Kriza po bën që, çdo gjë, tashmë të tingëllojë keynesiane
Idetë e ekonomistit të ndjerë britanik, John Maynard Keynes, po ringjallen në ditët e krizës së sotme financiare. Për 30 vjet a më shumë, teoria e politikës ekonomike ka qenë: “Tregjet e lira? Mirë! Ndërhyrja qeveritare? Keq! Por kur krizës ekonomike bankare nuk po i duket fundi, hartuesit e politikave po shfaqin tashmë disa alternativa.
Dhe kujt t'i drejtohen ata, përveçse personit që ofroi zgjidhjet gjatë krizës së fundit financiare; depresionit global të viteve 30. Për vite të tëra, libri i tij po mblidhte pluhur nëpër biblioteka, por tashmë, ekonomisti britanik John Maynard Keynes, është kthyer përsëri në modë.
Milton Friedman dhe ekonomistë të tjerë nga Çikago, drejtuan një kundërrevolucion intelektual ndaj Keynes. Ndërsa ai theksoi rreziqet e brendshme të kapitalizmit dhe nevojën për ndërhyrje qeveritare, ata besuan ekzaktësisht të kundërtën, siç shpjegon Edmund Phelps, një ekonomist, fitues i çmimit Nobel, në universitetin Columbia, në Nju-Jork:
"U bë diçka e respektueshme intelektualisht të modeloje ekonominë, sikur të ishte një makinë që funksiononte në mënyrë perfekte vetërregulluese. "Por siç vuri në dukje Keynes atëherë dhe siç po shohim dhe ne tani, tregjet nuk arrijnë që gjithmonë të gjejnë atë që duhet. Gjatë 18 muajve të fundit, rreziqet e lënies së tregut, që të bëjë çfarë të dojë, janë ekspozuar ashpër nga kriza kreditore.
Tani, bizneset po fillojnë të bëjnë presion që qeveritë të vijnë në shpëtim me masa të stilit Keynesian.
Qeveritë, në shumë vende, kanë ndërhyrë me paketa shpëtimi të mëdha për të inkurajuar bankat kryesore.
Tani bisedohet për borxhe me sasi të shumta parash për të financuar ulje të taksave dhe/ose programe të veprave publike, çdo gjë që mund të bëjnë qeveritë për të ndaluar ekonomitë nga rënia e mëtejshme. Çdo gjë tingëllon Keynesiane.