E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatet e mandateve të cilat u vendosën nga votat e partive të vogla

Partitë e vogla të “Aleancës së Ndryshimit” i dhanë PD-së katër mandate shtesë. Shumë përcaktuese edhe votat e aleatëve të LSI-së për fitimin e mandatit në qarkun e Tiranës

Shaban Sulçe

Kanë humbur mundësinë e përfaqësimit në parlament, janë diskriminuar nga Kodi Zgjedhor, kanë marrë një përqindje të vogël votash, megjithatë kanë rezultuar shumë përcaktuese në fitimin e mandateve të deputetëve për koalicionet ku kanë marrë pjesë. Nëse mund të ketë një beteje morale të fituar nga partitë e vogla në zgjedhjet e 28 qershorit, padyshim do të cilësohet fakti që të paktën 6 mandate deputetësh u përcaktuan vetëm falë votave të marra prej tyre. Më të frytshme në këtë drejtim kanë rezultuar partitë që bënin pjesë në koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike, ku falë kontributit të tyre PD-ja ka fituar të paktën 4 mandate. Jo më kot kryeministri Berisha nuk nguroi të ftonte në koalicionin e drejtuar prej tij 16 parti të vogla. Duket se kalkulimet dhe llogaritë e kryeministrit Berisha rezultuan të sakta për zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkohë shumë përcaktuese në fitimin e një prej katër mandateve të fituara nga LSI-ja kanë rezultuar edhe partitë e vogla, pjesëmarrëse në koalicionin “Aleanca Socialiste për Integrim”. Përcaktuese për mandatin e fituar nga PS-ja në qarkun e Lezhës ka rezultuar Partia SocialDemokrate.

Aleatët e PD-së
U cilësua një parti anonime, e padëgjuar më parë dhe të gjithë shprehën habinë kur kryeministri Sali Berisha afroi në koalicionin e drejtuar prej tij Partinë Maqedonase për Integrim Evropian. Por 0.49% të votave që kjo parti fitoi në qarkun e Korçës bën që Partia Demokratike të fitonte mandatin e gjashtë në këtë qark, duke fituar mandatin e shtatë që ishte shumë pranë fitimit nga ana e Partisë Socialiste. Kalkulimet e kryeministrit Berisha dolën mëse të sakta. Ndonëse në 11 qarqet e tjera Partia e Maqedonasve nuk arriti të merrte vota, numri i konsiderueshëm i votave që ajo fitoi në qarkun e Korçës i dha PD-së mandatin e gjashtë. Sigurisht që në këtë drejtim, një kontribut kanë dhënë edhe votat e marra nga Partia Republikane në qarkun e Korçës, 1.73%, Bashkimi Liberal Demokrat 0.58%, PAA 0.43% etj.
Dy mandatet që Partia Demokratike ka fituar përkatësisht në qarkun e Beratit dhe në qarkun e Elbasanit mund t’ja dedikojë në mënyrë të veçantë votave të marra nga aleatja e saj Partia Republikane. Në qarkun e Beratit, PD-ja kishte një diferencë votash nga PS-ja rreth 12%, megjithatë arriti të fitojë vetëm një deputet më pak se PS-ja. Ky sukses u mundësua nga fakti se Partia Republikane fitoi 5.13% të votave në qarkun e Beratit, ndërkohë që rreth 2% të votave arritën të fitonin në total edhe partitë e tjera të vogla të koalicionit të saj. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për qarkun e Elbasanit, ku ndonëse PD-ja kishte marrë shumë më pak vota se PS-ja arriti të fitojë një numër të barabartë mandatesh, falë votave të marra nga aleatët e saj PR, PAA etj.
Falë aleatëve të partive të vogla, Partia Demokratike arriti të fitonte një numër të barabartë mandatesh me Partinë Socialiste, ndonëse kishte shumë më pak vota se PS-ja në qarkun e Tiranës. Por si PS ashtu edhe PD fituan 15 mandate secila. KY sukses I PD-së sigurisht u arrit edhe falë votave të marra nga 15 partitë aleate të saj.

