Shpërthejnë grabitjet, gjashtë të arrestuar në Tiranë dhe Durrës
Shtohen ndjeshëm rastet e grabitjeve në Shqipëri. Forcat e Policisë së Durrësit, në kuadrin e operacionit të koduar “Përsëritësi”, kanë arrestuar në flagrancë tre persona, të cilët akuzohen për kryerjen në bashkëpunim me njëri-tjetrin të tre tentativave për vjedhje. Burimet policore konfirmojnë se të ndaluarit janë që të tre të mitur, nën moshën 18 vjeç, konkretisht 16-vjeçari Saleo S., lindur dhe banues në Korçë, i dënuar më parë për vjedhje; 16-vjeçari A.M., lindur në Shkodër dhe banues në Peqin, edhe ky i dënuar më parë për vjedhje, si edhe 17-vjeçari me inicialet M. Xh., i lindur në Tiranë dhe banues në Rrogozhinë. Arrestimi i këtyre tre personave u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tek “Iliria” në Durrës, kanë tentuar të vjedhin banesën e një gruaje kur familjarët kanë qenë në gjumë, por kanë ikur sapo janë diktuar prej tyre. Sikundër kanë tentuar të vjedhin edhe një banesë tjetër, por kanë mundur të marrin vetëm një celular brenda saj. Ndërsa banesa e fundit ku kanë hyrë ka qenë ajo e Eljon M., ku i kanë marrë 17 mijë lekë nga pantallonat dhe kanë ikur me vrap sapo janë diktuar. Materialet rreth këtyre proceseve do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “vjedhjes“, Neni 134/2 i Kodit Penal.
Tirana
Efektivat e Komisariatit të Policisë Nr.6 ndaluan ditën e djeshme tre personat; Abdyl Peqini, 26 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe shitje lëndësh narkotike, Fredi Shaqiri, 19 vjeç dhe Gjergji Balli, 27 vjeç. Burime nga policia thanë se arrestimi i tyre u krye pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në rrugën “Fran Bardhi” në Tiranë, dyshohen se i kanë vjedhur me dhunë portofolin një vajze, në të cilin ndodhej shuma e parave prej 20 000 lekësh.
Masat
Duke dyfishuar patrullimet gjatë natës, policia ka hartuar një plan masash me qëllim zvogëlimin sa më të mundshëm të numrit të ngjarjeve kriminale që ndodhin në Tiranë, e sidomos vjedhjeve të ndryshme. Veç shtimit të shërbimeve të policisë gjatë natës, ku edhe shënohet numri më i madh i vjedhjeve, eprorët e Policisë së Tiranës kanë ndryshuar edhe mënyrën e funksionimit dhe kanë marrë një sërë masash të tjera. Madje, nga të dhënat zyrtare mësohet se punonjësit e policisë u urdhëruan që të dyfishojnë numrin e patrullave, sidomos gjatë natës. Por, policia shpreson në sensibilizimin e popullsisë për një bashkëpunim më të mirë me ta, që deri tani është në përqindje të vogël, pavarësisht se shifrat kanë ardhur në rritje. Por, masat e marra duket se ende nuk po japin frytet e tyre. Policia shpjegon se patrulla të përbëra nga dy ose tre persona janë shpërndarë në zonat, ku shënohet edhe numri më i madh i vjedhjeve. Gjatë gjithë natës këta persona kontrollojnë zonën dhe verifikojnë të dyshuar, të cilët qarkullojnë aty. Gjithashtu, janë shtuar patrullimet edhe me makina civile. Sipas policisë, punonjësit e Patrullës së Përgjithshme "fshihen" në makina civile, zakonisht pranë parkingjeve publike, me qëllim parandalimin e vjedhjes së makinave.
Vetëhelmohet me fostoksinë 39-vjeçcari
Një 39-vjeçar i ka dhunë fund jetës së tij ditën e djeshme duke konsumuar një sasi helmi, fostoksinë. Ngjarja ndodhi dje kur Ilir Lamçe, 39 vjeç, nga Tirana, është gjetur në gjendje të rëndë nga familjarët e tij. Ai u transportua me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku mjekët konstatuan se ai kishte konsumuar një sasi helmi. Me gjithë ndihmën mjekësore 39-vjeçari nuk ka mundur t’i shpëtojë vdekjes, por ka ndërruar jetë disa orë më vonë. Policia, e cila nisi hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, bëri të ditur se Lamçe ka pirë fostoksinë me qëllim për t’i dhënë fund jetës së tij, ndërkohë që ende nuk dihen shkaqet që kanë detyruar mesoburrin të ndërmarrë aktin fatal.
