E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një libër për tenorin dramatik Xhoni Athanas



Promovimi i librit “Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti”, i trajtuar në një vëllim publicistik nga gazetari Anxhelo Xhaçka, bashkon disa breza artistësh në një aktivitet që organizohet sot paradite në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Me këtë rast do të sillen dhe një herë në kujtesën e të gjithëve nëpërmjet fotove, filmimeve, këngëve e kujtimeve, vitet e karrierës së shkëlqyer të mjaft artistëve veteranë, mes të cilëve bën pjesë edhe tenori dramatik Xhoni Athanas. I lindur në Brokton të Masaçusets, më 4 nëntor të vitit 1925 ai e kaloi fëmijërinë e tij në fshatin Grapsh të Devollit, por talenti që ra menjëherë në sy e detyroi djaloshin të zbriste në qytetin e Korçës. Leksionet e para tenori i ardhshëm i mori nga profesori i muzikës Spiro Konda, përvojë e cila u thellua më tej gjatë pjesëmarrjes me grupin “Lira” dhe njohjen me kompozitorin Kristo Kono. Në vitin 1949 Xhoni e la Korçën për t’iu bashkëngjitur Korit të Ushtrisë së krijuar nga Gaqo Avrazi, i cili me personalitetin dhe autoritetin e tij, grumbulloi rreth vetes artistët më të mirë të vendit. Tre vite më pas Xhoni i drejtohet Moskës për t’u regjistruar në konservatorin “Çajkovski”, në klasën e studentëve të cilët u quajtën të preferuarit e profesorit Aleksandër Poturinit (një nga solistët kryesorë bas-bariton në “Balshoi Teatër” në Moskë). Me kalimin e viteve jeta koncertale e artistëve shqiptarë evidentoi vlerat e saj në shumë drejtime. Duke ndërruar çdo javë skenat e shfaqjeve dhe duke kënduar në të dy gjuhët, Xhoni dhe shokët e tij u bënë mjaft të njohur pothuajse në të gjitha republikat e një shteti me shtrirje në dy kontinente. Madje, në Moskën e vitit 1957, në konkurrimin e solistëve lirikë nga e gjithë bota, personaliteti botëror i muzikës, tenori italian Tito Skipa, i dhuroi shqiptarit Xhoni Athanas medaljen e argjendtë. Po atë vit, me medaljen në gjoks dhe diplomën në xhep, “këngëtari operistik e koncertal” u përshëndet me Moskën dhe iu drejtua Tiranës për t’iu bashkëngjitur trupës së Teatrit të Operas dhe Baletit. Karriera që nisi këtu, në aspektin zyrtar i kapërcen 16 vite, por atyre u shtohen edhe dy dekada të tjera, pasi “Artisti i Merituar” Xhoni Athanas nuk i ndërpreu lidhjet me skenën edhe kur u emërua pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve. Duke shfletuar repertorin e tij, ndeshesh me një botë të madhe shpirtërore, me lirikën e dramatikën e tenorit që shtrihet në dhjetëra role e varion në qindra shfaqje, për t’u shpërndarë në mendjet e zemrat e mijëra artdashësve të skenës klasike, muzikës së lehtë e asaj popullore. Me zërin e tij të bukur, të plotë e harmonioz, duke u shfaqur sa lirik, aq edhe tragjik, sa romantik e sentimental, po aq edhe në planin komik, ai kristalizoi tipin, karakterin dhe personalitetin e tij në skenë. Mjafton të kujtojmë disa role, si ai i Dodës te “Mrika”, i Sazanit te “Pranvera”, i Dhimitrit te “Lulja e kujtimit”, kuestorin e “Heroinës” apo Bash Murgjinin e “Boranës”, për të vijuar me Shonarin, djaloshin aristokrat Edvini, Don Bazilion, Manrikon, Borsën, paliaçin Kanio, Otellon etj. Por, i fiksuar në kujtesën e të gjithëve është “Skënderbeu” i Prenk Jakovës, rol i cili e ngriti tenorin dramatik në piedestalin e arritjeve skenike, pasi ai diti të krijojë një figurë të Gjergj Kastriotit, të studiuar aq mirë, sa kur vinte përkrenaren, pelerinën dhe shpatën, dukej si një Skënderbe i vërtetë. Gjatë viteve të karrierës së tij, Xhoni ka udhëtuar nga njëri kontinent në tjetrin për të kënduar në mjaft shtete, si në Jugosllavi, Rumani, Bullgari, Hungari, Rusi, Ukrahinë, Kirgistan, Uzbekistan, Taxhikistan, Turkmenistan, Bjellorusi, Lituani, Letoni, Estoni, Kinë, Mongoli, Vietnam etj. E nisi fillimisht me një këngë kineze kur bënte pjesë në Ansamblin e Ushtrisë, por më pas do të këndonte në rreth 15 gjuhë të huaja. Kudo ku shkoi u cilësua nga media dhe artdashësit si një këngëtar me zë fuqishëm dhe shumë komunikues me spektatorin. Pas viteve ‘90 tenori Athanas, bashkëshortja e tij, balerina Sekine Sharofi dhe vajzat, Mirela e Edlira (njëra pianiste, tjetra balerinë e talentuar), udhëtuan drejt Shteteve të Bashkuara. Shumë shpejt Xhoni u bë i njohur jo vetëm brenda komunitetit shqiptar, por edhe atij rus, grek, italian dhe hebre të Masaçusets. I kudoftuar mes atdhetarëve, shqiptaro-amerikani Xhoni Athanas është njeriu që diti t’i bashkojë të gjithë me këngën e tij. Pikërisht kjo jetë aktive e mbushur me interpretime skenike, arritje dhe vlerësime që përmblodhëm në pak rreshta jepet me detaje në librin “Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti”.

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›