Marrëveshja për të mos u marrë vesh
Nga Kim Mehmeti
Me çka u pa shqiptarët dhe maqedonasit lehtë i nënshkruajnë marrëveshjet, por mbase duke u nisur nga bindje se ato askënd nuk obligojnë dhe askush nuk pret që ato të realizohen. Apo i nënshkruajnë ngaqë janë të detyruar nga faktori ndërkombëtar, prandaj këto marrëveshje ngjajnë sikur macet të ishin marrë vesh me minjtë për paqe vetëm pse këtë e ka kërkuar skifteri që fluturon mbi kokat e tyre. Andaj pra, këto marrëveshje edhe vlenin vetëm aq kohë sa u duhej garantëve perëndimorë të ngjiteshin nëpër avionët e tyre dhe të largoheshin nga Shkupi. E që pastaj të vazhdojë loja dydekadëshe ndëretnike, e cila funksionon sipas formulës: pala maqedonase blen kohë dhe bën çmos që ato të humbin kuptimin e pala shqiptare ushqen durimin e paskajshëm se do të vijë dita kur do të realizohen marrëveshjet e arritura. Formulë, e cila nuk ka elemente të panjohura e as kërkon shkathtësi për ta zgjidhur dhe që u tregua shumë frytdhënëse për palën maqedonase.
Edhe atë vetëm pse partitë shqiptare u treguan si ai nxënësi, i cili jo vetëm që nuk di, por edhe ndihet inferior dhe jeton me kompleksin e fëmijës se do ta akuzojnë që, në vend se me libra, çantën e ka të mbushur me armë. Andaj, kur flitet për marrëveshjet shqiptaro-maqedonase, duhet të thuhet një e vërtetë: ato janë asgjësuar dhe kanë humbur kuptimin e tyre, jo pse pala maqedonase ishte aq e guximshme sa të mos i përfillë ato, por pse pala shqiptare ishte aq inferiore dhe aq e pa shkathët, sa nuk dinte si ato t'i zbatonte.
Më saktë thënë, kur bëhet fjalë për marrëveshjen më të rëndësishme që shqiptarët kanë arritur me pushtetarët maqedonas, pra kur vlerësohet realizimi i Marrëveshjes së Ohrit, duhet thënë se ajo u zbeh dhe thuajse u asgjësua ngaqë vetë shqiptarët e lejuan shfytyrimin e saj. Pra kjo marrëveshje u asgjësua ngaqë pala maqedonase ia doli të aktrojë se është humbur në përkthimin e saj, e pala shqiptare nuk e kuptoi se jo që politikanët maqedonas nuk e dinin mirë anglishten, por donin të blinin kohë, duke pritur që partitë shqiptarë të ngatërroheshin në zënkat dhe akuzat e tyre të ndërsjella, të thënë në shqipe të pastër.
Pala maqedonase pra e dinte se partitë shqiptare prej moti kishin pranuar rolin e vasalit në koalicionet qeveritare, se ato kënaqen me disa privilegje të vogla për një grusht partiakësh dhe, duke qenë të tilla, ato vetë do ta zbehin edhe lavdinë e luftës së 2001-shit si edhe Marrëveshjen e Ohrit, gjë që ndodhi dhe arriti deri aty sa dolën kryepartiakë shqiptarë e thanë se "shqiptarët e këtushëm duhet t'u kërkojnë falje maqedonasve etnikë për konfliktin e 2001-shit".
Kur flitet për Marrëveshjen e Ohrit, duhet thënë gjithashtu hapur se partitë shqiptare kurrë nuk e lexuan drejt përmbajtjen e saj, por atë e zbërthyen si një "deklaratë" për punësimin e aktivistëve të tyre partiakë. Pra, këtë marrëveshje ata e zbritën në rrafshin e një dokumenti që u sillte pikë gjatë fushatave parazgjedhore, që u mundësonte të dëgjueshmëve partiakë të bëhen ministra, e jo si një platformë demokratike, e cila, tërthorazi, Maqedoninë e bënte shtet me demokraci konsensuale dyetnike shqiptaro-maqedonase.
Duke mos e kuptuar drejtë frymën e kësaj marrëveshjeje, ata u lejuan pushtetarëve maqedonas ta asgjësojnë atë qysh në vitin 2006, kur VMRO-DPMNE-ja e mori në qeveri PDSH-në që nuk kishte mbështetjen politike shumicë të shqiptarëve të këtushëm. Që më vonë, me ardhjen e BDI-së në pushtet, të shihet se prej kësaj marrëveshjeje kishte mbetur vetëm Ohri ku shkonin e drekonin politikanët, se ajo qëmoti ishte e vdekur dhe mbase varrimi i saj do bëhet te themelet e kishës së Gruevskit që pritet të ndërtohet në qendër të Shkupit. Pra, kur flitet për Marrëveshjen e Ohrit, duhet thënë se vrasës të saj ishin pushtetarët aktualë maqedonas, por krimi u bë me armën që Gruevskit ia dhanë partitë shqiptare.
