E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artizanati, mbrojtje me ligj



Petrika GROSI
Artizanati, puna e dorës, zejet tradicionale janë pa dyshim tiparet kryesore të identitetit kulturor të një vendi dhe rrjedhimisht ato përbëjnë një prioritet për t’u mbrojtur nga politikat kulturore dhe MTKRS-ja në veçanti. Të paktën kjo lihet të kuptohet nga prononcimi i djeshëm i bërë nga zv.ministrja e Turizmit dhe Kulturës, Suzana Turku, në mbledhjen për diskutimin e projektligjit “Për artizanatin”. Ky ligj pritet që të rregullojë ushtrimin, organizimin, mbështetjen dhe shkollimin profesional të sektorit të artizanatit, ndërkohë që ka për qëllim, siç vetëshprehet në nenin e tij të parë “nxitjen e zhvillimit të artizanatit duke garantuar kushtet për evidentimin e shpirtit të sipërmarrjes, mbrojtjen e interesave të artizanëve dhe të konsumatorëve të produkteve e shërbimeve të artizanatit”. Ligji trajton po kështu dhe vendos kushte për marrjen e titullit mjeshtër dhe çirak, ndërmarrje artizanale, trashëgimin e profesionit etj. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, artizanët ekzistues vazhdojnë veprimtarinë sipas mënyrës dhe kushteve që kanë qenë të vlefshme në çastin e fillimit të veprimtarisë. Sa u përket artizanëve që kanë ekzistuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji janë të detyruar që të përshtatin organizimin dhe veprimtarinë e tyre sipas dispozitave të ligjit në një afat 5-vjeçar pas miratimit të tij nga legjislativi. Për ata artizanë që nuk do të përshtaten me dispozitat e këtij ligji të ri do të bëhet çregjistrimi nga regjistrat e Dhomës së Artizanatit të Qarkut dhe Dhomës Kombëtare të Artizanatit, të cilat do të jenë dy organet ndërmjetëse mes artizanëve dhe shtetit. Sipas znj. Turku, artizanati pritet që si një specifikë e veçantë të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të rajoneve të veçantë shqiptare. Kjo vjen pasi interesi më i madh i turistëve që vizitojnë vendin tonë shfaqet ndaj qendrave historike, monumenteve të kulturës, traditës, folklorit dhe punimeve të prodhuara me punë dore. “Është pikërisht ky interes që vjen nga një numër turistësh në rritje dhe larmia e madhe e këtij produkti shoqëruar me cilësitë artistike dhe estetike të tij, që na bën edhe më të ndjeshëm dhe të vëmendshëm ndaj këtij sektori”, – shprehet zv.ministrja Turku. Ajo shpjegon më tej se “të nxitur nga fakti se ky sektor përbën një potencial në zhvillimin ekonomik të rajoneve, qeveria shqiptare, përmes disa aktorëve të interesuar drejtpërdrejt, që janë edhe këtu të pranishëm, ka ndërmarrë nismën për hartimin e këtij projektligji, i cili, në fakt, vjen në një kohë kur në vendet e zhvilluara, tendencat e këtij zhvillimi kërkojnë përdorimin në masë të teknologjive sa më të avancuara, ndaj ky projektligj merr një valencë të veçantë, pasi krijon terrenin për të nxitur dhe zhvilluar punën e dorës”. Duke parë projektligjin bien në sy përcaktime në disa nene të tij, për të cilat hartuesit u janë referuar ligjeve dhe përvojës perëndimore, siç janë ato gjermane e italiane. Le të shpresojmë që projektligji “Për artizanatin” të jetë i dobishëm dhe i zbatueshëm në mënyrë që të justifikojë ekzistencën dhe synimin e tij.

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›