Provimi i shtetit, nisin më 15 shtator regjistrimet
Nisin më 15 shtator regjistrimet për të marrë pjesë në provimin e shtetit. Të gjithë praktikantët që dëshirojnë dhe plotësojnë kërkesat për të kryer provimin e shtetit në apelin e parë, i cili do të zhvillohet në 15-ditëshin e fundit të muajit nëntor 2011, janë të detyruar të paraqiten pranë urdhrave profesionalë përkatës, për të kryer regjistrimin për provimin e shtetit. Sipas afateve të vendosura nga Ministria e Arsimit, regjistrimet fillojnë në datën 15 shtator 2011 dhe do të përfundojnë në datën 15 tetor 2011.
Sipas rregullores së miratuar nga MASH “Për organizimin e provimeve të shtetit për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, kandidati regjistrohet për të dhënë provimin e shtetit pas diplomimit, pranë Urdhrit Profesional (UP) ose në mungesë të UP-së, pranë autoritetit kompetent përkatës. “Kërkesa për regjistrim bëhet me shkrim. Kërkesa, e shoqëruar me dokumentacionin e kërkuar për regjistrim dorëzohet jo më vonë se një muaj para datës së përcaktuar për zhvillimin e provimit. Lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret për të kryer provimin e shtetit dërgohet nga UP-ja në MASH, pas konfirmimit nga ministria përkatëse, brenda 15 ditëve nga përfundimi i regjistrimeve”, - përcaktohet në rregullore. Sakaq, në të saktësohet se pjesëmarrja në provimin e shtetit, me shkrim ose me gojë, lejohet vetëm nëse kandidati ka marrë provimin e diplomës universitare, të parashikuar në ligjin nr.9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Regjistrimi
Regjistrimi do të bëhet duke paraqitur dokumentacionin e mëposhtëm: formulari i aplikimit; fotokopje e letërnjoftimit; fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare e kërkuar nga autoriteti kompetent për profesionin respektiv; fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës e lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë; dëshmia e pjesëmarrjes në praktikën profesionale (ose fotokopje e noterizuar e saj), e lëshuar nga nga urdhri profesional (UP) ose në mungesë të UP-së, nga autoriteti kompetent për kryerjen e praktikës, ku përcaktohet edhe kohëzgjatja. Për kandidatët e programeve të studimeve në mjekësi, stomatologji, farmaci, infermieri, mami dhe fizioterapi kërkohet edhe dëshmia e kursit të ndihmës së shpejtë; raporti mjeko-ligjor; dëshmi penaliteti; vërtetim nga Prokuroria që nuk është në ndjekje penale; fatura e pagesës për provimin e shtetit; 2 fotografi të formatit të pasaportës. Dokumentacioni i mësipërm dorëzohet vetëm në regjistrimin e parë dhe shërben edhe për regjistrimet pasardhëse, në rast përsëritjeje të provimit të shtetit. Ndërkaq, nëse ekzistojnë fakte që justifikojnë refuzimin e kandidatit për shkak të mungesës apo pavlefshmërisë së njërit prej kritereve të parashikuara në rregullore, atëherë autoriteti kompetent ka të drejtë të kërkojë dokumente shtesë. Sipas rregullores MASH, provimi i shtetit realizon garancitë publike për përgjegjësitë, që sjell ushtrimi i një profesioni të rregulluar, dhe kryen testimin e njohurive të kandidatit, që aspiron ushtrimin e një profesioni të rregulluar, duke siguruar uniformitet në vlerësimin e kandidatëve, në nivel kombëtar, përmes verifikimit të aftësive të nevojshme profesionale, sipas specifikave të çdo profesioni. Përmbajtja e provimit të shtetit hartohet në përputhje me fushën e veprimtarisë profesionale. Pas përfundimit me sukses të provimit të shtetit, kandidatit i jepet titulli profesional përkatës. Provimit të shtetit, për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit do t’i nënshtrohen ata kandidatë që i kanë përfunduar studimet në degë që janë profesione të rregulluara me ligj. Bëhet fjalë për të gjithë studentët e diplomuar në: Farmaci, Mjekësi, Stomatologji, Infermieri, Mami, Fizioterapi, Veterineri, Arkitekturë, Inxhinieri, Mësuesi, si dhe në disa degë të tjera që ofrojnë shërbime për popullatën, që për të marrë një licencë si profesionist, duhet të kalojnë me sukses këtë testim.
Dokumentet e regjistrimit
Kërkesa me shkrim.
Formulari i aplikimit.
Fotokopje e letërnjoftimit.
Fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare e kërkuar nga autoriteti kompetent për profesionin respektiv.
Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës e lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë.
Dëshmia e pjesëmarrjes në praktikën profesionale (ose fotokopje e noterizuar e saj), e lëshuar nga UP-ja ose në mungesë të UP-së, nga autoriteti kompetent për kryerjen e praktikës, ku përcaktohet edhe kohëzgjatja. Për kandidatët e programeve të studimeve në mjekësi, stomatologji, farmaci, infermieri, mami dhe fizioterapi kërkohet edhe dëshmia e kursit të ndihmës së shpejtë.
Raporti mjeko-ligjor.
Dëshmi penaliteti.
Vërtetim nga Prokuroria që nuk është në ndjekje penale.
Fatura e pagesës për provimin e shtetit.
Dy fotografi të formatit të pasaportës.