PS feston 19-vjetorin në Lezhë, mungojnë themeluesit

Socialistët kanë festuar dje ditëlindjen e 19-të të partisë së tyre. Festime në rrethe dhe një darkë në Lezhë
"Ky vit e ka gjetur PS të përfshirë në një betejë historike për një kauzë të madhe, çlirimi i zgjedhjeve nga korrupsioni"
Një përvjetor i ndarë me anëtarësinë, simpatizantët dhe drejtuesit në rrethe, larg Tiranës dhe një grumbullim i të gjithëve bashkë në një darkë në Lezhë. Kjo ka qenë me pak fjalë ajo që ka organizuar Partia Socialiste në ditëlindjen e saj të 19-të, e cila i ka gjetur socialistët më të angazhuar se kurrë, në vazhdim të betejës së madhe për transparencë.
Festa
Festimet për 19-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste kanë nisur herët dje paradite, ku në rrethe të ndryshme anëtarë dhe simpatizantë janë mbledhur për të kujtuar momentet më të suksesshme, por edhe më të vështira që ka kaluar kjo forcë politike gjatë gjithë jetës së saj.
Në këto takime përveç drejtuesve lokalë të partisë kanë marrë pjesë edhe një pjesë e mirë e deputetëve socialistë, të cilët, teksa i kanë uruar anëtarësisë ditëlindjen e partisë, i kanë falënderuar ata edhe për mbështetjen që i japin asaj në këto ditë të vështira të betejës për transparencën e zgjedhjeve. Ndërkohë, në mbrëmje ashtu siç edhe ishte parashikuar festa është zhvendosur në qytetin e Lezhës, vendin e Kuvendit të Besëlidhjes.
Festa ka nisur me takimin e realizuar në Pallatin e Kulturës për të shprehur falënderim dhe mirënjohje për të gjithë ata që u bënë pjesë e grevës së urisë dhe e protestave për transparencën e votave.
Këtë takim e hapi deputeti i PS, Qarku Lezhë, Gjokë Jaku, i cili duke falënderuar grevistët theksoi se socialistët në këtë 19-vjetor janë shumë më shumë dhe krenarë.
Ndërsa deputeti lezhjan, i cili ishte pjesë e grevës, Gjovalin Kadeli, theksoi se "jam i bindur se jo vetëm ne ish-grevistët, por të gjithë jemi pjesë e kërkesës së madhe për transparencën e zgjedhjeve".
Lideri i PSSH, Edi Rama, duke marrë fjalën ka falënderuar të gjithë grevistët e qarkut të Lezhës, deputetët dhe të gjithë ata që mbështesin kauzën e PS për transparencën e zgjedhjeve.
"Greva e urisë pati efekte të jashtëzakonshme, duke e çuar çështjen tonë në vëmendjen e madhe të ndërkombëtarëve, kjo falë grevës së urisë, protestave në Tiranë dhe protestave mbarëpopullore në rrethe", -tha Rama.
Festa e PS është përmbyllur me një darkë të shtruar në Lezhë për të gjithë deputetët dhe krerët e PS së Qarkut të Lezhës, duke ia kushtuar këtë mbrëmje 19-vjetorit të themelimit të PS-së, por ku natyrisht ka rënë në sy mungesa e një sërë personalitetesh që kanë qenë pjesë e atij momenti 19 vite më parë.
Rama
Ndërkohë, gjatë paradites së djeshme, kreu socialist, Edi Rama, në një dalje të posaçme për këtë ditë, ka uruar të gjithë socialistëve përvjetorin e 19 të themelimit të Partisë Socialiste.
Sipas tij, kjo ditëlindje ka një rëndësi të veçantë për këtë forcë, pasi ndryshe nga çdo herë tjetër e gjen atë në një betejë për një gjë tepër të rëndësishme për demokracinë, votën e lirë. "U uroj sot përvjetorin e nëntëmbëdhjetë të partisë sonë të gjithë socialistëve, progresistëve e simpatizantëve të kësaj force të madhe politike.
Ky vit e ka gjetur Partinë Socialiste të përfshirë në një betejë historike për një kauzë të madhe sa edhe vetë besimi tek ëndrra e Shqipërisë Europiane, kauza e çlirimit të zgjedhjeve nga korrupsioni përmes transparencës", - tha Rama në urimin e tij. Më tej, ai e ka konsideruar fat faktin që drejton Partinë Socialiste në këtë moment shumë të rëndësishëm për demokracinë në vend.
"Ndjehem krenar dhe i privilegjuar që më ka takuar mua përgjegjësia e udhëheqjes së kësaj force të madhe në këtë moment kaq të rëndësishëm për vendin, kaq jetik për demokracinë tonë, kaq dramatik për drejtësinë e ekonominë shqiptare, kaq vendimtar për të nesërmen e Shqipërisë.
Shpreh sot mirënjohjen më të thellë për çdo socialist e progresist shqiptar që kontribuon për ta rritur, vetëdijesuar e forcuar Partinë Socialiste, si alternativën e vetme të shqiptarëve për një qeverisje të ngritur mbi një moral të ri e mbi politika të reja që do të zgjidhin problemet e vjetra të këtij vendi", - tha Rama.
