Patozi: Rama të dalë nga skuta e bashkisë
Kandidati për deputet i PD-së në Qarkun e Vlorës, Astrit Patozi, kërkon votat e vlonjatëve për vazhdimin e sfidave të tjera nën qeverisjes e PD-së. Gjatë takimeve të djeshme elektorale në këtë qark, Patozi përmendi disa nga arritjet kryesore të qeverisë që rritën standardet e jetesës së shqiptarëve dhe u ndal tek prioritet e tjera të saj gjatë mandatit të ri qeverisës. Ai garantoi se përfundimi i rrugës së Bregut, i rrugës Levan-Vlorë, i asaj Levan-Tepelenë, i rrugës Delvinë-Kardhiq, i asaj Qafë Botë- Sarandë do të ndiqen nga një vërshim i ri investimesh për të lidhur me asfalt çdo komunë dhe fshat të këtij qarku, gjatë katër viteve që vijnë. “Gjatë mandatit tonë të dytë, ne do të çojmë ujin e pijshëm në çdo fshat dhe do të ndërtojmë nga e para apo rikonstruktojmë çdo shkollë në Qarkun e Vlorës”, - deklaroi z. Astrit Patozi. Ai ftoi kreun e PS-së, që të dalë nga skuta e bashkisë dhe të futet në garë. “Rama ka gjetur si shpëtim që të sigurojë kokën e vet në vendstrehimin e bashkisë. Le të vijnë ata në sheshin e Flamurit dhe në sheshet e tjera të qyteteve kryesore të Shqipërisë. Por ata u tremben atyre, jo vetëm nga frika se dikush mund t’i numërojë dhe do të dalin zbuluar se sa pak kanë mbetur, por më shumë ngaqë e kanë të vështirë t’u dalin përballë vlonjatëve dhe qytetarëve të tjerë të Shqipërisë”, - deklaroi z. Patozi.