Aktori Everet dhe Shqipëria e Fazlliç
Ishte e rëndë, shumë e rëndë ajo që u tha shqiptarëve mbrëmjen e të mërkurës, aktori hollivudian Rupert Everett. Ishte ftuar të fliste në studion e një televizioni për eksperiencën e tij “shqiptare” të ditëve të fundit dhe nuk duroi të nxirrte hidhësinë që i kishte mbetur në grykë, pos fjalëve të ëmbla për Shqipërinë e bukur dhe shqiptarët e ndershëm. Britaniku prej ditësh ishte në Gjirokastër për të bërë një dokumentar për Lord Bajronin, Ali Pashanë, Çajld Haroldin, Shqipërinë feudale dhe trimat e kohës. Ishte pritur krahëhapur, por jo në Lazarat ama. Atje nuk e kishin lënë të futej me kamera dhe kameramanë dhe ai nuk kishte tentuar, sepse helbete si mund të bëhet reportazhi pa kamerat?
Britaniku nuk mund ta kuptojë këtë që ndeshi në hyrje të fshatit rebel, që është ende në stinën e hashashit, edhe pse ka lexuar shumë për Ali Pashanë, feudet, mosbindjen ndaj shtetit dhe ligjeve të tij dhe mund të jetë informuar se Shqipëria është një vend i sigurtë veçanërisht për të huajt. Është i lënduar si aktor, pse në dokumentarin e ardhshëm për Lord Bajronin, do të mungojë një pjesë që nuk u xhirua, ajo që nuk njeh shtetin, pra Lazarati.
Po sa i lënduar do të ishte Rupert Everett sikur të kish ardhur jo për të bërë dokumentar për ndjesitë e tij si aktor, por për një biznes që të përfitojë nga mundësitë që të jep tregu “Shqipëria 1 euro”? Bie fjala të kish ardhur për të marrë pjesë në tenderat që hap KESH-i për blerje energjie dhe mbi zarfin e tij të trashë me ofertën dhe dokumentacionin e plotë, të vihej zarfi i Rudnap-it me sekser Damir Fazlliçin. Çfarë idhnimi do të mundte të përmbante brenda britaniku i shkretë?
Po të kish qëlluar dje në një studio tjetër televizive, ku ky Fazlliçi respektohej si Ali Pasha, në ç’vrimë do të futej Everetti i famshëm me dy Globe të Arta, dhe që është në skenën e teatrit dhe të kinemasë prej vitit 1980. Do të ishte përballë kryesekserit të Ballkanit, këtij aktori të shkëlqyer të nëntokës së miliardave, të shihte se si ia hapin derën e makinës dhe ia bëjnë temenarat përfaqësuesit e medias atij që prej disa ditësh është bërë për t’i shtuar një lugë në shtëpitë e shqiptarëve.
Ai nuk është si Lord Bajroni i Everetit që vjen për idilizëm dhe për të gjetur paqen në Shqipërinë e pashallarëve. Ai është prej vitesh një nga baronët e ndërmjetësimeve, që sjell dhe merr milionat, ngre dhe ul kryeministra, fiton zgjedhje dhe tendera, ngre shoqëri “investuese” dhe merr pjesën. Është mik i ngushtë me kryeministra dhe thotë nëpër botë se është edhe i afërm i tyre, siç bënte me të ndjerin Zoran Xhinxhiç, për të marrë përfitime për ndërmjetësimin. Është mik për kokë me kryeministrin e Shqipërisë dhe ai thotë të njëjtën gjë anasjelltas. Është ortak në firma me të afërm ministrash. Ka sjellë në Shqipëri biznesin më të dyshimtë të Ballkanit, atë që u bë në kohën kur përgjakej ish-Jugosllavia, kur vriteshin mbi 300 mijë njerëz, kur rripeshin nga hiperinflacioni qytetarët e varfër nën sundimin e Millosheviçit, kur kontrabandohej naftë, mallra konsumi, dhe gjithçka tjetër që ishte në listën e sanksioneve të vëna nga Komuniteti Ndërkombëtar për shtetin që përgjaku Ballkanin. Ky biznes iu është blerë atyre që prej tre vitesh kanë qenë njerëzit më të afërt të kryeministrit të Shqipërisë, që kanë bërë milionat dhe me paratë e shitjes së biznesit, premtojnë se do t’i shumëfishojnë milionat.
Ai vjen me çarter dhe nuk e ka problem sepse vetëm me një letër bakalli, fiton 1.7 milionë euro, mu në hundën e Prokurorisë së Përgjithshme e cila pasi ngrihet avioni nga Rinasi, merr guximin të thotë se do të zbardhë aktivitetet e kompanive të tij në Shqipëri. Është kjo prokurori që prej një viti është rënduar me dosje ministrash pa imunitet, të cilët kanë qenë partnerët më të ngushtë të baronit të ndërmjetësimeve, që edhe pse pa njollën e fundit dhe me mëkatet e mëparshme bëjnë jetë të lirshme politike dhe ekzekutive. Ajo do ta hetojë Fazlliçin për aktivitetin e pesë kompanive, ligjshmërinë e tyre, mundësinë e evazionit fiskal etj., në një kohë kur partnerët e tij në qeverinë shqiptare janë të akuzuar për abuzime skandaloze me fondet e buxhetit të shtetit për vepra gjigante infrastrukturore, për masakrën e Gërdecit, trafikun e armëve dhe municioneve, për abuzime me tenderat e energjisë elektrike në firma demek austriake që menaxhohen nga serbë. Ata që nën hijen e kryeministrit, mik të Fazlliçit e kanë bërë Shqipërinë një feud të tyre, aq sa Ali Pasha do të dukej si një kryeplak mjeran përballë tyre.
Prej tyre duhej të frymëzohej Rupert Everett në këto ditët e tij “shqiptare”. Me ta në krah do t’i ishte hapur edhe rruga në Lazarat. Do të bënte edhe një dokumentar jo për lordin anglez, por për një baron serb, që vjen dhe bëhet mik për kokë me Sali Pashën, që nuk bën poezi, por miliarda, përpara të cilave puthin tokën edhe shërbëtorët e tij në qeveri, politikë dhe media dhe do të ishte një dokumentar për “Golden Globe”.