E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Big Brother 2", Mimoza përplaset me banorët

Kryefamiljarja e re, Mimoza, duket se ka pasur përplasje me banorët e shtëpisë së "Big Brother". Pasi ka ndarë punët, ajo u ka kërkuar të çohen e t‘i bëjnë ato, sepse në këtë mënyrë tregonin respekt për të dhe rolin që ka marrë përsipër këtë javë.

"Po më befasoni!"

Mimoza është e acaruar në lidhje me punët e shtëpisë. Ajo debaton me Adelajdën në lidhje me to. Adelajdës nuk i pëlqen mënyra e saj e të folurit dhe i thotë që ta ulë zërin kur flet me të. Mimoza i kthehet duke i thënë që edhe ajo i ka bërtitur dhe nuk i ka thënë asgjë. Adelajda i thotë që ajo e mban veten si person i qetë, por po e tregon ndryshe veten. Mimoza i thotë që është e vërtetë që ajo është e tillë, por jo në rastin kur dikush e ngacmon. Ajo thotë: "Po më befasoni të gjithë!" Adelajda mendon se fakti që vetëm Moza është e habitur tregon që ajo ka ndryshuar dhe jo të tjerët. Mimoza vazhdon debatin duke i ngritur zërin Adelajdës dhe i thotë që debati për punët tregon që ajo nuk e respekton. Adelajda e kundërshton, duke i thënë që nëse do të ishte siç e mendonte ajo, nuk do i fliste qetë.

"Nuk duhet të kalosh kufijtë!"

Anjeza dhe Junida qëndrojnë në dhomë duke diskutuar për jetën brenda "Big Brother". Junida shprehet se i pëlqen koncepti i lojës nga ana psikologjike. Anjeza mendon që në këtë lojë provohet se sa "mban" njeriu. Izolimi merr një tjetër vlerë kur je me njerëz mendon Junida, por problemi i vetëm qëndron në aftësinë e komunikimit midis njerëzve, shton ajo. Ndërsa thotë se "nuk duhet të kalosh kufijtë!" Anjeza tregon që është një person i qetë dhe nuk i kalon kufijtë e durimit. Junida e këshillon duke i thënë që ajo duhet të merret me veten e saj, por duke mos cenuar asnjë.

Një kartolinë për Arjanin

Arjani ka marrë një surprizë nga "Big Brother". Ai është thërritur në dhomën e rrëfimit, ku gjeti një foto të babait me një dedikim. Një shok i babait i kishte shkruar Arjanit të "Big Brother" se po nderon tironsit e vërtetë! Pasi ka dalë nga dhoma e rrëfimit, personit të parë që ia ka treguar ka qenë Bjordi. Ai shikon foton dhe i tregon për babanë e tij, duke i thënë që ka qenë një figurë e rëndësishme artistike. Më pas, ai ua ka treguar edhe banorëve të tjerë foton. Junida, pasi ka parë foton, i ka thënë që ajo ishte kartolinë. Arjanit i pëlqeu shumë surpriza dhe kartolinën e vendosi te koka e krevatit të tij.

Adela në Itali

Adi, duke diskutuar për daljen nga "Big Brother", fillon ngacmon Adelajdën në lidhje me Bjordin. Ai fillon të fantazojë sikur Adelajda shkon në Itali te Bjordi, por nuk di rrugët. Ai e pyet Bjordin se çfarë do të bënte. Bjordi i thotë me shaka që do e linte të humbte rrugën. Ajo i thotë se në rastin e supozuar do të merrte në telefon tezen e saj. Ata vazhdojnë duke fantazuar situata sikur ajo shkon në Itali, por është pa lekë. Adelajda e pyet Bjordin se sa larg është shtëpia e tij nga aeroporti. Bjordi i thotë 1 javë larg dhe bëjnë batuta për mjetet që mund të shkojë Adelajda te shtëpia e tij. Ajo i thotë: "Po pse budallaqe jam unë që të shkoj në Itali, të mos më presë Bjordi dhe t‘i shkoj në shtëpi?!" Ata vazhdojnë të bëjnë batuta me Adelajdën.

"Jemi në siklet kur nominojmë!"

Arjani, Adi dhe Bjordi qëndrojnë në kopsht duke diskutuar për nominimet. Ari është i mendimit që duhet të ketë debate brenda në shtëpi, pasi kanë rënë në monotoni. Ata diskutojnë për finalen. Bjordi thotë që kanë arritur në një pikë ku janë në siklet gjatë momentit të nominimit. Ai mendon që këtë javë do eliminohet një banor, ndërsa javën tjetër dy. Adi mendon se është e vështirë. Ai vazhdon duke thënë që banorët duhet të zgjedhin vetë dhe shton: "Unë nuk dua të ndikoj tek asnjeri!"

