Sigurimet, tregu i orientuar drejt sigurimit të makinës
Shqiptarët vazhdojnë të jenë më shumë të interesuar për të siguruar automjetin e tyre sesa jetën. Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), edhe gjatë vitit 2008 tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 92.70% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 7.30%. Sipas të dhënave nga AMF-ë, gjatë vitit 2008 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 692,334, duke shënuar një rritje prej rreth 27.33% në krahasim me vitin 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 7,090 milionë lekë, shifër kjo 19.45% më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2007. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 43.82% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 56.18% të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve, ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare. Ndërkohë, për sa i përket pagesës së dëmeve nga ana e kompanive të sigurimit, totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në vitin 2008 ishte 17.51% më shumë se në vitin 2007. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 78.35% të totalit të dëmeve të paguara bruto.