E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike angazhon sërish Brukselin

Të hënën mblidhen ministrat e Jashtëm, diskutojnë gjendjen politike. Këshilli do të dalë në një deklaratë


Kriza politike shqiptare përfshihet në axhendën e takimit të 27 ministrave të Jashtëm të BE-së që do të mbahet të hënën në Luksemburg. Krerët e diplomacive të vendeve anëtare të Bashkimit Europian të kryesuar nga kryediplomatja e këtij organizmi, Katerinë Ashton në diskutimet e fillimjavës do të diskutojnë edhe për situatën politike shqiptare, ndërsa parashikohet të përpilojnë edhe një deklaratë mbi situatën politike në Shqipëri, nga e cila pritet edhe qëndrimi zyrtar i BE-së në raport me Shqipërinë.


Kjo deklaratë mendohet të jetë edhe një formë presioni ndaj liderëve politikë shqiptarë, Rama e Berisha, të cilët sipas qëndrimeve të fundit të Parlamentit Europian, kanë afat deri të mërkurën e kësaj jave që të arrijnë në një marrëveshje politike midis tyre.


Ndërsa, në rast dështimi të këtij akordi, atëherë, zyrtarët e BE-së mund të ftojnë sërish në Strasburg krerët e forcave politike shqiptare, për t'iu nënshtruar propozimeve të zyrtarëve europianë në zgjidhjen e krizës politike.


Por, nëse palët politike vazhdojnë në të njëjtën linjë të qëndrimeve atëherë sipas zyrtarëve të PE-së, Bashkimi Europian është i detyruar që të ngrijë procesin e integrimit të Shqipërisë, si dhe heqjen e regjimit të vizave.


Për shqyrtimet që do të kryejë përgjatë axhendës së diskutimeve Këshilli i Jashtëm i Bashkimit Europian, theksohet se Këshilli do të diskutojë mbi situatën politike në Shqipëri, në kuadër të iniciativës së ndërmarrë nga krerët e dy grupeve parlamentare në Parlamentin Europian, përkatësisht kreut i grupit të Partive Popullore në PE, Xhozef Daul, dhe kreu i grupit të majtë, Martin Schulz, të cilët kanë marrë edhe miratimin e baroneshës Katerinë Ashton dhe komisioneri për Zgjerimin Shtefan Fyle, në hartimin e një drafti që çon në zgjidhjen e ngërçit.


Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së, përveçse do të diskutojë situatën politike në vendin tonë do të njihet dhe diskutojë edhe rezultatet e takimit ndërmjet përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor gjatë Samitit të Sarajevës që u mbajt më 2 qershor, ku do të dalë edhe në disa përfundime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›