Aleatët e PS-së
Rezultati zgjedhor që patën aleatët e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit çuditërisht nuk e ndihmuan PS-në në fitimin e mandateve. PSD, G99 dhe PDS paradoksalisht fituan përqindje të konsiderueshme në ato qarqe ku Partia Socialiste doli forcë e parë dhe praktikisht votat e aleatëve të saj nuk ndikuan në marrjen e ndonjë mandati shtesë. Interesant është fakti, se në ato qarqe ku PS-ja doli forcë e dytë, votat e PSD-së, PDS-së dhe G99-ës ishin thuajse të pallogaritshme dhe nuk ndikuan në fitimin e ndonjë mandati shtesë. Përjashtim bën vetëm rezultati në qarkun e Lezhës, ku Partia Socialiste arriti të siguronte një mandat tepër, falë votave të marra nga Partia SocialDemokrate. Në qarkun e Lezhës, ndonëse PS fitoi rreth 13% të votave më pak se PD-ja, ajo mori vetëm një mandat më pak. Kjo pasi Partia SocialDemokrate arriti të fitonte 3.11% të votave, duke rezultuar përcaktuese në fitimin e mandatit të tretë të PS-së.

Aleatet e LSI-së
Nëse partitë e vogla aleate të LSI-së nuk do të merrnin votat që morën në qarkun e Tiranës, sot LSI-ja do të rezultonte vetëm me tre deputetë dhe kryetari i saj Ilir Meta do të rezultonte jashtë parlamentit. Kjo pasi në qarkun e Tiranës, LSI-ja arriti të fitojë 4.65% të votave, duke qenë larg pragut elektoral prej 5%, që nënkuptonte fitimin e mandatit të deputetit. Kapërcimi I këtij pragu u mundësua falë votave të partive të vogla. Kështu PSV 91 e drejtuar nga Petro Koçi fitoi 0.27%, Lëvizja për të Drejtat e Njeriut 0.24%, Partia e Gjelbër 0.5%, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve 0.3% dhe Partia Toleranca e Re 0.2%.

Mandatet e përcaktuara nga Partitë e vogla

Mandatet e fituara nga PD

Qarku Korçë
Përqindja e votave të PS-së: 43.7% të votave
Përqindja e votave të PD-së: 42.02% të votave
Diferenca e votave: 1.5%
Diferenca e mandateve: E barabartë. 6 PS, 6 PD
Përqindja përcaktuese e partive të vogla për mandatin e gjashtë të PD-së:
PR 1.73%, Bashkimi Liberal Demokrat 0.58%, AMIE 0.49%, PAA 0.43

Qarku Berat
Përqindja e votave të PS-së: 48%
Përqindja e votave të PD-së: 26.63%
Diferenca e votave: 11.37%
Diferenca e mandatave: 1 mandat. PS 4, PD 3
Përqindja përcaktuese e partive të vogla: PR 5.13%

Qarku Elbasan
Përqindja e votave të PS-së: 43.47%
Përqindja e votave të PD-së: 37.26%
Diferenca e votave: 6.19%
Diferenca e mandateve: E barabartë, PS 7, PD 7
Përqindja përcaktuese e partive të vogla: PR 2.1%, PAA 1.73%, PBDK 0.98%

Qarku Tiranë

Përqindja e votave të PS-së: 42.96%
Përqindja e votave të PD-së: 42.29%
Diferenca e votave: 0.67%
Diferenca e mandateve: E barabartë, PS 15, PD 15
Përqindja përcaktuese e partive të vogla: PR 1.59%, PLL 0.46%, PDI 0.43%, PAA 0.35%, PBK 0.31%, PAD 0.28%, BLD 0.24%, LDK 0.21%, PDM e RE 0.16%, PBDK 0.13% etj

Mandati i fituar nga LSI në qarkun Tiranë

Pragu elektoral: 5%
Përqindja e LSI-së: 4.65%
Përqindja e aleatëve: PSV 91 0.27%, LDLNJ 0.24%, PGJ 0.5%, PMDE 0.3%, PTR 0.2%

Mandati i fituar nga PS-ja
Qarku Lezhë
Përqindja e fituar nga PD: 44.37%
Përqindja e fituar nga PS: 30.35%
Diferenca e votave: 14.2%
Diferenca e mandateve: 1, PD 4, PS 3
Përqindja përcaktuese e partive të vogla: PSD 3.11%

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›