Shembja e pallatit në Gjirokastër, pretenca: 30 vite burg për tre të pandehurit
Procesi gjyqësor ndaj përgjegjësve për tragjedinë e 9 nëntorit në Gjirokastër po shkon drejt fundit. Në seancën e djeshme gjyqësore, që u zhvillua në Gjykatën e rrethit të Gjirokastrës, Prokuroria e rrethit tha pretencën për të pandehurit. Masa më e lartë e dënimit është kërkuar për administratorin e firmës “Arti shpk”, e cila po kryente punimet poshtë kodrës ku ndodhej pallati. Punimet shkaktuan shembjen e pallatit, i cili u mori jetën 3 personave, mes tyre dhe një fëmije. Prokurori i çështjes kërkoi 21 vjet burg për administratorin e “Arti shpk”, Sotiraq Janora, mbi të cilin rëndon akuza e vrasjes dhe e shkatërrimit të pronës. Janora është i vetmi i pandehur që gjykohet në gjendje arresti me burg. Për Afërdita Papamihalin, sekretaren e Bashkisë së Gjirokastrës, Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe dënimin e saj me 3.6 vjet burg. Edhe për të pandehurit Admir Shehajn e Alfred Mamanin Prokuroria kërkoi dënimin e tyre me 3.6 vjet burg, ndërsa i kërkoi gjykatës 3 vjet për inxhinierin e firmës, Gjergji Meçe.
Pretenca
Akuza kërkoi dënimin me 1 vit burg për Leonard Mustafarajn dhe Petrit Maksutin, punonjës të Policisë Bashkiake. Gjykata e shtyu seancën për më 2 nëntor, ku do të dëgjohet dhe fjala e fundit e palës mbrojtëse dhe më pas trupi gjykues do të tërhiqet për të marrë një vendim përfundimtar mbi të pandehurit e tragjedisë së 9 nëntorit. Fill pas kësaj ngjarjeje presioni në rritje nga policia dhe komuniteti ka detyruar pronarin tjetër të firmës së ndërtimit “Arti shpk” që të dorëzohet në polici. Shtetasi Aristotel Haxhi është paraqitur vetë në mjediset e komisariatit.
Mesditën e së dielës, më 9 nëntor të vitit të kaluar, një pallat 5-katësh në lagjen '11 Janari' në qytetin e Gjirokastrës u shemb pjesërisht, duke shkaktuar vdekjen e tre personave, ndërsa tre të tjerë u plagosën.
Hetimi
Pasi kanë përfunduar hetimet paraprake për ngjarjen, Prokuroria tha se janë mbledhur provat e nevojshme që vërtetojnë fajësinë e të pandehurve për veprat penale për të cilat akuzohen. Prokuroria vendosi dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 675 të vitit 2008 në ngarkim të pandehurve Sotiraq Janora, akuzuar për kryerjen e veprave penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, dhe “shkatërrimi i pronës me dashje”, Gjergji Meçe, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, Afërdita Papamihali akuzuar për “shpërdorim të detyrës”, Admir Shehaj, Petrit Maksuti dhe Leonard Mustafaraj, akuzuar për “shpërdorim të detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe Alfred Mamani, akuzuar për “shpërdorim të detyrës”. Prokuroria tha se gjatë kryerjes së veprimeve hetimore, por kryesisht mbi konkluzionet e nxjerra nga akti i ekspertimit teknik, është konkluduar në pushimin e hetimeve ndaj Luan Bufi ing. konstruktor, Njazi Cobani arkitekt, Thanas Llahana ing. gjeolog, Aristotel Haxhi, aksioner i firmës sipërmarrëse “Arti ndërimi”, pushime të bazuara në nenin 328/1 germa “dh” K. Pr. Penale, pasi “vërtetohet se këta të pandehur, nuk e kanë kryer veprën”.
PERSONAT QË U HETUAN HETIM PËR TRAGJEDINË E GJIROKASTRËS
1. Alfred Mamani, 49 vjeç, shef i Urbanistikës në Bashkinë e qytetit. Akuzohet për “Shpërdorim detyre”, ndodhet në “burg pa afat”.
2. Admir Shehaj, 30 vjeç, me detyrë përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit. Akuzohet për “Shpërdorim detyre” , ndodhet në “burg pa afat”.
3. Afërdita Papamihali, me detyrë sekretare e KRRT-së pranë Bashkisë së Gjirokastrës. Akuzohet për “Shpërdorim detyre”, ndodhet në “burg pa afat”.
4. Jani Ndriço, 45 vjeç, ekskavatorist në firmën “Arti sh.p.k.”, akuzohet për veprën penale “Shkelje e rregullave në punë”. Hetim në gjendje të lirë.
5. Thanas Llahana, 58 vjeç, me profesion inxhinier gjeolog. Ai akuzohet për veprën penale “Shkelje e rregullave në punë”, ndodhet në “burg pa afat”.
6. Njazi Çobani, 45 vjeç, me profesion arkitekt i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k.”. Akuzohet për “Shkelje të rregullave në punë”. Hetim në gjendje të lirë.
7. Luan Bufi, 58 vjeç, me profesion inxhinier ndërtimi i “Arti sh.p.k.”. Akuzohet për “Shkelje të rregullave në punë”. Ndodhet në “burg pa afat”.
8. Sotiraq Janora, 43 vjeç, president dhe drejtues teknik i “Arti” sh.p.k.”. Akuzohet për “Shkelje të rregullave në punë”, ndodhet në “burg pa afat”
9. Gjergji Meçe, 42 vjeç, me profesion inxhinier zbatues pranë “Arti sh.p.k.”. Akuzohet për “Shkelje të rregullave në punë”, ndodhet në “burg pa afat”.
10. Aristotel Haxhi, bashkëpronar i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k.”. U vetëdorëzua. Pritet të jepet masa e sigurisë.
Fier, 26-vjeçari jeton prej 3 vitesh i lidhur me zinxhir
Historia e një 26-vjeçari të komunitetit rom në Levan të Fierit kalon cakun e çdo imagjinate. Prej më shumë se 3 vjetësh Fatmir Rashu jeton jetën e një qeni. I braktisur nga prindërit e tij, Fatmiri është rritur nga gjyshërit, por 5 vjet më parë një traumë e shkaktuar nga varfëria e tejskajshme, por edhe si shkak i një incidenti që të afërmit nuk duan ta përmendin, bëri që 26-vjeçari të humbiste mendjen. Dëshpërimi e ka kthyer atë në një njeri të dhunshëm, duke i detyruar gjyshërit e tij ta lidhin me zinxhir në një kasolle që i ngjan më shumë një kolibeje. Dikur ecte i qetë, si çdo njeri i lirë në rrugë, madje edhe endej për të gjetur ndonjë punë, thonë gjyshërit e tij, ndërsa sot është kthyer në makthin e fqinjëve dhe të të gjithë zonës. Edhe pse gjendja mendore e të riut mund të përmirësohet, familja e tij nuk ka kushtet ekonomike për të marrë ilaçet që nevojiten, ndërsa kërkojnë ndihmë që i riu të strehohet në një vend të përshtatshëm për të.
21 Tetor 2009