E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet me pagat, PS gati padinë në prokurori

Socialistët përgatisin dosjen, me të cilën do mbështesin akuzën kundër Topallit për shpërdorim të detyrës


Trajtimi me paga dhe dieta i deputetëve socialistë, si dhe i vetë kryetares së Kuvendit do jenë objekt hetimi


Pretendimi i socialistëve për abuzime me pagat dhe dietat nga ana e Kuvendit të Shqipërisë përfundon në Prokurori. Grupi parlamentar socialist ka mbledhur dokumentacionin e duhur dhe është duke përgatitur dosjen përkatëse dhe ditët në vijim do të marrë vendimin për t'iu drejtuar organit të akuzës për të hetuar kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, sekretarin e Përgjithshëm, Marlind Myftun, si dhe drejtoreshën e financës së këtij institucioni mbi zbatimin e ligjit "Për statusin e deputetit", i cili përcakton dhe mënyrën e trajtimit financiar të deputetëve.


Dosja


Deputetët socialistë janë të vendosur t'i shkojnë deri në fund zbardhjes së të vërtetës për trajtimin e tyre financiar nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.


Për këtë qëllim, ata kanë vendosur t'i drejtohen Prokurorisë së Përgjithshme me një akuzë direkte për kryeparlamentaren Topalli, si dhe për dy vartësit e saj, sekretarin e përgjithshëm dhe drejtoreshën e financës, për abuzim me detyrën dhe shkelje të ligjit "Për statusin e deputetit".


Objekt i kësaj padie do të jenë pikërisht një sërë penalizimesh të paligjëruara që administrata e Kuvendit i ka bërë pagës dhe dietës së deputetëve socialistë përgjatë këtyre 10 muajve të kësaj legjislature të re parlamentare.


Për këtë qëllim, deputeti Erion Braçe është nga ngarkuar nga grupi i vet parlamentar që të grumbullojë të gjithë bazën e nevojshme dokumentare, me anë të së cilës do të mbështetet dhe padia në fjalë.


Kështu, mësohet se pjesë e kësaj dosje do të jetë korrespondenca që administrata e Kuvendit ka bërë me të zgjedhurit socialistë, lidhur me kërkesat e tyre për trajtimin financiar, por jo vetëm, gjatë kohës që socialistët kishin bojkotuar tërësisht organin legjislativ.


Gjatë muajve të parë të kësaj legjislature, deputetët socialistë i nisën një letër drejtueses së Kuvendit, ku kërkonin sqarime prej saj në lidhje me statusin e tyre juridik, nëse në përcaktimin e trajtimit të tyre financiar ky institucion i konsideronte si deputetë apo si ish-deputetë.


Por, natyrisht dokumentacioni kryesor që po shqyrtohet është ai që ka të bëjë me muajt e fundit, kur dhe grupi parlamentar socialist vendosi t'i kthehet jetës parlamentare.


E këtu në ndihmë duket se i kanë ardhur lajmërimet e kreditimit që vet Kuvendi shpërndanë për çdo deputet për pagën, dietën dhe çdo trajtim tjetër financiar.


Natyrisht, për të vërtetuar shkeljet e pretenduara deputetët socialistë pritet t'i paraqesin prokurorisë dhe lajmërim kreditimet e disa deputetëve demokratë, për të parë në mënyrë krahasuese trajtimin me dy standarde që është përdorur nga ana e Kuvendit.


Gjithashtu, për të vërtetuar akuzën për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondin e pagave, në dosje do të përfshihen dhe një sërë dokumentesh që kanë të bëjnë me trajtimin financiar që kryetarja e Kuvendit i ka bërë vetes.


Më parë gazeta "Shekulli" botoi tabulatet e lajmërim kreditimit të shpenzimeve të kryeparlamentares Topalli, e cila merrte dieta sikur jetonte në Shkodër, ndërkohë që jeton në Tiranë.


Por, lidhur me padinë duket se do të vendoset në ditët në vijim, pasi deputeti Erion Braçe t'i vërë në dispozicion juristëve të partisë të gjithë dokumentacionin e disponueshëm dhe më pas ata do të bëjnë dhe hartimin e akuzës.


Hetimi


Ndërkohë që mësohet se grupi parlamentar ka hequr dorë nga rruga tjetër e hetimit, ajo parlamentare. Shkaqet janë dy: objekti i padisë, si dhe situata politike.


Kështu, burime pranë grupit socialist bëhet e ditur se me sugjerimin edhe të ekspertëve juridike është parë e udhës që për një çështje të tillë t'i drejtohen Prokurorisë, pasi bëhet fjalë për abuzim me fondin e pagave.


Gjithashtu, edhe nga ana politike është parë si panevojshme angazhimi për një hetim parlamentar të një çështje që është sekondare në raport me çështjen tjetër atë të hetimit të zgjedhjeve. Ndaj, është gjykuar se në këtë moment bërja e një kërkese për hetim parlamentar për këtë çështje do të ishte e pavend.


Megjithatë, bëhet e ditur se nuk përjashtohet mundësia që në muajt në vijim të bëhet një kërkesë e tillë, por ku objekti i hetimit parlamentar të mos jenë thjesht pagat, por e gjithë mënyra e drejtimit të Kuvendit nga ana e kryeparlamentares Topalli, përfshi këtu edhe përdorimi i buxhetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›