Goditet me levë në kokë borxhliu malazez
Një shtetas malazez është goditur me hekur në kokë pas një sherri për një borxh. Ngjarja ka ndodhur dje kur Petar M., 50 vjeç, banues në rrugën “Komuna e Parisit”, me shtetësi malazeze, është gjetur i plagosur pasi ishte goditur në kohë me hekur. Malazezi ka denoncuar në polici një 44-vjeçar me iniciale Xh. P. si autorin e plagosjes së tij. Burime nga policia thanë se sipas malazezit sherri kishte nisur për një borxh të pashlyer. Policia bëri të ditur se u kryen veprimet procedurale dhe materialet do t’i kalojnë prokurorisë, në gjendje të lirë, për veprat penale të “plagosjes së lehtë me dashje”.
Tenton ta nxjerrë të plagosurën nga kanali, por bie dhe vetë në të
Tenton t’i japë ndihmën e parë një të moshuare, të cilën e hodhi aksidentalisht në kanal, por rrëzohet edhe vetë bashkë me të. Ngjarja ndodhi në Paskuqan, afër urës, kur mjeti “Renault”, me targë TR 7292 P, që drejtohej nga 21-vjeçari Andi F., banues në Tiranë, me arsim të lartë, duke qarkulluar nga Instituti Bujqësorë drejt Paskuqanit, ka aksidentuar këmbësoren Mereme S., 82 vjeçe. E moshuara ka rënë në kanal dhe në momentin që drejtuesi i mjetit ka qenë duke i dhënë ndihmë së aksidentuarës për ta nxjerrë nga kanali, është rrëzuar edhe vetë në kanal. Kalimtarë të rastit kanë ndërhyrë menjëherë për t’u dhënë ndihmën e parë dy personave duke i transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, nga ku mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndaj 21-vjeçarit nisën hetimet në gjendje të lirë për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Arrestohen dy të rinj, rrëmbyen për disa orë një studente në universitet
Dy të rinj kanë rrëmbyer për disa orë një studente në Universitetin e Shkodrës, por falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë, 19-vjeçarja ka arritur të dalë nga kthetrat e tyre. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se kanë arrestuar në flagrancë, rreth orës 17:00 shtetasit Aleks Lala, 23 vjeç, lindur në fshatin Mnelë të komunës së Vig-Mnelës dhe banues në Tiranë, si dhe shtetasin Emiljano Bushi, 24 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë. Sipas tyre, “këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur dhe kanë marrë forcërisht, duke e hipur në automjetin tip “Audi A 8”, me targa TR 6010 S, në pronësi të shtetasit Aleks Lala, shtetasen M. M., 19 vjeç, lindur dhe banuese në Mirditë, aktualisht studente pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Zëdhënësja e Policisë sqaron se me të marrë informacionin, është organizuar puna për kapjen e dy autorëve pikërisht në kohën që ata po largoheshin me automjet. “Nga ana jonë u kryen të gjitha veprimet procedurale dhe materialet iu kaluan prokurorisë së rrethit për veprat penale të ‘heqjes së paligjshme të lirisë, e kryer në bashkëpunim’ dhe ‘kanosjes’, - thonë burimet zyrtare të policisë.
Aksidenton 55-vjeçarin, prangoset pasi u largua nga vendngjarja
Një drejtues mjeti, pasi ka aksidentuar për vdekje një shtetas 55-vjeçar, është larguar nga vendngjarja, por ai është arrestuar disa orë më vonë. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se dje rreth orës 16:00, u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Pal Pepaj, 43 vjeç, lindur në fashtin Kroj i Madh të komunës Shllak dhe banues në lagjen “Mark Lula”, të qytetit Shkodër. Sipas tyre, arrestimi i Pepajt u bë për arsye se të njëjtën ditë, rreth orës 07:20, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, pikërisht në vendin e quajtur Tregu i Ri, Dobraç, mjeti tip “Benz”, me targa SH 7761 C, ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasin Zenal Bruçaj, 55 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri të komunës Rrethina. Viktima po lëvizte në këmbë përgjatë rrugës kur ka marrë goditjen fatale. Pas aksidentit të ndodhur, mjeti në fjalë është larguar nga vendi i ngjarjes.
“Grupi ynë hetimor kreu veprimet e duhura në vendngjarje dhe materialet në ngarkim të shtetasit Pal Pepaj, iu kaluan Prokurorisë për veprat penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugore” dhe “largim nga vendi i ngjarjes”, - thotë zëdhënësja e Policisë së qarkut, Fatbardha Çelepia.
21 Tetor 2009