Ministrit të Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, i cili i ka dërguar një letër Departamentit të Shtetit, ku ka kërkuar sqarime në lidhje me qëndrimet e kryediplomatit të Uashingtonit në Tiranë.
Ky mesazh i rreptë i Uashingtonit zyrtar përbën, payshim, një shqetsim të madh për Berishën, tani që zgjedhjet po afrojnë. Kjo sepse, parë në retrospektivë, erërat që kanë fryrë kundra velave të qeverive shqiptare nga Uashingtoni kanë qënë, zakonisht, ogur i keq për to. Por për të kuptuar më mirë domethënien e mesazhit të rreptë të Uashingtonit ndaj Berishës, vlen të analizohet konteksti historik dhe gjeopolitik i marrëdhënieve të Shqipërisë me superfuqinë e vetme të botës.
Kur marrëdhëniet diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë u rivendosën në fillim të viteve ’90, ambasada amerikane në Tiranë, në mënyrën më të hapur të mundur, mbështeti Berishën.Kjo, sepse ai u duk si lideri më i aftë për të udhëhequr koalicionin e madh antikomunist. Por do të kalonin vetëm pak vjet nga ardhja e tij në fuqi, dhe diplomatët amerikanë që e mbështetën aq fuqimisht atë në fillim do të deziluzionoheshin. Nga të gjithë udhëheqësit europiano-lindorë që diplomacia amerikane kishte mbështetur në fillim të viteve ’90, vetëm Berisha doli një aleat jo i besueshëm - nga një nxënës i bindur e entuziast në fillim, ai u kthye në një partner arrogant e jomiqësor ndaj shtetit amerikan. Kjo gjë bëri që shumica e atyre amerikanëve që ndiqnin nga afër zhvillimet në Shqipëri të krijonin një opinion tejet negativ për Berishën.
Me ardhjen e Nanos në fuqi, Shqipëria u rikthye në rolin e partnerit të bindur e besnik ndaj Amerikës - kryesocialisti e kuptoi shpejt se mbështetja e diplomatëve amerikanë ndaj tij do të ishte një kartë politike që, për arsye të psikologjisë së elektoratit shqiptar, do ta ndihmonte për mbajtjen e pushtetit.Me ndihmën e Brus Xheksonit, firma lobiste e të cilit u pajtua nga qeveria shqiptare për të ndihmuar Shqipërinë të antarësohet në NATO, si dhe, në një farë mase, me ndihmën e shqiptaro-amerikanëve të NAAC-ut, Nano navigoi nëpër ujërat e qarqeve të politikës së jashtme amerikane për të siguruar një mbështetje që ai mendonte se, eventualisht, do të përkthehej në më shumë vota në Shqipëri.
Dhe tani, disa fjalë për kontekstin gjeopolitik të mardhënieve Uashington-Tiranë. Duke filluar nga maja e shtetit amerikan, emri i Shqipërisë ndoshta nuk arrin të shfaqet më shumë se një herë në vit në skrivaninë e Presidentit Amerikan. Emri i saj, fatkeqësisht, ka gjasa të shfaqet më shpesh në atë skrivani vetëm po të ndodhë, larg qoftë, ndonjë katrauhrë si e 1997-ës, ose ndonjë luftë përreth Shqipërisë. Pra, në kushte normale, për sa kohë që Shqipëria mbetet një aleate e vendosur e Amerikës, dhe për sa kohë që ajo nuk trazon ujërat në Ballkan, nuk ka arsye reale që Presidenti Amerikan të merret me të.
Duke zbritur një shkallë më poshtë, edhe situata në skrivaninë e Sekretarit të Shtetit apo të Sekretarit të Mbrojtjes është e ngjashme. Ballkani është aktualisht jashtë radarit të tyre kryesor, e për rrjedhojë, atyre rrallë u qëllon të merren me Shqipërinë. Ndërsa për sekretarët e sektorëve të tjerë, Shqipëria është aq e vogël sa është zor të imagjinohet që lapsi i tyre të shkojë ndonjëherë tek harta e saj.