"Jemi bashkë në lojë"

"Ka ardhur koha që unë edhe ti të luajmë bashkë", i thotë Sori, Adit. Ata kanë vendosur që të diskutojnë për mënyrën se si veproi Adi kundrejt Pavlinit. Adi është treguar i gatshëm që këtë bisedë ta zhvillojnë në ato momente, por Sori dëshiron që ta zhvillojnë dy ditë më pas, në kuadrin e lojës. Sipas tij, ata duhet të fillojnë të nxjerrin në pah mendimet e tyre reale për njëri-tjetrin. "Unë të kam sulmuar duke të të mbrojtur dhe këtë ta kam thënë", ia bën të qartë Adi, Sorit mënyrën e lojës së tij. Sori shprehet se i di vlerat e Adit, por nuk është i sigurt nëse Adi i di vlerat e tij. Adi ia kthen se për sa janë brenda në lojë, janë mirë, ndërsa se çfarë do të ndodhë kur të dalin, është tjetër gjë dhe do të jenë të dy që do ta vendosin nëse do ta ruajnë miqësinë apo jo. Të dy fillojnë të flasin hapur për lojën që bën secili. Ata mendojnë se për çmimin duhet të luajnë deri në fund si kundërshtarë dhe t‘i japin dorën njëri-tjetrit në çdo rast. Adi shpreh edhe njëherë motivin e tij të lojës, që brenda kësaj ligësie, për të fituar atë çmim, ai do të tregojë edhe pak mirësi. Ai tregon se e vlerëson si një protagonist në lojë Sorin. Edhe Sori mendon të njëjtën gjë për Adin dhe shprehet se e kupton mënyrën se si ai luan, por, sipas tij, Adi nuk e di se çfarë ka shprehur ai në rrëfim kundrejt tij, ka folur mirë apo keq, dhe shton se ka qenë shumë real dhe i sinqertë në lojën që po bën. Për Adin, sinqeriteti në lojë tregohet kur krijon edhe miqësi, ndërsa Sori nuk ka asnjë mik. "Unë kam zgjedhur të jem vetëm", thotë Sori.

"Tjetër the, tjetër bëre"

Në mes të bisedës ndërhyn edhe Adela, e cila kapet pas fjalëve të Sorit që po bën lojë të sinqertë. Ajo i kërkon atij t‘i shpjegojë se përse para disa javësh, kur ata diskutuan në lidhje me lojën që po bënin të dy, Sori i kërkoi asaj që të nxirrnin në nominim banorët që nuk e kishin provuar kurrë nominimin e në të vërtetë, nxori atë dhe Aidën. Sori i tregon se atë javë, ajo dhe Aida ishin bërë të padurueshëm për të dhe për gjithë shtëpinë, duke treguar kështu nga vetja anët e tyre më negative. "Ju jeni ngrënë me njëra-tjetrën aq shumë, sa unë ju urreja dhe thjesht doja të dilte njëra prej jush, sepse nuk ju duroja dot më, pa pasur preferencë se kush". Ai shprehet se të dy në bisedën që patën, nuk bënë asnjë pakt mes tyre, por thjesht lanë të nënkuptohej diçka. Sori thotë se nuk dëshiron të futet në këtë histori, sepse mbi të gjitha mes tyre nuk kishte asnjë pakt; nëse do kishte pakt, atëherë ajo do kishte të drejtë t‘i kërkonte sqarime. Adela i thotë se nuk po i kërkon sqarime, sepse realisht nuk kishin asnjë pakt, por thjesht i dha një shembull që ai ka devijuar nga loja e sinqertë. Ata mbyllin bisedën duke parë që rreth tyre vijnë dhe banorët e tjerë.

Adela: Sori mashtroi

Bjordi pyet Adelën se si nisi ky diskutim mes saj dhe Sorit. Ajo i tregon se në momentin që Sori u shpreh se po bënte lojë të sinqertë, ndërhyri që t‘i jepte një shembull ku ai po luante pisët e duke treguar që Sori kishte mashtruar. Bjordi e mendon ndryshe. Sipas tij, ai nuk ishte mashtrim, sepse Sori ka një mijë mënyra për ta treguar këtë gjë. Adela insiston se thellë-thellë ishte mashtrim dhe se nga publiku u duk keq, pasi duartrokitën kur ajo e nominoi, me arsyen se ai po bën lojë të pisët. Sipas saj, ato se çfarë thotë Sori më pas, janë justifikime dhe nuk është e rëndësishme që ai ta kuptojë, por publiku.

