Kriza shqiptare - Kultura e dialogut
Nga Ndue Ukaj
Në përditshmërinë shqiptare, duke u nisur nga politika, e cila qëndron në majat e të këqijave, pastaj tek strukturat e tjera shoqërore, akademitë dhe institutet e ndryshme, deri tek elitat e mediat, shohim se nuk eksiton madje asnjë fushë ku të arrijmë të përbashkohemi rreth të mirave të përbashkëta, duke i harruar cenet e caktuara dhe të metat e ndryshme, që mund të na diktohen prej çfarëdo faktorësh.
Kriza shqiptare, të cilën e përjetojmë, edhe sot e gjithë ditën, ka ndërlidhje të pashmangshme, mbase në disa aspekte esenciale, me dimensionet tona historike, qytetëruese, shpirtërore dhe natyrshëm në këtë arenë hyjnë mungesa e dialogut parimor e të brendshëm, që për pasojë ka sjellë humbjen e besimit në të ardhmen, dvarrjen e idealeve deri në shkallmim. Mungesa e ndjenjës së bashkëpunimit është një ndër faktorët që përbën pengesë të madhe, që po e trondit edhe sot e gjithë ditën kombin tonë dhe po e pengon të ecë në rrugën e përparimit, krahas kombeve të tjera të qytetëruara, për të përmbyllur kapitullin e vajtimit të tipit që shkruante poeti Pashko Vasa, me vargun rrëqethës e me status të veçantë tragjiciteti: “O Moj Shqypni, e mjera Shqypni”.
Cenet, paragjykimet dhe shpirtngushtësia, në të vërtetë, “të pesë anarkitë tona” të cilat i identifikonte me një dije - analizë të veçantë e lakonike Fan Noli, brenda një strumbullari të larmishëm, të përkufizuar si: anarkia fetare, anarkia kulturore, anarkia morale, anarkia patriotike, anarkia e idealeve, në fakt, janë identifikimi i të pesë pengesave që janë sforcuar deri në paradigma për të tashmen dhe të ardhmen. Këto plagë apo anarki, si të këtilla, edhe pas shumë decenieve, janë diga të fuqishme që na pengojnë t’i flakim tutje cenet tona, paragjykimet dhe shpirtngushtësinë, kundrejt idealeve dhe të mirave të përbashkëta, për të sforcuar moralin e mirëbërësisë (Branko Merxhani), moral që duhet të ndërlidhet me mendimin dhe veprimin sistematik. Këto anarki, të ndërlidhura edhe me sindromën e filozofisë së brohoritjeve dhe duartrokitjeve të pakontrolluara, na kanë sjellë para një gjendjeje anarkiste, edhe në fillimet e shekullit XXI, kur besohej se çështja shqiptare do të përmbyllej me jetësimin dhe sendërtimin në plotëni të projekteve nacionale të nisura me shekuj.
Për mungesën e idealit, shkruante edhe dijetari i viteve tridhjetë, Lumo Skëndo në shkrimin “ǒna mungon? ǒduhet të kemi?”, po ashtu sikur Noli, një ndër plagët tona sheh mungesën e idealit. Ky dijetar shkruan: “Një popull nuk rron dot pa ideale, pa një shtytje, pa një qëllim që e bën të ecë, të përpiqet dhe të përparojë”.
Idealet duhet të ushqehen nga qëllime të mira dhe të përbashkëta. Një gjë e tillë, nuk ndodh te ne. Në të kundërtën, shoqëria jonë formësohet në kontraste të fuqishme, mes dimensioneve civilizuese, të cilat konfrontohen mes perëndimorëve dhe lindorëve, mes gegëve dhe toskëve, mes qytetarëve dhe katundarëve, mes të djathtëve dhe të majtëve, mes këtij dhe atij etj. Si rezultat i këtyre divergjencave, nuk kemi arritur të ndërtojmë kompromise për asnjë aspekt të rëndësishëm nacional: shqiptarët, varësisht nga vendi ku jetojnë, ndryshe e konceptojnë problemin tashmë ekzistues të gjuhës shqipe; shqiptarët ndryshe e konceptojnë dhe e vlerësojnë historinë e tyre; shqiptarët ndryshe e konceptojnë letërsinë e tyre; shqiptarët ndryshe e shohin të ardhmen e tyre; shqiptarët pikë e pesë, nuk kanë arritur sot e gjithë ditën të bëjnë një kompromis, madje as për të shkruar një histori të letërsisë, të historisë etj. Në këtë konglomerat problemesh, nuk mund të mohohet se fajin kulmor e ka politika, por këtu nuk mund të justifikohen as elitat intelektuale, shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët, gazetarët, etj., të cilët nuk kanë ndërmarrë asnjë përpjekje dashamirëse, qëllimmirë për të ardhur deri te një kompromis unik, për çështjet e rëndësishme për moderimin e kombit.