Po të vazhdohet zbritja shkallë-shkallë, mund të konstatohet se është vetëm një grup i vogël prej ndoshta 15-20 amerikanësh që ndjekin nga afër zhvillimet në Shqipëri, e që janë përgjegjës apo ndikojnë në përpunimin e politikës së SHBA-së ndaj saj. Në këtë grup, më të rëndësishmit janë ambasadori amerikan në Shqipëri, nëpunësi i Departamentit të Shtetit i specializuar për Shqipërinë, si dhe eprori i tij në byronë e Europës Juglindore. Në një farë distance nga këta të tre, janë asistentët e atyre kongresmenëve dhe senatorëve që u bie radha të merren herë pas here me Shqipërinë. Dhe, akoma më në distancë, janë specialistët e Ballkanit në institutcionet joqeveritare që ndikojnë në përpunimin e politikave të jashtme amerikane.
Pas parantezës së mësipërme historike dhe gjeostrategjike, le të kthehemi atje ku e nisëm - tek marrëdheniet aktuale të Berishës me Uashingtonin.Nga zhvillimi i ngjarjeve deri në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, nuk ishte vështirë të kuptohej se Berisha nuk arriti të fitonte një mbështetje të ngjashme me atë që administrata amerikane i dha, për shembull, Shakasvilit në Gjerogji. Sepse në Shqipëri, nuk erdhi një Xhejms Bejker si përfaqësues special i Presidentit Bush për t’i njoftuar aleatit të bindur të Amerikës praninë e vëzhguesve të huaj në çdo qendër votimi dhe zhvillimin e “exit poll”-eve nga kompani të huaja të besueshme ndërkombëtare. Gjithashtu, domethënës ishte edhe fakti që në seancën dëgjimore për Shqipërinë që u zhvillua në Kongresin Amerikan nga Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, opozita u përfaqësua nga Eduard Selami e Fatmir Mediu, dhe jo nga kryetari i saj.
Të mbërdhihur nga prespektiva e riardhjes së Berishës në fuqi dhe të deziluzionuiar nga korrupsioni galopant që Nano e futi në sistem në Shqipëri, diplomatët dhe politikanët amerikanë që ndiqnin nga afër zhvillimet shqiptare vendosën që të mos përkrahnin as njërën e as tjetrën palë në zgjedhjet e 3 korrikut. Ata vetëm ngulën këmbë me forcë që të dyja palët të angazhoheshin për zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve dhe për pranimin e rezultatit, pavarësisht se kush do të dilte fitues.
Pasi zgjedhjet mbaruan, e fitimtar doli Berisha, Uashingtoni zyrtar adoptoi një përqasje të tipit “të presim e të shohim”. Ndërkohë, miqësitë personale amerikane të Berishës u ridimensionalizuan. Megjithëse ka zëra se ai rezultoi një klient shumë i vështirë për firmën lobiste “BGR”, ajo me kënaqësi ndërmjetësoi që ta lidhte atë me njerëz të fuqishëm në Uashington, si p.sh., me Tom Rixhin. Por pavarësisht nga mbëshjtetja që Berisha mund të ketë siguruar në nivel personal, ngjarjet e fundit me ambsadorin amerikan dhe zv/ndihmës Sekretarin e Shtetit tregojnë se Uashingtoni zyrtar është më kritik ndaj tij se ç’ishte ndaj Nanos.Kjo, sepse duket se Uashingtoni po konstaton një ringjallje të tendencave autoritariste të Berishës, të cilat aq shumë i siluroi në mesin e viteve ’90.Dhe silurimi i ashpër i ambsadorit amerikan dhe zv/ndihmës Sekretarit të Shtetit ditët e fundit, të bën të mendosh se nuk është çudi që Uashingtoni t’i japë edhe një herë Berishës puthjen e vdekjes. Bash siç bëri në vitin 1996...