Kriza politike dhe vizat dominojne takimet e delegacionit te PE-se
Kreu i Delegacionit Parlamentar për Europën Juglindore, Eduard Kukan, deklaroi se Shqipëria është në rrugën e duhur të plotësimit të kritereve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Kukan ka vlerësuar rezultatet jashtëzakonisht pozitive të arritura nga Shqipëria gjatë kësaj periudhe në drejtim të përmbushjes së kritereve dhe standardeve të integrimit europian. Delegacioni i Parlamentit Europian ka zhvilluar dje takime me krerët më të lartë të shtetit. Çështja e liberalizimit të vizave dhe situata politike në vend ishin dy çështjet më të rëndësishme të diskutuara nga Delegacioni i Parlamentit Europian me autoritetet më të larta shqiptare. Përsa i përket situatës politike, nga takimet e djeshme të delegacionit me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli, është i përbashkët apeli i Brukselit që dialogu i nisur të vazhdojë duke i dhënë zgjidhje përfundimtare kësaj situate. Në delegacion merrnin pjesë eurodeputetë nga vende të ndryshme të BE-së, përfshirë dhe reporterja në Parlamentin Europian për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon.
Takimet
Kryeministri Berisha priti dje në një takim Delegacionin e eurodeputetëve të Parlamentit Europian të kryesuar nga eurodeputeti Eduard Kukan. Eurodeputeti Kukan tha se europarlamentarët, gjatë vizitës së tyre kanë pasur rastin të vizitojnë dhe ta konstatojnë drejtpërsëdrejti funksionimin efikas të të gjitha sistemeve për kontrollin e integruar të kufirit dhe infrastrukturës tjetër të lidhur me çështjet e migracionit në institucionet shqiptare, si dhe shprehu vlerësimin e grupit të eurodeputetëve se kërkesat teknike të Udhërrëfyesit janë plotësuar tashmë nga qeveria shqiptare. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’u paraqitur eurodeputetëve rezultatet e punës përgatitore të qeverisë në kuadër të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. “Tashmë Shqipëria ka një kontroll të plotë të integruar të kufijve”, - u shpreh kryeministri Berisha. Më tej ai theksoi se 24 pikat e kalimit kufitar janë unifikuar në sistemin TIMS, i cili funksionon me efikasitet dhe është i ndërlidhur edhe me Interpolin. Berisha tha se ky sistem kontrolli funksionon mbi parimin one-stop-shop dhe janë krijuar modelet për e-visa dhe e-lejet e qëndrimit. Gjithashtu, në takim u diskutua edhe mbi situatën në vend të shkaktuar nga bojkoti i institucioneve demokratike nga opozita.
Presidenti
Kreu i shtetit shqiptar dhe Delegacioni i europarlamentarëve ndanë të njëjtin mendim përsa i përket realitetit të qëndrueshëm në Ballkan dhe rëndësisë së bashkëpunimit politik e ekonomik mes të gjitha vendeve të rajonit, të orientuara qartë tashmë drejt integrimit në strukturat euroatlantike dhe europiane. Kukan dhe delegacioni shprehën mbështetjen e plotë dhe pa rezerva ndaj aspiratës mbarëpopullore shqiptare për t’u integruar edhe zyrtarisht në gjirin e familjes europiane dhe e siguruan kreun e shtetit se do të bëjnë çmos, pas vlerësimit dhe përmbushjes së kritereve teknike, që procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë të bëhet realitet para fillimit të pushimeve verore. Në mënyrë të veçantë, gjatë bashkëbisedimit me zotin Kukan, Presidenti i Republikës u ndal në prezantimin e situatës aktuale politike në vend. Duke shprehur besimin se partitë politike do të dinë të tregojnë vullnetin e tyre për kapërcimin e kësaj situate, presidenti Topi nënvizoi se zgjidhja institucionale e saj do t’u shërbente interesave madhore të qytetarëve shqiptarë për një të ardhme integruese në BE, një të ardhme më të sigurt dhe me prosperitet.
Kryeparlamentarja
Kreu i delegacionit, gjatë takimit me kryeparlamentaren Topalli, shprehu përshtypjet më të mira nga arritjet e vendit në plotësimin e detyrimeve teknike që lidhen më heqjen e vizave. “Ajo që pamë dje në Tiranë mbi instrumentet teknike që lidhen më heqjen e vizave, ishte shumë impresionuese për të gjithë”, - tha Kukan. Edhe eurodeputetja Fajon tha se nga muaji dhjetor Shqipëria ka arritje të jashtëzakonshme në plotësimin e kushteve teknike lidhur me liberalizimin. Në takimin me kryetaren e Kuvendit, Kukan dhe delegacioni i eurodeputetëve shprehën mbështetjen e plotë të Parlamentit Europian për heqjen e vizave për shqiptarët. “Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë heqjen e vizave pasi detyrimet teknike janë plotësuar dhe vokacioni proeuropian i shqiptarëve është një promotor zhvillimi. Asnjë individ nuk mund të pengojë arritjen e kësaj ambicieje të madhe”, - tha Topalli.
Migracioni
Europarlamentarët, gjatë vizitës së tyre, kanë pasur rastin të vizitojnë dhe të konstatojnë drejtpërsëdrejti funksionimin efikas të të gjitha sistemeve për kontrollin e integruar të kufirit dhe infrastrukturës tjetër të lidhur me çështjet e migracionit në institucionet shqiptare.
Vizat
Kukan dhe delegacioni shprehën mbështetjen e plotë dhe pa rezerva ndaj aspiratës mbarëpopullore shqiptare.
Kushtet
Eurodeputetja Fajon tha se nga muaji dhjetor Shqipëria ka arritje të jashtëzakonshme në plotësimin e kushteve teknike lidhur me liberalizimin.
23 Mars 2010