Ai s'ka ngurruar që në këtë ditë të shënuar t'i përgjigjet edhe gjithë kritikëve të grevës së urisë, se ajo ishte një akt sublim që i dha rëndësinë e duhur votës dhe mandatit të të zgjedhurve të popullit.
"Duke parë gjysmën e shkuar të vitit, ku populli opozitar i dha tonin jetës së vendit, me vendosmërinë për ta çuar përpara betejën, dhe ku deputetët e deputetet e Partisë Socialiste i dhanë një vlerë të re mandatit të përfaqësimit të popullit, sidomos përmes një greve urie që dëshmoi të gjithë forcën e idealizmit e të përkatësisë sonë ndaj atyre që përfaqësojmë e ndaj bindjeve tona për Shqipërinë, u them që të gjithëve në këtë ditë të shënuar faleminderit për gjithçka.
Sfida që kemi është e madhe, rruga e mbetur drejt fitores e vështirë, problemet e këtij vendi të rënda, përditë e më të rënda, por besimi, idetë, dijet, vullneti e ambicia jonë për Shqipërinë janë të atilla që çdo vështirësi do ta kapërcejmë, çdo problem do ta trajtojmë si duhet dhe sfidën do ta fitojmë të gjithë së bashku", - tha Rama.
*********************************
Kreu socialist ka vijuar turin e falënderimeve në Shkodër dhe Lezhë, ku ka takuar grevistët e urisë
Rama: Protesta, nëse nuk ka transparencë
SHKODËR - Kreu i opozitës, Edi Rama, ka ritheksuar dje nga Shkodra se e majta do t'u rikthehet protestave dhe betejës së saj në rast se mazhoranca nuk pranon transparencën e zgjedhjeve si rrugë për zgjidhjen e krizës politike.
Rama, i cili merrte pjesë në Shkodër për të falënderuar grevistët e këtij rrethi, si dhe për 19 vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, vuri në dukje se nëse nuk do të arrihet një zgjidhje politike, opozita nuk do të ketë rrugë tjetër përveçse rikthimit tek protestat.
Sipas tij, kompromisi me shumicën nuk mund të bëhet duke sakrifikuar transparencën dhe që të përsëritet në zgjedhjet e ardhshme e njëjta situatë si në zgjedhjet e kaluara. "Mendoj se të gjithë ju, ndani me mua bindjen se në rast se zgjidhja nuk do të vijë nga këto negociata, ne jemi të gatshëm ta vazhdojmë betejën tonë, pasi për ne nuk ka asnjë rrugë tjetër.
Çdo kompromis duhet të jetë i tillë që të garantojë rrugën e transparencës. Ne nuk bëjmë kompromis që nuk bën transparencë, ne nuk bëjmë kompromis që i kthen shpinën të vërtetës, ne nuk bëjmë kompromis duke pranuar symbyllur atë që ka ndodhur dhe që pastaj të gjejmë në rrugën tonë të njëjtën gjë, që ajo që ndodhi të përsëritet në zgjedhjet e ardhshme", - tha dje Rama.
Ai nënvizoi se greva e urisë ishte aksioni politik që bëri të mundur uljen e palëve politike në darkën e Strasburgut në prani të përfaqësuesve të Bashkimit Europian. Ai specifikoi se pavarësisht faktit se Shkodra cilësohet si bastion i së djathtës, zgjedhjet e fundit parlamentare, sipas Ramës, treguan se opozita arriti rezultate përtej parashikimeve të kundërshtarëve politikë.
Këta të fundit, sipas Ramës, kanë frikë që të hapin kutitë e votimit, ndërsa tha se qytetarët shqiptarë tashmë janë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e ndryshimit të forcës qeverisëse.
"Rezultati që doli nga kutitë e votimit ishte përtej të gjitha parashikimeve të kundërshtarëve tanë, si dhe për faktin se kundërshtarët tanë, që historikisht e kanë konsideruar Shkodrën bastion të tyre, sot kanë frikë të hapin kutitë e Shkodrës dhe të tregojnë se çka brenda aty.
Kjo tregon të vërtetën e thjeshtë që jo vetëm opozita por dhe qytetarët, në qytet e fshat janë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e kthimit të faqes dhe hapjes së një faqeje të re në historinë tonë, siç e tregojnë faktet dhe të dhënat e jetës sonë të përditshme, për të pasur një alternativë të re për zgjidhjen e problemeve tona jetike dhe një alternativë e re qeverisëse e jep alternativa jonë, si e vetmja forcë që mund të realizojë ndryshimin e vendit", - u shpreh ai.
Kryesocialisti tha gjithashtu se e drejta e votës duhet të konsolidohet pavarësisht se kush është në qeverisje apo ka pushtetin.
Sipas tij, opozita përgjatë gjithë këtyre muajve të aksionit të saj politik, ka mundur të evidentojë një fakt që procesi zgjedhor nuk fillon dhe mbaron me numërimin e votave, por, sipas tij, duhet të shihet edhe efekti që vota në zhvillimin e vendit.
Për këtë arsye, sipas tij, cilësia e qeverisjes varet nga cilësia e zgjedhjeve. Më pas, ai është ndalur edhe në Lezhë, ku ka zhvilluar një takim tjetër falënderues me mbështetësit e këtij qarku për protestat.