Beteja e modeleve
Nga Nebil Çika
Gara elektorale po konturohet gjithnjë e më shume si një përplasje apo një betejë të modeleve qeverisëse që ofrojnë dy forcat kryesore politike përpara elektoratit shqiptar. Elektorati shqiptar ka përpara dy modele, qartësisht të ndryshme nga gjykimi mbi të cilin pritet të orientohet në votën e tij në 28 qershor. Modeli “Berisha” që përmbledh konceptin e tij politik e qeverisës të këtyre katër viteve, arritjet, reformat si dhe projektin e ardhshëm politiko-elektoral. E njëjta gjë është edhe për shefin e opozitës, Edi Rama, që fatmirësisht, si kryetar i bashkisë së kryeqytetit ka pasur mundësinë të ekspozojë në praktikë modelin e tij qeverisës, të cilin e ka ofruar edhe si model për qeverisjen e vendit. Krahasimin midis dy modeleve e kanë më të lehtë ta kuptojnë ata që jetojnë në Tiranë, pasi kanë mundësinë praktike për të gjykuar mbi modelin “Rama”, pasi përballen çdo ditë me të. Modelet natyrisht që vlerësohen e gjykohen nga arritjet apo suksesi i tyre gjë që me mire se kushdo e vlerësojnë individët apo komunitetet që qeverisen prej tyre. Duhet thënë se mundësitë e z. Rama për të performuar modelin e tij kanë qenë shumë më të mëdha se ato të Berishës. Rama ka favorin e qeverisjes të një territori të vogël siç është Bashkia e Tiranës përballë territorit që ka marrë përsipër të qeverisë Berisha. Mundësitë për qeverisje të Tiranës janë absolutisht më të mëdha se ato të Shqipërisë si pasojë e grumbullimit në kryeqytet të vlerave kryesore ekonomike, financiare, infrastrukturore dhe sidomos atyre intelektuale. Me pak fjalë, z. Rama ka pasur çdo mundësi për të realizuar modelin e tij qeverisës, gjë që përjashton çdo justifikim subjektiv përballë gjykimit ndaj tij të elektoratit. Ndërkohë që Berisha nuk ka pasur mundësinë apo komoditetin e z. Rama për dhjetëra arsye, që nga gjendja që trashëgoi nga qeveria paraardhëse e deri tek opozita e vazhdueshme destruktive e së majtës. Duhet thënë se modeli “Rama” u konsiderua “i suksesshëm” gjatë qeverisjes së PS-së, kur ai manifestoi i mbështetur fort financiarisht ndryshimin në pamjen e jashtme( fasadën) ndryshe nga qeveritarët bashkëpartiakë të tij. Lustra politike dhe administrative e aplikuar si model nga z. Rama krijoi idenë e një diference me qeverisjet e dështuara të PS-së, gjë që u përkthye nga elektorati si një ndryshim. “Suksesi” i atëhershëm e Ramës u arrit edhe për faktin se ai konkurronte i vetëm përballë një qeverisjeje pa model të së majtës, gjë që çoi në inercinë e tri mandateve rresht në qeverisjen e kryeqytetit. Me pak fjalë, një model sado i keq ishte më mirë se asgjëja që ofronin në qeverisjen kombëtare socialistët e tjerë. Për të bërë krahasimin natyrisht që duhen dy palë. Dalja në dritë e modelit “Berisha” pas fitores së zgjedhjeve në vitin 2005 përveç të tjerave solli edhe mundësinë e elektoratit shqiptar për t’u njohur edhe me një model tjetër politik e qeverisës një mundësi e jashtëzakonshme për ta krahasuar me modelin “Rama”. Natyrisht që Rama siç thashë më lart, kishte më shumë mundësi e përparësi, ndërkohë që përparësia e Berishës ishte mundësia për ta paraqitur modelin e tij para çdo shqiptari, nga Vermoshi ne Konispol. Në kohë rekord, modeli “Berisha” filloi të injektonte te publiku idenë se ky vend mund të bëhet, të zhvillohet e të përparojë. Modeli “Berisha” solli para së gjitha shpresën. Ai tregoi se ky vend mund të kishte 24 orë drita, mund të kishte rrugë të parametrave evropianë edhe në skajet më të largëta të vendit, mund të kishte siguri kombëtare e qytetare, mund të kishte rritje ekonomike e prosperitet. Modeli “Berisha” dëshmoi gjithashtu se mund të kishte edhe një administratë të pakorruptuar, një biznes të ndershëm e konkurrues, ku shteti, në vend të taksave të larta, ofron lehtësira jo vetëm fiskale. Modeli “Berisha” dëshmoi se çdo shqiptar mund të kishte mundësinë të shkollohej pa pengesa burokratike e lista korruptive. Modeli “Berisha” dëshmoi se mund të ndëshkohesh nëse shkel ligjin, pavarësisht se je zyrtari i lartë i shtetit e i qeverisë. Mbi të gjitha, modeli “Berisha” dëshmoi se shqiptarët mund dhe duhet të ishin evropianë si të gjithë qytetarët e Evropës. Anëtarësimi në NATO dhe kandidimi për në BE janë pa dyshim simboli i suksesit të modelit “Berisha”. Por jo vetëm kaq, modeli “Berisha” po realizon ëndrrën e lëvizjes pa viza në vendet e BE-së, një zhvillim që shumë pak njerëz do të kishin guxuar ta mendonin 4 vjet më parë. Ka edhe shumë të tjera, por mendoj se këto që përmenda si karakteristika dhe efekte të modelit “Berisha” janë të mjaftueshme për të bërë krahasimin me modelin “Rama”, që pritet të gjykohet kryesisht mbi atë që ka bërë në këto tri mandate në krye të Bashkisë së Tiranës. Aktulisht, elektorati mund të gjykojë drejt mbi modelin “Rama” falë mundësisë së krahasimit me modelin tjetër. Modeli “Rama” ngjan sa i vjetruar aq edhe i dalë boje. Praktikat e qeverisjes së tij të mbështetura mbi konfliktin e interesave e praktikave klienteliste e korruptive tashmë të provuar edhe publikisht, tejkalojnë çdo efekt të lustrës apo fasadës jo vetëm të pallateve anës rrugëve. Aktulisht kemi një kryeqytet me taksat lokale nga më të rëndat, një xhungël urbanistike, pa projekte , pa transparencë etj. Arroganca politike e njerëzore është një karakteristike tjetër e modelit “Rama”, po t’i shtosh kësaj edhe problemet e karakterit ky model nuk ka asnjë mundësi të pranohet nga shqiptarët normalë. Por edhe perspektiva e ofruar elektorale nuk përbën ndonjë ndryshim të madh. “Politika e re” e pretenduar nga z. Rama që pretendohet të implementohet nga bashkëpunëtorët e tij, Gjinushi e Ruçi, ngjan shumë me bojën e dalë të lustrës apo mashtrimit me fasadave të pallateve të vjetra të Tiranës. Edhe për modelin “Rama” ka shumë për të thënë, por besoj se ajo që kemi parë deri tani, është e mjaftueshme për të formuar një mendim apo një gjykim elektoral. Besoj se Berisha na ka dhënë mundësinë e krahasimit dhe përzgjedhjes midis dy modeleve që besoj se do të jetë arsyeja që do të përcaktojë orientimin e zgjedhësve. Situata e detyruar edhe nga ligji zgjedhor çon detyrimisht tek “beteja” e modeleve, ku një rëndësi të veçantë do të kenë pa dyshim edhe modelet personale ,intelektuale e njerëzore , të përfaqësuara nga Berisha dhe Rama.