Kriza nuk preku biznesin,u regjistruan 17 mijë të reja
fabiola Çela
Kriza globale financiare duket se nuk ka prekur ende biznesin vendas. Gjatë vitit që lamë pas është rritur ndjeshëm numri i bizneseve që janë regjistruar pranë qendrës kombëtare të regjistrimit të biznesit. Në një situatë të tillë, Drejtori i QKR-së Tom Kola është shprehur se duke parë numrin e madh të bizneseve që janë regjistruar, nuk mund të flitet për momente krize.
Analiza
“Gjatë vitit 2008 u regjistruan pranë këtij institucioni 17.773 biznese të reja, ndërsa 13.285 biznese në 2007, pra 4.488 biznese më shumë se një vit më parë”, u shpreh dje Drejtori i QKR-së Kola.
Madje sipas tij, në 2008-ën është vënë re një rritje e dukshme e investimeve të huaja në Shqipëri. Konkretisht në 2008-ën janë regjistruar 608 bizneseve me kapital të huaj, ndërsa në vitin 2007 numri i tyre ka qenë 219. Ndërkohë, sipas parashikimeve të ekspertëve të ekonomisë, si pasojë e krizës financiare globale pritet që të ulet fluksi i investitorëve të huaj në vend, por të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fund të 2008-ës ende nuk është reflektuar një ndikim i tillë. Gjatë vitit të kaluar, përveç hapjes së bizneseve të reja, disa prej atyre ekzistuese kanë shpallur falimentimin. Sipas Kolës, numri i bizneseve të falimentuara gjatë vitit 2008 është rreth 20 biznese, një shifër e papërfillshme në krahasim me numrin e bizneseve të reja të hapura në vend. Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Biznesit filloi punë më 3 shtator 2007, duke zëvendësuar procedurat e mëparshme të regjistrimit në gjykata për të gjitha llojet e bizneseve që kryejnë aktivitet ekonomik në Shqipëri, e mbështetur nga Programi i Sfidës së Mijëvjeçarit, të financuar nga SHBA. Gjatë muajve janar-nëntor 2008, në sportelet e hapura në 27 bashki të vendit, nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit,(QKR) u regjistruan rreth 18 mijë biznese. Aktualisht Qendra Kombëtare e Regjistrimit është institucioni i vetëm për regjistrimin e biznesit në Shqipëri me një ndalesë, ku kryhen të gjitha proceset e regjistrimit të biznesit, përfshirë dhe regjistrimin për efekt të taksave në nivel kombëtar dhe vendor, për sigurimin shëndetësor e shoqëror si dhe për Inspektoriatin e Punës.