E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza në Siri, takim mes SHBA-së dhe Rusisë

Koordinatori diplomatik i sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton, do të takojë zyrtarët rusë në përpjekje për të gjetur gjuhë të përbashkët, për t`iu përgjigjur krizës në Siri.

Frederik Hof do të zhvillojë bisedime në Ministrinë e Jashtme ruse, në Moskë.

Para takimit, Ministria e Jashtme ka thënë se ajo është në kontakt të rregullt me Uashingtonin në lidhje me Sirinë.

Rusia, aleate e vjetër e regjimit sirian, i është bashkuar Kinës në bllokimin e masave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që do të kishin në shënjestër regjimin sirian.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, ka përsëritur edhe këtë javë thirrjet për largimin nga pushteti të presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad.

Ky vend është përfshirë nga protestat anti-regjim dhe dhuna që prej marsit të vitit të kaluar. Sipas OKB-së, të paktën 9,000 persona kanë humbur jetën në trazira.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›