Ne jemi ato që i sjellim njerëzimit jetën
Kosova është një shtet i ri. Ky që po jetojmë është një shekull i ri, është një agim i ri. Ne duhet të ngremë zërin dhe të vendosim se si duam ta kemi këtë shekull. Ne, gratë, jemi ato që i sjellim njerëzimit jetën dhe mendoj se ne mund të largojmë paradigmën negative gjithkund. Ne jemi ato që mund të ndryshojmë gjithçka që ka të bëjë me rolin e femrës në shoqëri.
Investojmë aq shumë para në sistemin juridik, në sundimin e ligjit dhe në ndalimin e krimit, sepse kriminelët ndonëse janë minoritet në shumicën e shoqërive, kanë ndikim mbi të gjithë. Pra, qeveritë mendojnë se ia vlen të shpenzojnë shuma të caktuara parash në këtë drejtim.
Në vendin tim, SHBA, të gjitha krimet kryhen nga 7 për qind të popullatës, ndërsa 93 për qind nga ne i bindemi ligjit. Por, me miliarda dollarë shkojnë në ndalimin e këtij 7 përqindëshi. Po e përdor këtë krahasim, sepse ndikimi i grave që vdesin në shtëpi në shoqëritë tona duhet të përputhet me vlerën e parave që investohen për të parandaluar këtë.
Mendoj se mund të organizohet një fushatë që do të përfshinte televizionet, shtypin dhe radion, si dhe fytyrat e njohura në Kosovë, të cilat mund t'i kontribuonin një fushate për vetëdijesimin dhe edukimin e qytetarëve.
* ( Fran Drescher, është aktore e famshme amerikane, e cila po qëndron këto ditë në Kosovë në kuadër të një turneu për vetëdijesimin e grave për efektet e kancerit. Ajo vetë ka mundur të mposhtë kancerin e gjirit në vitin 2000.
Në Kosovë ajo ka shkuar si e dërguar e Departamentit të Shtetit për çështjet e shëndetit të grave. Drescher njoftoi se turneun e saj do ta vazhdojë edhe nëpër disa vende të tjera, në mënyrë që t'i kontribuojë vetëdijesimit të grave për efektet e kancerit. Në tërë botën, çdo vit zbulohen më shumë se 1 milion raste të reja të kancerit të gjirit. Nga kjo sëmundje çdo vit vdesin mbi 400 mijë femra.