E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kujtim të Ramadan Sokolit

Sot, Ramadan Sokoli duhet të festonte 90-vjetorin e lindjes. Etnomuzikologu u nda nga jeta, duke lënë pas një punë themeluese në fushën e muzikologjisë. Sokoli rivjen në kujtimet e një prej miqve të tij

Unë nuk e dija se ai vuante nga sëmundja e lartësisë. Këtë ai ma tha kur ne kishim zbritur nga avioni i linjës Tiranë – Vjenë dhe po ecnim të përhumbur për të dalë nga aeroporti i Vjenës... Pastaj, ndërsa udhëtonim me shoferin e heshtur sllovak nëpër paramuzgun e tokës austriake dhe pritëm vetëm pak çaste për të kaluar në Sllovaki, unë prapë e pyeta për sëmundjen e çuditshme të lartësisë. Profesor Ramadan Sokoli më foli për këtë sëmundje, llojet e saj, simptomat e para, ankthin që ndien i sëmuri kur ngjitet në lartësitë malore ose kur udhëton me avion apo për raste të tjera për ata, që banojnë në katet e larta të pallateve shumëkatëshe. Mbaj mend Moza Sofronin, që dëgjonte e habitur dhe shoferin e heshtur nga Bratislava, që edhe ai herë–herë vështronte i habitur profesor Sokolin. Jashtë vazhdonte i njëjti paramuzg si në tokën austriake, që e kishim lënë prej kohësh pas, ndërsa unë u riktheva disa orë prapa, atëherë kur avioni ishte ndoshta në lartësinë maksimale. E ndërsa unë vështroja nga xhami i vogël retë e bardha poshtë nesh dhe tokën, befas ndjeva se profesori i nderuar diçka kërkonte. Ndoshta kërkon ndonjë ilaç, tha Moza Sofroni duke hapur çantën e madhe të tij. Por profesori nuk kërkonte ilaçe. As libra apo ligjëratën e përgatitur në Tiranë. Moza Sofroni ma kaloi mua çantën dhe, kur ajo bëhej gati t’i thoshte stjuardesës së bukur për ndihmën e ndonjë mjeku, unë nxora nga çanta magnetofonin e vogël. Atëherë profesori me shenja kërkoi kufjet e kur i vuri ato në vesh, u shtriq lehtë. Ai po dëgjonte muzikë. Më në fund, thashë me vete duke parë fytyrën e tij, që nga ngjyra e verdhë nisi dalëngadalë të bëhej e kuqërremtë. Edhe vështrimi i syve nuk ishte më ai i mëparshëm. Ata befas ishin gjallëruar. Unë e dija se ç’dëgjonte Ramadan Sokoli në lartësinë tre ose katër mijë metra...Ai dëgjonte himnin “TE DEUM LAUDAMUS” të muziktarit ilir Niketë Dardani dhe zërin engjëllor të durrsakut Jan Kukuzeli ... Ilaçi për sëmundjen e çuditshme të lartësisë ishte gjetur. Ishte një ilaç qiellor, që do të habiste të gjithë mjekët e globit. Dhe nuk e di pse m’u kujtuan ninullat tona dhe fëmijët që pushonin të qarat me t’i dëgjuar ato. Pastaj m’u kujtua një këngë e trishtuar çame dhe zëri i dhimbshëm i një vajze të re që dermanin e gjen jo tek “jatroi”, por tek kënga. M’u kujtua edhe një rrëfim i mjeshtrit të prozës shqipe, Mitrush Kutelit, ku flet për krahët e erës dhe këngës. Dhe duke vështruar nga lartësia gërmadhat e reve, thashë nëpër dhëmbë fjalët e Biblës: “E para ishte FJALA”. Jo fjala, shtova. Jo fjala. E para ishte MUZIKA. Sepse aroma e tingullit është diçka tjetër nga ajo e fjalës: Tingulli ka aromën e qiellit dhe të shpirtit hyjnor. Tingulli muzikor është diçka përtej shpirtit, përtej asgjësë, përtej jetës dhe vdekjes, përtej asaj që nuk e sheh syri dhe nuk e shkruan dot fjala...