"Aleanca nuk të bën lojtar të keq"

Biseda mes Sorit, Arit dhe Adit vazhdon edhe në kopsht. Arit i vjen keq që Sori deri dje e ka pranuar që ka marrë rolin e të keqit, ndërsa tani e kundërshton. Sori shprehet se ndryshojnë bisedat kur bëhen seriozisht si kjo e tanishmja dhe ndryshojnë kur bëhen në kontekstin e shakasë. "Brenda shakasë ka edhe të vërteta", ia kthen Ari. Ai shprehet se Sori ka bërë gjithmonë rolin e protagonistit provokator. "Ku është e keqja në këtë mes?" - pyet Sori. Ai thotë për veten se është provokator, aktiv, i bezdisshëm, por jo që Ari ta klasifikojë tek "i keqi". Ari thotë se po e klasifikon në këtë mënyrë në kontekstin e lojës. Sori mendon se nuk është e drejtë që ta mendojë ashtu vetëm se ai është përpjekur të bëjë aleanca dhe diskutime për nominimet, por për Arin, në një lojë këto gjëra vihen re. Sori fillon t‘i shpjegojë Arit se ka diskutuar me Arjonin në lidhje me nominimet dhe këtë gjë e ka bërë për një arsye shumë të fortë: që të jetë edhe ai protagonist në lojë. Ai tregon se këto lloj diskutimesh janë bërë kur ai gatuante me të dhe e ka bërë këtë gjë që të kishte vëmendjen e kamerave, duke u nisur nga një shprehje e Bjordit që thoshte se nuk i laj enët, sepse ashtu nuk më shikon njeri. Sipas Sorit, nëse do të gatuante vetëm, edhe pse këtë gjë e bën me kënaqësi, askush nuk do dëshironte ta shihte kur të tjerët mund të ishin duke bërë diçka më interesante se ai. "Dua të jem protagonist në lojë e në të njëjtën kohë edhe të gatuaj", thotë ai. Sori tregon gjithashtu se këto "aleanca të jashtme" me Arjonin ishin sa për efekt loje, sepse në realitet, si njëri dhe tjetri bënin atë që mendonin se ishte më e drejta për t‘u bërë, nisur nga mendimet personale.

Ari: Të gjithë jemi për lekët

Ari shkon në dhomë te të tjerët dhe komenton diskutimin ndërmjet Adit dhe Sorit. Sipas tij, ai ishte një debat pa lidhje dhe që të tilla gjëra nuk mund të diskutoheshin. Ari shprehet se i duket absurde që të krijohen aleanca, apo të flitet kaq shumë për lojën, kur lojën realisht e ka tjetër kush në dorë. "Këtu është të kalosh ditën bukur, por në të njëjtën kohë dhe të luash". Edhe Adela është dakord me të, se edhe ajo jeton ditën dhe nuk luan si të tjerët. Ari fillon të komentojë edhe faktin që Sori i kishte kërkuar aleancë për nominim. "Të gjithë jemi për lekët, por nuk duhet diskutuar kaq shumë", thotë Ari. Ai vazhdon të tregojë dhe disa fragmente nga biseda dhe i komenton ato.

"Dua një karikaturë prej teje"

Juna interesohet për pikturat dhe vizatimet e Adit. Ai tregon se kur ka qenë i izoluar, filloi ta praktikonte këtë gjë fillimisht duke kopjuar e më pas kuptoi se kishte aftësi në këtë gjë. Adi thotë se ka kopjuar konturet, ndërsa dritëhijet i ka bërë vetë, duke u perfeksionuar dita ditës. Juna i kërkon që t‘i bëjë edhe asaj një karikaturë të tillë, si për kujtim dhe Adi pranon që t‘ia bëjë, por duke e vënë në dijeni se nuk është shumë i aftë. Juna i thotë se e rëndësishme është që t‘ia bëjë ai. Anjeza e komplimenton për atë që i ka bërë Anit, sepse i duket shumë e bukur.

"Ki kujdes nga Sori!"

Bjordit duket sikur i ka mbetur qejfi që Adi dhe Sori nuk e pranuan në bisedën e tyre gjatë mbrëmjes së djeshme. Megjithatë, ai e këshillon që të ketë kujdes me ato që po bën. "Gjërat nuk po shkojnë mirë", i thotë ai nën zë Adit. "Mos dil nga vetja jote!" - vazhdon me këshillat Bjordi. Adi i thotë se mbrëmë ishte ai që e ftoi Sorin për të biseduar dhe se gjithashtu ai nuk e di se për çfarë kanë biseduar ata. Bjordi i kërkon Adit që të mos ia marrë për keq këto që po i thotë, sepse ia thotë se shqetësohet për të. Ai e pyet atë se si shkoi biseda dhe Adi i tregon se mori atë që deshi nga ajo bisedë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›