E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike, bllokohen 6 projektligje

Bojkoti që opozita i ka bërë Kuvendit bën të pamundur miratimin e 6 nismave të ndryshme ligjore

Mbeten për t'u miratuar, draftet e Gjykatës Administrative, Konferencës Gjyqësore, Imunitetet, Kodi Zgjedhor

Viti 2010-të përbën për klasën politike shqiptare një sfidë të gjithanshme, jo vetëm për sa i përket proceseve integruese, por edhe funksionimit të të gjitha hallkave të shtetit në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mund të përfitojnë të mirat e nevojshme publike.

"Nyja gordiane" për të përballuar këtë sfidë duket se mbetet vetëzhbllokimi i krizës politike të trashëguar që nga viti pararendës, pa të cilën bëhet tepër i vështirë ose plotësisht i pamundur si plotësimi i kritereve të vendosura nga faktori ndërkombëtar dhe Brukseli zyrtar, për sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe plotësimit të pyetësorit për marrjen e statusit të vendit kandidat, ashtu edhe miratimi i një sërë ligjesh tepër të rëndësishme që kanë të bëjnë kryesisht me funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në realizimin e qëllimit të parë.

Bëhet fjalë për rreth 6 ligje ose nisma të reja ligjore që duhen miratuar në Kuvend dhe për të cilat nevojitet kontributi i opozitës, si për sa i përket konsultimit të tyre, por edhe votës së deputetëve të saj.

Ligjet

Pavarësisht se kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë rezymesë që i bëri aktivitetit të Kuvendit në 100 ditët e para të kësaj legjislature, renditi rreth 70 ligje të miratuara, kësaj liste i mungonin të gjithë ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash ose që në rastet më të mira kërkojnë jodomosdoshmërisht votën e shumicës, por pëlqimin e saj.

Kështu, një nga draftet më të rëndësishme që mbetet në tryezën e komisioneve parlamentare është ai "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative", ose siç njihet ndryshe drafti i gjykatës së bizneseve.

Me gjithë këmbënguljen e aktorëve të biznesit legjislativi nuk ka mundur dot të miratojë ende këtë nismë ligjore, kjo pasi gjatë legjislaturës së shkuar mazhoranca e djathtë kërkoi ta kalojë në mënyrë të njëanshme, ndërsa gjatë kësaj legjislature ajo nuk siguron dot numrat e duhur në Kuvend, pasi miratimi i tij kërkon 84 vota.

Një tjetër ligj tepër i rëndësishëm që ka të bëjë direkt me funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend është edhe ai "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare", i cili është shfuqizuar që në fund të vitit 2008-të nga Gjykata Kushtetuese.

Megjithëse ministria e Drejtësisë ka deklaruar disa herë se ka gati amendamentet e reja të këtij ligji, mazhoranca për shkak të mungesës së numrave nuk ka pranuar ta fusë fare atë në rendin e punimeve të Kuvendit.

Mungesa e këtij ligji ka futur në kaos komunitetin e gjyqtarëve, të cilët vetëm pak kohë më parë me mbështetjen e shumicës qeverisëse tentuan të vetërregullojnë funksionimin e institucionit të Konferencës së Gjyqtarëve. Këtu vlejnë për të përmendur dhe një sërë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Civil që kanë dalë si nevojë gjatë diskutimeve të ligjeve të tjera në komisionet parlamentare.

Imuniteti

Një tjetër ligj, për miratimin e të cilit është angazhuar kjo mazhorancë, është edhe ai për kufizimin apo heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, përfshi këtu edhe atë të deputetit.

Prej më shumë se tre vjetësh shumica e djathtë ka synuar në vazhdimësi që të miratojë një ligj të tillë, por verdikti i Komisionit të Venecias e detyroi atë që të mos e miratojë një nismë të tillë pa votat e opozitës. Për këtë qëllim, gjatë vitit të shkuar, në legjislaturën paraardhëse, të dyja palët ranë në ujdi për të hartuar një draft konsensual, por pa mundur të konkludojnë në një produkt konkret.