... Kishte rënë muzgu, kur kaluam Danubin e Shtrausit të madh. Mbaj mend se ishin fillim ditët e majit të vitit 1996 dhe ne po shkonim për të marrë pjesë në tubimin paneuropian të kulturës që u zhvillua në Bratislava të Republikës së Sllovakisë. Ministri i atëhershëm i Kulturës, kulturënxitësi dhe dashamirësi i krijuesve shqiptarë, shkrimtari Teodor Laço, prof. Ramadan Sokolin e kishte ngarkuar të përfaqësonte Shqipërinë në tubimin e rëndësishëm të Bratislavës. Miku im, Teodor Laço kishte bërë zgjedhjen e duhur: në atë tubim ligjërata e prof. Sokolit u prit me interes të veçantë dhe gjatë gjithë ditëve të qëndrimit atje, ai vazhdimisht ishte në shoqërinë e studiuesve me emër të Europës.

* * *

Ramadan Sokoli është diturak i thellësive të kulturës shqiptare dhe i majave të larta të saj. Ai ka synuar lartësitë. Edhe kur të tjerët kanë dashur ta shohin të zvarritet, Ramadan Sokoli ka hedhur vështrimin lart, duke sfiduar burrërisht tallazet e kohës. Ai nuk ka heshtur, kur të tjerët kanë dashur t’i mbyllin gojën apo t’i pengonin diellin, duke e mbyllur në qelitë e errëta. “Nganjëherë, shkruan para disa vitesh ai, kur kthej kokën e kundroj mendueshëm tërë rrugëtimin tim të vështirë e plot përpjekje për t’iu ngjitur Kalvarit, duke synuar vetëm drejt e me qëllim të lartë, të ndier thellë brenda vetvetes, porsi një detyrim të ndërgjegjshëm larg përfitimeve vetjake, nuk më hyjnë fare në sy titujt dhe gradat shkencore. Nëse kurora me gjethe dafine është stoli apo simbol lavdie, e them troç se asnjë kurorë e tillë nuk i shpërblen dot flijimet vetëmohuese dhe luftën me fuqitë e errësirës”. Ai i ka kushtuar jetën botës magjike të tingujve muzikorë. Duke zhvendosur epokat e shtyrë mjegullat e kohërave, Ramadan Sokoli ka depërtuar në rrënjët e etnokulturës shqiptare, në rrënjët dhe aromën e tingullit shqiptar. Me të drejtë, studiues dhe dashamirës të tij, kanë nënvizuar faktin e pamohueshëm, se prof. Sokoli është themeluesi i muzikologjisë shqiptare. Veprat madhore si: “Folklori Muzikor Shqiptar” (Morfoligjia), “Gjurmime Folklorike”, “Vallet dhe muzika e të parëve tanë”, “Figura të ndritura”, “Këngët patriotike”, “16 shekuj”, “Figura e Skënderbeut në muzikë”, artikujt e shumtë në shtypin shkencor brenda e jashtë vendit ose tekstet dhe programet mësimore të hartuara prej tij, përbëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm për kulturën shqiptare. Prof. Ramadan Sokoli me punën e tij të gjatë kërkimore, siç rrëfente edhe vetë, ka provuar befasinë, drithërima kënaqësie e ngazëllimi, kur pas shumë përpjekjesh e përsiatjesh ka saktësuar një datë, ka zbërthyer një nyje të ngatërruar e sidomos kur ka mbërthyer ndonjë figurë që dukej si e pakapshme, sikur kridhej nëpër mjegullnaja. Dhe falë kësaj pune këmbëngulëse, shqiptarët kanë mundësinë të njohin në veprën e profesorit personalitete të tilla të nivelit europian, si Niketë Dardani, Jani Kukuzeli, disa muzikëtarë arbër, skulptorë dhe arkitektë arbër në Dalmaci apo të tjerë që kanë punuar në Italinë e Veriut, si Leonikë Tomeu, Marin Biçikemi, Maksim Artioti e deri në emrat e shquar të arkitektëve shqiptarë në Turqi etj., etj. Ramadan Sokoli është i njohur edhe si muzikëtar. Këngët popullore të përpunuara prej tij ose rapsoditë e shumta janë një kontribut jo i vogël në muzikën shqiptare. Sot, datë që duhet të shënonte 90-vjetorin e tij të lindjes, ai nuk i dëgjon të gjitha këto që themi e shkruajmë, por për të duhet folur.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›