E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza politike, Svoboda: Presim kompromisin nga palët

Institucionet ndërkombëtare presin propozimet për kompromis nga palët, për zgjidhjen e krizës në Shqipëri. Kështu është shprehur europarlamentari, Hanes Svoboda, në shkrimin e tij “Ballkani perëndimor në 2010: Një hap para, dy hapa prapa?”. Duke iu referuar situatës aktuale, Svoboda thotë se në këtë fazë, qeveria dhe opozita kanë pranuar ndërmjetësinë e Parlamentit Europian për zgjidhjen e krizës.

“Na vjen keq per mungesën e pjekurisë politike të palëve të përfshira në krizën parlamentare, për të arritur një kompromis të pranueshëm prej tyre. Sic dhe kam propozuar një rezolutë që do të vijë së shpejti në Parlamentin Europian, për procesin e integrimit të Shqipërisë, një zgjidhje e konfliktit për procedurën e zgjedhjeve duhet të gjendet nga të dy palët. Ne presim propozimet përkatëse për kompromis. Në këtë fazë, qeveria dhe opozita kanë rënë dakord të lejojnë anëtarët e Parlamentit Evropian për të vepruar si ndërmjetësues për krizën”, thotë Svoboda.

Duke iu referuar liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, Svoboda thotë se për popujt e Shqipërisë dhe Bosnjes, dy vende që nuk hyn në dhjetor të 2009 në listën Shengen, ka dhënë një perceptim negativ. Sipas tij, tek këta popuj kjo riktheu mosbesimin në institucionet europiane dhe zhgënjimin për potencialin e tyre në të ardhmen europiane.

Duke folur për vendet e Ballkanit Perëndimor, Svoboda thotë se sfida kryesore për 2010 mbetet konflikti mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa për integrimin e Kroacisë, ai thotë se krahas kufijve me Slloveninë, për të cilën u mbajt dhe referendumi, Kroacia ka edhe probleme të tjera që kërkojnë zgjidhje. Ndërsa për Maqedoninë, sfida kryesore mbetet cështja e emrit.

“Nëse 2010 nuk mund të sjellë zgjidhje të të gjitha problemeve që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zgjidhin, në mënyrë që e ardhmja e tyre europiane të bëhet realitet, të sigurohemi se aktorë të rëndësishëm si Kroacia, do të jenë një shembull për gjithë rajonin, duke dëshmuar se veprimet e bashkëpunimit sjellin rezultate konkrete dhe europiane”, përfundon europarlamentari Svoboda.

Anisa Braho < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›