Shqipëria, miqësore me Luksemburgun
Kombëtarja A e mbylli vitin futbollistik me miqësoren kundër Estonisë në Talin (0-0, 14 nëntor) pas përfundimit zyrtar të eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, ndërkohë që si aperturë e parë në prag të eliminatoreve të Kampionatit Europian do të ketë miqësoren e 3 marsit me Luksemburgun, menjëherë pasi të njohë kundërshtarët e kualifikueseve “Poloni-Ukrainë 2012” pas shortit që do të hidhet më 7 shkurt 2010.
KUNDËRSHTAR I MUNDSHËM
Luksemburgu mund të jetë një kundërshtar i mundshëm i Shqipërisë për eliminatoret e Kampionatit Europian, pasi dy skuadrat ndodhen në vazo të ndryshme sipas stilimit që i ka bërë UEFA. Shqipëria ndodhet në vazon 5, ndërsa kundërshtari i 3 marsit, në atë 6. Në renditjen botërore të FIFA-s, Shqipëria ndodhet në vendin e 98-të (muaji nëntor 2009) dhe në të 42-in në renditjen specifike brenda UEFA-s. Luksemburgu ndodhet në vendin e 128-të në FIFA dhe në 49-in nga 53 ekipe që ka UEFA.
NDESHJET ME LUKSEMBURGUN
Në dy përballjet e fundit ndaj Luksemburgut për eliminatoret e Kampionatit Europian 2008, Shqipëria e drejtuar asokohe nga kroati Oto Bariç i fitoi të dyja ndeshjet, si në Tiranë (2-0) ashtu dhe në Luksemburg (3-0), teksa sulmuesi Edmond Kapllani (atëherë në radhët e Karlsruhes) realizoi 3 gola, dhe nga një gol Altin Haxhi dhe Ervin Skela. Gjithsej kemi realizuar 3 ndeshje kundër Luksemburgut, me bilancin 2 fitore dhe 1 barazim pa gola (13 shkurt 2002) në kohën kur kuqezinjtë i drejtonte Sulejman Demollari.
TEST KARIKIMI
Luksemburgu konsiderohet një test karikimi për trajnerin Josip Kuzhe, në ndeshjen e tij të shtatë në krye të Kombëtares shqiptare, pavarësisht se ajo të luhet në transfertë. Deri tani, në tri ndeshjet zyrtare (1 barazim, 2 humbje) dhe tri miqësore (2 barazime, 1 fitore), tekniku kroat ka bindur me aftësinë për të ndërtuar një formacion që arrin të realizojë golin (golaverazhi është pozitiv: 10-9, ku vetëm në një ndeshje Kombëtarja nuk ka realizuar)
TRADITA ME TË VOGLAT
Thuajse të gjithë trajnerët e huaj të Shqipërisë e kanë nisur aventurën e tyre me ndeshje ndaj kundërshtarëve modestë. Italiani Xhuzepe Dosena e nisi me miqësoret kundër Breshias (me ekipin italian luajti edhe Roberto Baxhio) dhe Kosovës. Gjermani Hans Peter Brigel fitoi 5-0 me Vietnamin në turneun e Norçias në Itali, kroati Oto Bariç me San Marinon (3-0, në transfertë), Ari Han me Lihteshtejnin (fitoi 2-0) në Tiranë. Miqësorja e parë e Josip Kuzhesë është ajo kundër Gjeorgjisë (1-1) në “Qemal Stafa”.
SHQIPËRIA ME KUZHENË
ZYRTARE
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 1-1
Suedi-Shqipëri 4-1
MIQËSORE
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Bilanci: 6 ndeshje; 1 fitore, 3 barazime, 2 humbje. Golaverazhi: 10-9
11 Dhjetor 2009