E Diel, 1 Nëntor 2026

Në vend të transparencës - pseudoshpëtimi tek antiglobalizmi

Disa vite më parë ndaj protestave, paneleve të specializuara apo debateve televizive për projektin e “famshëm” të djegies së plehrave italiane në Shqipëri, kryeministri i kohës, pa shkelur mirë në atdhe, akuzoi të gjithë kundërshtarët e deklaruar ndaj këtij projekti, si anti-globalistë e komunistë. Por, një “akuzë” e tij nuk ngjiti shumë dhe, në përgjithësi, media serioze e pagëzoi atë si tepër të “trashë”. Nuk munguan dhe ata që këtë përpjekje kryeministrore për mbyllje-goje mediatike e heshtjeje politike, në emër të globalizimit, ta shihnin atë me dyshim si “fole” përfitimi politik apo financiar, manipulimi e spekulimi. Aq më tepër kur një përgjigje e thjeshtë dëshmonte qartë që Shqipëria nuk kishte pse të bëhej një“gropë plehrash” të askujt, qoftë dhe për arsye të varfërisë së përkohshme të saj! Bile, oferta të ngjashme, tepër të majme, edhe më parë u janë drejtuar qeverive komuniste, pak para fillimeve të tranzicionit demokratik, për hapje “varrezash” radioaktive brenda territorit shqiptar. Fatmirësisht, dhe këto qeveri patën kurajën të mos binin pre e këtyre tundimeve, të konsideruara si shpëtuese!...

Parë në një rrafsh kombëtar, aktual e perspektiv, çdo analizë e thjeshtë në shërbim të natyrës dhe jetës, nuk mund të ishte ndryshe, veçse refuzuese. Ajo mbetet e tillë, po aq qartë, si sot, ashtu dhe nesër! Dhe në çdo rast, as ushqimi, as prekja e interesave të disa përfituesve shqiptarë e jo shqiptarë, nuk mjaftojnë për të klasifikuar qëndrimet ndaj tyre, qoftë të një lloji globalist, qoftë të një lloji anti-globalist. Pa dyshuar që një kryeministër i tillë, në emër të globalizmit, e parapëlqente, më saktë e modulonte, “konceptin” ezhvillimit apo “variantin” shqiptar të parimeve të liberalizmit ekonomik dhe të lirisë së tregut, deri tek investimet e huaja për djegie plehrash të jashtme. Por, shembuj të ngjashëm nuk mungonin dhe në vende të tjera, sidomos në Afrikë. Në këtë kuptim, mjaft organizata serioze kombëtare e ndërkombëtare kanë lëshuar sinjale “SOS” ndaj ndotjes së mjedisit apo kanë rritur ndjeshmërinë qytetare kundër mjaft aspekteve mjedisore apo problemeve shqetësuese të proceseve globalizuese. Sidomos gjatë shfrytëzimit abuziv të burimeve materiale e pasurive natyrore në mjaft vende të pazhvilluara!...

I njëjti konceptim kryeministror ndeshet dhe në qeverisjen pasuese. Jo thjesht e vetëm për një vendimmarrje tërësisht jo transparente, por dhe duke mos përfillur qëndrimin e autoriteteve lokale, mendimin dhe votën popullore. Për më tepër, duke “shtypur” çdo përpjekje për organizim referendumi në nivel vendor ose kombëtar, veçanërisht për miratim investimesh me pasoja të konsiderueshme mjedisore.

E çuditshme është se të njëjtat akuza, të njëjta sulme të shpallura kundër “opozitarëve antiglobalistë e komuniste”, janë dëgjuar dhe nga goja e kryeministrit të sotëm për të mbrojtur disa projekte, ku ka munguar transparenca financiare, teknologjike e mjedisore. Bile, krahas sulmeve me “axhektivë” kombëtarë ndaj paqartësive projektuese e shifrave përkatëse, luhatjeve të çmimeve apo mangësive të tjera, nuk kanë munguar dhe sulmet apo akuzat kryeministrore me terma globalë, për të sulmuar grupimet civile e opozitare, apo për të “demaskuar” të gjitha reagimet qytetare e intelektuale, për gjoja sjelljeantiglobaliste e komuniste. Për fat të keq, në një farë mënyre, një gjë e tillë tretej pa “teklif” në mjedisin “lokalo-global” shqiptar, duke ngatërruar kozmopolitizmin tonë me korrupsionin e llojllojshëm politik-ekonomik. Aq më shumë që ky i fundit është po aq global sa dhe shqiptar, siç është dhe korrupsioni kombëtar po aq dhe rajonal e global...

