E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e PD-së, 35 kandidatë në garë

TIRANË- Janë plot 35 kandidatura midis të cilave vetëm 25 do të jenë pjesë e Kryesisë së Partisë Demokratike që do të zgjidhet nga Këshilli Kombëtar i kësaj partie. Këshilli Kombëtar i selisë blu që do të mblidhet në javën e dytë të këtij muaji, do të zgjedhë strukturat e mbetura drejtuese që nga Kuvendi i 14 dhjetorit prej nga doli edhe përbërja e këtij Këshilli. Strukturat drejtuese që do të dalin nga mbledhja e Këshillit Kombëtar janë sekretari i përgjithshëm dhe sekretarët funksionalë, nëkryetarët e partisë, kryetari i Bordit Financiar të Partisë si dhe Komisioni Qendror i Apelimit.

Sipas burimeve brenda Partisë Demokratike, bëhet e ditur se do të jenë rreth 35 kandidatura që do të votohen, 25 prej të cilave do të jenë pjesë e Kryesisë së Partisë Demokratike. Këtë e parashikon edhe statuti i Partisë Demokratike në nenin e tij për Kompetencat e Këshillit Kombëtar. "Këshilli Kombëtar zgjedh ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi, me votim të fshehtë njëzetepesë anëtarët e Kryesisë së Partisë nga një listë ku numri i kandidatëve të mos të jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që kërkohen", - thuhet në nenin 37, 2/b.

Ndërkaq po në statutin e ndryshuar të Partisë Demokratike parashikohet edhe futja e kriterit të 30 % të përfaqësimit të femrave në strukturat që do të zgjedhë Këshilli, gjë e cila do të aplikohet për herë të parë në PD. "Numri i zonjave fituese të mos jetë më pak se 30% . Në rast se ky kriter nuk plotësohet në renditjen e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre vçohet nga ajo e përgjithshmja", - citohet po në nenin 37. Përsa i përket posteve të nënkryetarëve të kësaj partie mendohet të bëhet thjesht rikonfirmimi i personave aktualë në këto poste. Ndërsa lidhur me emrin e sekretarit të përgjithshëm, mbetet ende enigmë nëse sekretari i përgjithshëm aktual i PD-së, Ridvan Bode do të ketë një rikonfirmim tjetër apo do të largohet. Përsa i përket strukturave të tjera të Partisë Demokratike pritet thjesht një formalizim i tyre. Megjithatë, sipas kryetarit të rikonfirmuar të kësaj partie, Sali Berisha mendohet se nga ky Këshill do dalin një numër i zgjeruar sekretarësh.

Gjatë konferencës që Kryeministri zhvilloi aty nga fundi i vitit të kaluar për 100 ditët e qeverisë së tij, theksoi se zgjedhja e strukturave të mbetura do t'i ngjajë ripërtëritjes që u krye me përbërjen e Këshillit Kombëtar. "Këshillin Kombëtar do ta mbledh në javën e dytë të muajit janar, ku do të zgjidhet kryesia, do të zgjidhen sekretarët, do të ketë një numër të zgjeruar sekretarësh, do të ketë risi, siç edhe pati ripërtëritje të këshillit. Vota do të përcaktojë edhe një ripërtëritje tjetër", - tha Berisha. Mbledhja e Këshillit Kombëtar nga i cili do dalin edhe strukturate e mbetura drejtuese, shënon edhe mbylljen e proceseve zgjedhore brenda Partisë Demokratike që nga Kuvendi i IX i saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›