E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike, Topi takon Ramën: “Do të mbroj Kushtetutën”



Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka garantuar dje kreun e opozitës, Edi Rama, se do të jetë garant i Kushtetutës duke iu referuar zgjidhjes së krizës politike në vend. Kjo deklaratë e kreut të shtetit ka ardhur dje gjatë takimit të parë të zhvilluar me kreun e opozitës, Edi Rama. Ky takim është kërkuar nga lideri i selisë rozë, i cili i ka paraqitur Presidentit të Republikës argumentet e tij për qëndrimin bojkotues të opozitës. Rama i ka paraqitur kreut të shtetit fakte që sipas tij tregojnë manipulimin e procesit zgjedhor në disa qendra dhe se në rast se nuk bëhet transparenca e zgjedhjeve, atëherë kjo tregon se në Shqipëri nuk funksionon shteti ligjor. Nga ana e tij, kreu i shtetit ka garantuar se ai, për aq sa e lejon Kushtetuta, do të luajë rolin e tij për të garantuar pavarësinë e institucioneve gjyqësore, respektimin e Kushtetutës dhe funksionimin e shtetit ligjor.
Presidenti
Zyra e shtypit e Presidentit të Republikës njoftoi dje pas takimit se kreu i shtetit, “pasi dëgjoi qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste lidhur më këto çështje, ripërcaktoi edhe njëherë pozicionin e tij kushtetues dhe e siguroi zotin Rama se do të vazhdojë të luajë rolin e tij si garant i Kushtetutës dhe i ligjit në funksion të rritjes së standardeve të institucioneve të Drejtësisë, profesionalizmit dhe efektshmërisë, ndershmërisë dhe paanësisë së gjyqtarëve, dhe se do të vazhdojë të punojë për konsolidimin e pavarësisë së këtyre institucioneve të shtetit të së drejtës”, - shkruhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
Vetëm një ditë më parë, gjatë një prononcimi për mediat, presidenti Topi u shpreh se për të zgjidhur krizën politike në vend është mirë që palët të fillojnë dialogun. “Në respekt të pozicionit të Presidentit, që është kushtetues dhe institucional, bëj apelin e nevojshëm dhe të domosdoshëm në limitin e mosinterferencës te partitë. Unë i inkurajoj ato për dialog, por nuk mund të interferoj. Nuk do të mungojnë apelet e mia për të inkurajuar klimën e dialogut, e cila është esenciale për jetën e një vendi”, - ka pohuar Topi.
Kryesocialisti
Ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Rama, pas takimit me Topin, tha për mediat se kishte njoftuar kreun e shtetit në lidhje me arsyet që e detyrojnë opozitën të qëndrojë jashtë Kuvendit. “E kërkova këtë takim me Presidentin e Republikës për t’i shprehur shqetësimin e thellë të opozitës. Në emër të të gjithë popullit opozitar dhe të çdo qytetari e qytetareje që kërkon shtet të së drejtës; në kushtet kur shteti i së drejtës ka rënë; në kushtet kur kanë rënë të gjitha garancitë dhe vendi gjendet në një krizë të thellë të demokracisë dhe të institucioneve që duhet të garantojnë të drejtën e secilit, duke garantuar barazinë përpara ligjit. Pa dyshim që ilustrova shembuj dhe fakte konkrete gjithë sa po ndodh dhe kërkova nga garanti i Kushtetutës që të garantojë liri dhe të drejta kushtetuese, duke luajtur rolin që i takon”, - është shprehur Rama.

Takimet
Sekretari francez për Europën i sugjeron Berishës dhe Ramës dialogun politik

Gjatë ditës së djeshme ka vizituar Shqipërinë sekretari i Shtetit francez për çështjet europiane, Pierr Lelush, cili ka zhvilluar takime me kryetarët e dy partive të mëdha në vend, Berishën dhe Ramën. Duke iu referuar situatës politike në vend, sekretari francez u ka sugjeruar palëve që të ulen e të dialogojnë për t’i dhënë zgjidhje situatës. Sipas Lelush, duhet t’i jepet fund bojkotit pasi ndikon negativisht në proceset integruese të vendit. “Mendimi ynë është shumë i thjeshtë, principi bazë i demokracisë është që sapo zgjedhjet mbarojnë dhe në momentin që KQZ nxjerr rezultatin, duhet të pranohet ndryshimi, ai që fiton merr pushtetin dhe ai që humb do të kalojë në opozitë. Por, pranimi i kësaj alternance është baza e demokracisë. Kjo duhet të pranohet mirë në kokë, sepse është rregull absolut, sepse nëse nuk pranohet ndryshimi i pushteteve, atëherë është regjim diktatorial. Unë e kuptoj se demokracia mund të mos jetë perfekte, mund te këtë kundërshtime, por koncepti tjetër bazë në këtë rast, kur ka kontestime, gjithçka rregullohet përmes drejtësisë dhe dialogut. Unë bëj thirrje në interes të Shqipërisë dhe integrimit të saj në Europë, ashtu siç kanë bërë komisioneri Rehn, dhe ajo që mund të bëj unë është vetëm një thirrje për dialog, sepse përndryshe do të dukej si ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë, pra thirrje për alternancë dhe dialog”, - është shprehur Lelush. Ndërsa Berisha u shpreh se maxhoranca mbetet e hapur për bashkëpunim me opozitën. “E sigurova se unë, qeveria dhe maxhoranca mbetemi plotësisht të hapur për një bashkëpunim me opozitën në interesin më të mirë të vendit dhe se kemi bërë ofertën tonë në këtë aspekt”, - është shprehur Berisha.
Ndërsa kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë takimit me sekretarin francez, u shpreh se opozita do të kërkojë të drejtën e saj në rrugë demokratike. “Takimi me sekretarin francez të Shtetit, të ngarkuar me çështjet europiane, Pierr Lelush, ishte shumë i frytshëm. Jemi të vendosur dhe të vetëdijshëm në rrugën që kemi zgjedhur, të garantojmë demokraci për të gjithë, dhe jo vetëm për një familje”, - ka deklaruar Rama pas takimit.

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›