E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillimet politike në Kosovë, të hënën mblidhet GDN

Grupi Drejtues Ndërkombëtarë do të takohet të hënën në Prishtinë, për të diskutuar me përfaqësuesit e Kosovës zhvillimet e fundit politike dhe për të shqyrtuar gjendjen e sigurisë, pas protestave të fundit në veri të Mitrovicës.

Takimi i këtij grupi mbahet në një kohë tensioni, pas paralajmërimeve të Misionit Evropian për Polici dhe Drejtësi, EULEX, se gjatë ditëve në vijim do të kryhen arrestimet e para për korrupsion, si rezultat i hetimeve të këtij misioni në Ministrinë e Transportit dhe Postë- Telekomunikacionit dhe në disa institucione tjera, në nivelin qendror dhe lokal.

Burime të Televizionit ALSAT nga ICO kanë bërë të ditur edhe për një takim e drekë pune që përfaqësuesit e këtij mekanizmi të rëndësishëm ndërkombëtarë do të ketë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili të martën përmes një adresimi publik pranoi se ka një krizë besimi në qeverisjen e tij, ndërsa u shpreh se nuk është i pagabueshëm dhe i përsosur, por gjithsesi premtoi luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe reforma të mëdha për të ngritur zhvillimin ekonomik dhe për të krijuar vende të reja pune.

Diplomat nga 25 vende, që përfaqësojnë shtetet kryesore të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët e përbëjnë këtë mekanizëm pas takimeve në Prishtinë do të vizitojnë komunën e re serbe të Graçanicës, ku do të takohen me drejtuesit e saj të zgjedhur në zgjedhjet e fundvitit 2009 të organizuara nga Republika e Kosovës.

Pas takimeve, përfaqësuesit e vendeve anëtar të Grupit Drejtues Ndërkombëtarë do të dalin me një deklaratë të përbashkët për shtyp ku pritet t’i japin mbështetje të fuqishme EULEX-it në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›