Ambasadori gjerman: Analiza e 28 qershorit vendimtare për qëndrimin e BE-së
Analiza e zgjedhjeve të 28 qershorit do të jetë vendimtare për Be-në lidhur me qëndrimin e saj për sa i takon aplikimit të Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Këtë fakt e ka konfirmuar dje Aambasadori Gjerman në Tiranë Bernd Borkardt. “Përsa i përket kritereve për këtë qëllim do të analizojmë të gjithë procesin zgjedhor dhe javën tjetër do të dalë zyrtarisht edhe rezultati, kjo do të jetë një pike e veçantë. Lufta kundër krimit të organizuar është një pikë tjetër dhe pikësynimi unë ndaj RENEA-s është edhe ky” u shpreh për mediat Ambasadori gjerman Bernd Borkardt i cili mori pjesë sot në një aktivitet në ambientet e forcave speciale të RENEA-s ku dhuroi dhe pajisje të nevojshme për këtë repart. Bernd Borkardt bëri të ditur se janë vetëm dy, pikat kryesore që duhet të plotësojë Shqipëria për të arritur në çështjen e shumë pritur atë të hyrjes në Bashkimin Evropian. Sipas Ambasadorit gjerman janë procesi zgjedhor dhe lufta kundër krimit të organizuar dy nga kriteret të cilat do të merren në konsideratë për shqyrtimin e kandidaturës së Shqipërisë për në BE.
Thirrja
Duket se kryediplomati gjerman në Tiranë ka qenë përherë i drjetëpërdrejtë dhe konciz në dhënien e mesazheve lidhur me “fatin” e Shqipërisë në procesin e integrimit. Vetëm një muaj më parë ambasadori Borkardt nuk ka hezituar që këtë përgjegjësi t’ia ngarkojë klasës politike shqiptare. Ai është shprehur se politika shqiptare duhet të përmbushë detyrimet që i janë ngarkuar nga strukturat e Bashkimit Evropian dhe të mos merret me premtime boshe. “Sinjali është i qartë dhe nuk duhen dhënë premtime boshe. Duhet të përmbushen standardet” - tha ai, duke premtuar mbështetje në këtë proces, ndërsa ka kujtuar se ato janë përmbushur nga fqinjët që tashmë do të lëvizin pa viza. Gjatë fjalës së mbajtur në një aktivitet të organizuar një muaj më parë nga Lëvizja Mjaft, ambasadori Borkardt ka komentuar vendimin e Bashkimit Europain për të mos përfshirë Shqipërinë në “Shengen”. Sipas tij, sinjali i Bashkimit Evropian është mjaft i qartë për Shqipërinë. Më parë duhen plotësuar standardet dhe të gjitha detyrimet, në mënyrë që Shqipëria të përfitojë nga lëvizja e lirë. Ai ka bërë të ditur se tashmë liberalizimi i vizave është çështje e brendshme e Shqipërisë, pasi BE-ja është e gatshme të hapë dyert për cilindo vend që përmbush standardet.
Kushtet
Pa një proces zgjedhor të pranuar nga partitë politike në vend, Bashkimi Evropian duket se nuk do t’i hapë rrugë procesit të dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Ky mesazh ka mbërritur të hënën nga presidenca suedeze e Bashkimit Evropian, e cila është në pritje të mbylljes së procesit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Shefat e diplomacive të 27 vendeve evropiane kanë dalë dje me një deklaratë për vendin tonë, duke mos dhënë asnjë shenjë për kërkesën e bërë nga qeveria “Berisha” në prill të këtij viti. Ndërkaq, procesi i numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve mbajti “peng” standardet, gjë që u pasua edhe me presionet politike që u ushtruan ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor.
“Këshilli (i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian) përfiton nga ky rast të përsërisë mbështetjen e plotë të tij për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe thekson se do ti rikthehet aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim vetëm kur të kenë përfunduar procedurat e zgjedhjeve shqiptare”, - thuhet në deklaratën e së hënës të kryediplomatëve të BE-së. Kaq ka mjaftuar për ti dërguar sinjale të qarta Tiranës zyrtare dhe për ti kërkuar përfundimin sa më shpejt të procesit dhe pranimit të rezultatit nga të gjitha palët.
Aplikimi i Shqipërisë, pro janë shprehur Italia dhe Austria
Pas Italisë fqinje, edhe Austria ka dalë në mbështetje të përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Ministri i Jashtëm austriak, Michael Spindelegger këmbënguli të hënën, gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian se Ballkani Perëndimor duhet të vazhdojë të ketë një perspektivë të qartë të anëtarësimit në bllokun 27-anëtarësh. Pas një analizimi të procedurave të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri në fund të muajit të kaluar, Komisioni Evropian duhet të udhëzohet që të përgatisë një vlerësim lidhur me përgatitjet e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ky raport mund të jetë gati deri në vjeshtë. Kryediplomati austriak, Spindelegger theksoi gjatë takimit të shefave evropianë të diplomacisë në Bruksel, se përveç Austrisë, edhe shumë vende të tjera anëtare janë shprehur në favor të një perspektive konkrete për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi gjithashtu se negociatat e anëtarësimit të Kroacisë duhet të rifillojnë menjëherë. "Nuk duhet të krijojmë përshtypjen se po mbyllet ura për Kroacinë", tha ai. Pak ditë më parë, një deklaratë të ngjashme bëri edhe kryediplomati italian, dhe ish-Komisionari evropian për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë, zoti Franko Fratini. Ai akuzoi burokratët e Brukselit që po mbajnë në sirtarë dosjen e Shqipërisë. Kohë më parë, Komisioni Evropian kishte paralajmëruar se ishulli i Atlantikut të Veriut, do të mund të pranohej në bllokun 27-anëtarësh pas një "procedure të përshpejtuar" dhe me një perspektivë të tillë pajtohen shumica e vendeve anëtare. Deklarata e së hënës e kryediplomatëve të BE-së dhe përgatitja e një raporti vlerësues për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është konsideruar nga kreu i qeverisë shqiptare një vlerësim i madh për Tiranën zyrtare. Kryeministri Berisha përshëndeti takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian se deklaratën e tyre se Ballkani Perëndimor duhet të vazhdojë të ketë një perspektivë të qartë të anëtarësimit në bllokun 27-anëtarësh.
29 Korrik 2009