Sidoqoftë, ndryshe nga disa muaj më parë, këto akuza me antiglobalizëm e komunizëm nuk pinë më ujë. Për arsye edhe të jashtme! Sepse kriza ekonomike-financiare ka prekur gjerësisht sot disa kolona bazë të kapitalizmit global. Për më tepër, “theksimet” moderne apo dobësitë e harruara të tij, kanë detyruar sot një kontroll me urgjencë mbi të gjitha prodhimet “toksike”, disiplinë e rregullime serioze të konsideruara më se të domosdoshme, përfshirë dhe probleme të rikapitalizimit e nacionalizimit(sidomos në sistemin bankar), të ndërhyrjes së qeverive kombëtare, shtimit të transparencës ekonomike dhe kontrollit financiar-bankar, si në mjedisin kombëtar, ashtu dhe global, etj.

Nuk mohohet që paketa e bashkëpunimit ekonomik të Italisë me Shqipërisë të ketë vlera të ndërsjella. Sepse ndërvarësia ekonomike në botën e sotme është e domosdoshme, në shumicën e rasteve dhe e projektuar sipas interesave të ndërsjella dhe leverdive të përcaktuara. Por jo kur abuzohet me sjellje servile politike, me interesa pushteti apo ekonomike. Aq më tepër, kur në njërin vend politika shfaqet e kujdesshme dhe reagimi qytetar rezulton fuqiplotë, ndërkohë që në një vend tjetër politika (ajo qeverisëse) e quan veten pronare të vendit, madje tallet pa teklif me pasurinë kombëtare, ndaj një reagimi qytetar të sulmuar ose pothuajse jo ekzistent. Ky është dhe rasti ynë.

Me këtë sy “dyshues” duhet parë dhe “Hit Parade” e fundit. Por mungesa e transparencës së projekteve të komentuara apo të nënshkruara, dhe në mënyrë të veçantë mos diskutimi i aspekteve të tyre mjedisore, krahasuar me “fitimin potencial” të taksave përkatëse, krijon dyshimet e pritshme, sa qytetare po aq dhe politike. Sidomos parë me syrin e instalimeve, që synohen në territore brenda kombëtare për të realizuar prodhime jashtë kombëtare! Aq më tepër kur ata mund të prekin parametra bazë, gjithmonë e më të shtrënguar dhe të kërkuar në nivel botëror e evropian, për ruajtjen e natyrës, të ndotjes së ajrit dhe të ujit (në sipërfaqe apo në thellësi). Akoma më keq kur bëhet fjalë për të drejta instalimesh, që prekin vlera turistike aktuale e potenciale, të cilat mund të justifikohen vetëm në kushte të pashmangshme në terma kombëtarë, por jo në terma të jashtme, aq më pak për “orekse pushtetore”, marifete ekonomike-politike apo spekulime financiare.

Parë në kërkesën e domosdoshme të një transparence popullore, duket fare absurde të flitet ende sot me argumente anti-globale e gjoja komuniste, apo për gjoja reagime politike të llojit anti-treg. Aq më tepër që bëhet fjalë dhe për projekte energjetike që lidhen ngushtë me mjedisin dhe mbrojtjen e tij. Pa harruar që krahas rritjes së ndërveprimit rajonal e global ndaj problemeve mjedisore po rritet përgjegjësia e pagesa kombëtare ndaj çdo “shkeljeje politike e ekonomike” kundër orientimeve e standardeve mjedisore rajonale apo konventave globale. Është e rëndësishme që edhe në kuadër të krizës financiare nuk kanë reshtur masat anti-krizë, të cilat krahas objektivave konkretë për të mbrojtur prodhimin dhe vendet e punës, po tentojnë të mbështesin dhe përmirësime të reja teknologjike, në shërbim të mbrojtjes së mjedisit, në mbrojtje të klimës dhe ndryshimeve të saj. Nuk është e rastit që kjo theksohet si në përdorimin konkret të paketës amerikane, ashtu dhe atë evropiane (masat britanike, franceze, gjermane, etj.). Pikërisht, këtë shqetësim e transparencë duhet të pasqyronte normalisht në Kuvend dhe ministri shqiptar i linjës, në “paradën” e fundit italo-shqiptare. Por jo të mbulohej (njëlloj si dhe kryeministrat “globalistë” të njëpasnjëshëm) me “veshje superliberaliste tregu”, aq më keq me pseudo-argumente apo “retorika” anti-globaliste. Aq më tepër që “përralla” të tilla nuk dëgjohen më sot në përpjekjet e përbashkëta ndërkombëtare, jo vetëm për të reduktuar të keqen e madhe akoma në skenë, por dhe për të korrigjuar sistemin aktual, në të gjitha pikat e dobëta të tij, përfshirë dhe betejën njerëzore madhore në procesin e shpëtimit të “planetit në rrezik”...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›