E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takohet me Schultz, vlerësohet vendimi i LSI-së për koalicionin qeverisës



Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta zhvilloi dje një takim në Alsdorf të Gjermanisë me Martin Schultz, President i Grupit Socialist në Parlamentin Evropian. Zgjedhjet e 28 Qershorit dhe vendimi i LSI-së për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike, ishin në qendër të bisedës midis tyre.
Meta e njohu drejtuesin e lartë të socialistëve evropianë me zhvillimet politike në Shqipëri dhe veçanërisht për shkaqet që çuan në rezultatin zgjedhor. Ai gjithashtu parashtroi arsyet ne themel të vendimit për koalicionin e ri qeverisës midis LSI-së dhe Partisë Demokratike, duke theksuar se LSI-ja gjendej përpara një momenti historik dhe deçiziv. Sipas Metës, LSI nuk mund ta shtynte vendin në krizë politike dhe ekonomike, të cilat do të bllokonin reformat dhe proceset integruese të Shqipërisë.
Presidenti i grupit socialist të Parlamentit Evropian Schultz tha se socialistët evropianë respektojnë vendimin e LSI-së për koalicionin. Sipas tij, LSI do të jap një kontribut të madh në realizim e reformave dhe integrimit evropian të Shqipërisë.
“Ne respektojmë plotësisht vendimin e LSI-së për koalicionin” u shpreh Schultz në takimin me kryetarin e LSI-së, Meta. “Do të bashkëpunojmë me Qeverinë e re ku, jemi të bindur se LSI-ja do të japë një kontribut të veçantë në realizimin e reformave dhe në integrimin evropian të Shqipërisë. Në këtë funksion ne do të forcojmë bashkëpunimin me LSI-në dhe do ta mbështesim në realizimin e objektivave të saj politike”, tha ai.
Schultz e ftoi kryetarin e LSI-së Meta për një vizitë në Bruksel në muajin shtator për t’u takuar me autoritetet e larta të BE-së dhe me përfaqësuesit më të lartë të së majtës evropianë.

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›