Kriza politike në Maqedoni, Feith: Pres zhvillime pozitive

Drejtuesi i ish-Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO) dhe njëri nga protagonistët e çarmatimit të UÇK-së në konfliktin e vitit 2001 Piter Feith, ka theksuar se pret zhvillime pozitive në Maqedoni pas tensioneve të fundit që janë reflektuar brenda partnerëve të koalicionit.
“Është e saktë se ka disa tensioneve brenda koalicionit, por vlerësoj se situata në Maqedoni mbetet pozitive dhe pres zhvillime pozitive në të ardhmen”, deklaroi Feith, në një fjalim të tij në Universitetin “Xhons Hopkins” në Uashington me temën për Kosovën dhe pas heqjes së pavarësisë së mbikëqyrur.
Ai ka shtuar se së fundi ka pasur një takim me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti ku kanë biseduar për zhvillimet më të fundit politike, por ku ka bërë apel edhe për zhvillime pozitive të ngjarjeve në Maqedoni.
Feith ka theksuar se si ndërmjetësues i disa krizave, kryesisht ato me shqiptarët, në konfliktet në Luginën e Preshevës dhe konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, nuk është udhëhequr nga ndonjë axhendë kombëtare.
“Unë nuk do të thoja se jam luftëtar i nacionalizmit shqiptar, por kam qenë vetëm një ndërmjetës dhe kam punuar me bashkësitë shqiptare për të kthyer stabilitetin dhe prosperitetin në Maqedoni, Serbinë Jugore dhe Kosovë. Nuk kam pasur ndonjë agjendë të posaçme dhe mendoj se kemi qenë të suksesshëm, për shkak se kam pasur besimin e të gjitha komuniteteve dhe ato kanë plotësuar detyrimet e tyre”, theksoi ai.
Sipas tij, akoma janë në implementim e sipër Marrëveshja e Ohrit, Plani i Ahtisarit dhe Marrëveshja e Konçulit në Luginën e Preshevës.
Duke folur për Kosovën, diplomati i lartë holandez ka theksuar e ndarja nuk është opsion, edhe pse ndonjëherë ai thotë se mendon vazhdimisht se ky propozim ruhet në sirtar nga Beogradi. “Ndarja eventuale do të ishte një opsion fatkeq, për shkak se thellësisht do të destabilizonte Ballkanin, përfshirë Maqedoninë dhe Bosnjë Hercegovinën”, ka deklaruar Feith.