Halimi: “Maxhoranca do të presë opozitën në komisionin hetimor”
Maxhoranca do t’i japë opozitës gjithë kohën e nevojshme për të plotësuar vendet bosh në komisionin hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Deputeti Eduard Halimi, anëtar i përbërjes parlamentare të mandatuar për të hetuar këto zgjedhje, bëri dje të ditur për një media se të majtëve do t’u jepet një shans i dytë; për këtë arsye nuk ka një datë të saktë për nisjen nga puna të komisionit. "Komisioni nuk do të ngutet, komisioni ka gjithë kohën e duhur. Është shumë e rëndësishme që opozita të vijë në komision. Do presim, besoj, ditë pas dite, që anëtarët e opozitës të ulen në këtë komision, në mënyrë që të jenë të ndershëm, qoftë moralisht, qoftë edhe me elektoratin, për të hetuar transparencën që ata e kanë kërkuar me kaq ngut gjatë gjithë kësaj kohe. Do të presim që anëtarët e komisionit të vijnë; sigurisht që pastaj komisioni do jetë i detyruar të zbatojë vendimin e Kuvendit të Shqipërisë", - tha Halimi. Komisioni i kërkuar nga opozita dhe i miratuar nga maxhoranca ka në përbërje të tij 15 deputetë, të gjithë anëtarë të Komisionit të Ligjeve. Ndërkohë që Partia Socialiste ka deklaruar mosnjohjen e tij, maxhoranca do të përfaqësohet nga Rusmali, Gumi, Halimi, Trashani, Paloka, Naço dhe Alibeaj.
Festa e Bektashinjve, Berisha: “Kjo është dita ku nderohet sakrifica, besimi te Zoti”
Kryeministri Berisha uroi dje të gjithë besimtarët bektashinj me rastin e Festës së Sulltan Nevruzit. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, kryeministri Berisha zhvilloi dje në mesditë një vizitë në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, ku u takua me kreun e kësaj selie, Haxhi Dedë Reshat Bardhi. “Në tërë historinë e kombit shqiptar 22 Marsi është një nga datat më të ndritshme, është një nga festat më të mëdha, është dita e ngadhënjimit të njëhershëm të vlerave hyjnore dhe njerëzore së bashku. 22 Marsi është Dita e Sulltan Nevruzit, kësaj dite të shenjtë, frymëzuese për mbarë bektashinjtë shqiptarë dhe mbarë besimtarët e Zotit”, - u shpreh Berisha, duke vlerësuar se “kjo është një ditë në të cilën nderohet sakrifica, mirëkuptimi, nderohet toleranca, besimi te Zoti dhe e ardhmja. Shqiptarët kanë te bektashizmi dhe një shtysë të doktrinës së tyre të shqiptarësisë, pasi themeluesit e Rilindjes Kombëtare dihet se ishin bektashinj. Bektashinj të të gjitha kohërave janë gjetur në anën e Zotit, të kombit dhe të vendit”.
23 Mars 2010