Prej atëherë, mazhoranca qeverisëse nuk ka tentuar më që të kalojë një ligj të tillë, pasi, tashmë, asaj i duhet bashkëpunimi i opozitës jo vetëm për miratimin, por edhe për hartimin e tij.

Paralel me këtë nismë, një sfidë tjetër për këtë shumicë mbetet ligji "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve në postet publike", ose siç njihet rëndom ligji i dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, i cili, gjithashtu, u konsiderua nga Komisioni i Venecias si në kundërshtim me Kushtetutën.

Ndërkohë, duke parë se 2011-ta do të jetë sërish një vit zgjedhor, ku do të zgjidhen drejtuesit e pushtetit vendor, bëhet e domosdoshme që politika shqiptare të bëjë dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të eliminuar të gjitha problematikat e shfaqura gjatë zgjedhjeve të 28 Qershorit dhe që kanë të bëjnë kryesisht me procesin e numërimit të votave, ashtu edhe me vendimmarrjen e KQZ-së, ku ligji aktual zgjedhor linte jo pak vend për interpretim.

Projektligjet e bllokuara

Projektligji "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative"

Projektligji "Për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve"

Ligji "Për Kodin Zgjedhor

Ndryshimet në ligjin "Për nëpunësin civil"

Projektligji "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare"

Projektligji "Për Grantin e Sfidës së Mijëvjçarit"

Ligji "Për Pastërtinë e Figurës së zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve në postet publike"

Administrata qendrore më herët në punë, duhet plotësuar pyetësori i BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat

Pyetësori i BE-së "prish" pushimet e administratës

E hëna e parë e 2010-ës, e ka gjetur gjitha administratën qendrore në karriget e punës. Ndonëse në kalendar kjo ditë është zyrtarisht pushim, të gjithë punonjësit janë gjendur në zyrat e punës. Arsyeja se përse këto pushime kanë qenë më të shkurtat se vitet e mëparshme është afati i plotësimit të pyetësorit të bashkimit evropian brenda muajit shkurt.

Kështu, pavarësisht se në kalendar 4 janari është ditë pushimi, ministritë dhe të gjitha institucionet e tyre vartëse kanë qenë në punë, dhe jo me orar të kufizuar, por me orar të plotë. Por, e hëna e parë e 2010-ës ka qenë ditë punë vetëm për administratën qendrore, pasi për pushtetin lokal pushimet kanë vijuar të plota.

Në punë, dje, kanë qenë vetëm punonjësit e zyrave civile, të cilët në këtë periudhe të vitit përballen edhe më fluksin më të madh të njerëzve, kjo për shkak të aplikimeve të mëdha për pasaporta biometrike që kruhen nga emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, të cilët shfrytëzojnë pushimet e fundvitit për të kryer procedurat e ndryshme civile. Punonjësit e administratës dhe të gjendjes civile nuk kanë qenë të vetmit që kanë dalë më herët në vendin e punës.

Për një pjesë të mirë të punonjëseve të mediave elektronike ditët e ndërrimit të viteve kanë qenë ditë normale pune, e në disa raste edhe me orare të tejzgjatura, për të plotësuar nevojat e programacionit të shumtë të festave. Festat dhe ditët e para të vitit kanë gjetur në punë edhe bluzat e bardha, punonjësit e pastrimit gjelbërimit si dhe emergjencat civile.

Si gjithmonë, ata që i shijojnë deri në fund pushimet e festave janë nxënësit dhe studentet, të cilët sot ulen në banka për herë të parë për vitin 2010. Ndryshe nga sistemi arsimor në të gjithë Shqipërinë, studentët e universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër nuk do të vijojnë nesër procesin mësimor.

Për shkak të përmbytjeve të ditëve të fundit në qarkun e Shkodrës, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka vendosur që konviktet e universitetit të shfrytëzohen për strehimin e banorëve të zonave të përmbytura. Urdhri i MASH parashikon që mësimi në këtë universitet të nisë të hënën tjetër, por me sa duket gjithçka do të varet nga kushtet klimaterike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›