E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatë britanike do të hartojnë dosjen çame për Gjykatën e Strasburgut



Kanë mbërritur dje në Tiranë përfaqësues të një prej firmave më prestigjioze ligjore britanike të thirrur nga Partia Drejtësi dhe Unitet, me qëllim njohjen e çështjes çame dhe krijimin e dosjes së domosdoshme për ndjekje ligjore të kësaj çështjeje në gjykatat ndërkombëtare. Në mëngjesin e djeshëm, përfaqësuesit e kësaj firme u takuan me historianët Pëllumb Xhufi, Beqir Meta, Ahmet Mehmeti etj., për të njohur aspektin historik të gjenocidit mbi popullsinë çame gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe sfondin e ngjarjeve pararendëse. Pasdite ata u takuan dhe me juristë që janë marrë me çështjen çame, si Mentor Nazarko etj., për të njohur kuadrin ligjor grek dhe ndërkombëtar dhe për të arritur në përpunimin e një pakete zgjidhjesh juridike.
Gjatë ditës së sotme, përfaqësuesit e kompanisë prestigjioze ligjore do të jenë në qytetin e Vlorës, ku do të dëgjojnë dëshmitarë okularë të gjenocidit mbi popullsinë çame. Në fund të këtyre takimeve, ditën e diel, kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet do të mbajë një konferencë për shtyp për të shprehur arritjet e këtyre takimeve dhe për të paralajmëruar nisjen e ndjekjes ligjore të zgjidhjes së çështjes çame.
Firma prestigjioze britanike është një ndër më të njohurat në arenën e së drejtës ndërkombëtare për çështje të gjenocidit, spastrimit etnik dhe pronësisë. Ajo është marrë me zgjidhje ligjore të këtyre problemeve në raste si Kosova, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, si edhe Kamboxhia me Kmerët e Kuq.
Partia Drejtësi dhe Unitet, besnike në premtimin e saj përpara qytetarëve shqiptarë, për zgjidhjen e çështjeve kombëtare, e në veçanti për zgjidhjen e çështjes çame, zotohet se do ta çojë deri në fund ndjekjen ligjore për këtë çështje të pazgjidhur për më shumë se gjysmë shekulli, në Strasburg për çështjen e pronave dhe nëse është e nevojshme në Hagë për çështjen e gjenocidit.

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›