Pas gjitha marrëveshjeve të deritanishme, këto ditë, PDSH-ja paralajmëroi se ka grumbulluar ekspertët e saj partiakë për të përgatitur edhe një propozim-marrëveshje të re shqiptaro-maqedonase. Pra, këto ditë është duke ndodhur ajo që përsëritet me vite: partive shqiptare u kujtohet interesi i popullit posa janë të detyruara ta braktisin qeverinë. Vetëm atëherë ato e shohin se popullin e kanë shndërruar në një turmë të hutuar, turmë e cila nuk e ka të qartë se kush dhe çka nënshkruan në emër të saj.
Këto ditë pra, partia opozitare shqiptare, e cila nga radhët e veta humb për çdo muaj nga një deputet, ngutet të përpilojë një marrëveshje shpëtimtare për shtetin dhe shqiptarët. Tani për tani, askush nuk e din kur ajo marrëveshje do të publikohet, andaj edhe nuk është mirë të paragjykohet përmbajtja dhe efekti i saj. Dhe mbetet shpresa se kjo marrëveshje e paralajmëruar nuk e do ketë fatin e "Librit të bardhë" për konfliktin e 2001-shit e që kryesuesit e PDSH-së kanë filluar ta shkruajnë qysh në vitin 2002 e assesi ta përfundojnë.
Por, pa marrë parasysh cili do të jetë fati i kësaj marrëveshje, mbetet e vërteta se, të mbetura larg grazhdit pushtetar, partitë shqiptare fillojnë t'i ngjajnë pijanecit që e kanë dëbuar nga kafeneja: nuk shkon në shtëpi, por bën çmos që të kthehet pranë banakut ku e presin pijet. Dhe kjo u ndodh sepse ato nuk kanë as vullnet, as moral politik që të pranojnë se edhe ato vetë ia harxhuan Maqedonisë kohën e marrëveshjeve dhe tani e prunë në prag të kohës së referendumeve, kur shqiptarët vetë do duhet të tregojnë çka dhe si e duan. Ato pra nuk kanë as vullnet, as moral politik të dalin e t'i thonë hapur këtij populli se marrëveshjet shqiptaro-maqedonase nuk realizohen edhe nga shkaku i mosmarrëveshjeve shqiptaro-shqiptare.
Nëse partitë e këtushme shqiptare do ta pranonin këtë të vërtetë, ato do t’ua mundësonin shqiptarëve të Maqedonisë më lehtë ta kuptonin se nuk ka faj Gjorgjia pse donte ta pranonte Sejdiun në ndonjë nga zyrat e doganës në Bllacë - që të mos e shihnin vëllezërit pushtetarë serbë me kënd është takuar - por do ta dinin se fajtorë për këtë sjellje përbuzëse të Gjorgjisë ndaj Sejdiut janë të gjithë ata shqiptarë të BDI-së që vraponin t'ia sigurojnë censusin e duhur që ai të zgjidhej President.
Pra, nëse partitë e këtushme shqiptare do të kishin minimum moral sa të pranonin se grindjet e tyre të ndërsjella janë pengesë për mosrealizimin e marrëveshjeve shqiptaro-maqedonase, atëherë shqiptarët e Maqedonisë më lehtë do ta kuptonin se sjellja e Gjorgjisë ndaj Presidentit të Kosovës shpjegon qëndrimin përbuzës të Presidentit të maqedonasve ndaj shqiptarëve të këtushëm. Dhe se sjellja e tij mbështet mbi bindjen se ka politikanë shqiptarë që do të mundohen ta zbusin veprimin antishqiptarë të Gjorgjisë me thënien: "Po edhe Sejdiu e tepron, çka i duhet t'i kushtojë rëndësi formës e jo përmbajtjes!" Duke harruar se forma e përcakton vlerën e përmbajtjes dhe nga forma lexohen porositë e fshehura. Por ku ta dish, për një President si Sejdiu, i cili bie viktimë i grackave të një Gjorgjie, i cili nuk e lexoi porosinë e mosftuarjes në ceremoninë përuruese dhe pranoi ftesën "ngushëlluese", ndoshta edhe nuk duhet të të vijë gjithaq keq pse nuk e presin me eskorta të rreshtuara ushtarësh dhe me flamuj të ngritur lartë në shtiza.