E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, socialistët dalin me propozime konkrete

17/12/2009  PS propozon një model të ri për zhvillimin ekonomik
Asambleja miratoi në unanimitet rezolutën për zgjidhjen
Partia Socialiste shpalos strategjinë e saj për një model të ri zhvillimi për ekonominë shqiptare, i cili konsiston në kalimin në një ekonomi të qëndrueshme, konkurruese që mund të përballojë konkurrencën drejt hapjes me ekonomitë e rajonit dhe ato të vendeve anëtare të BE-së, e aftë të përfitojë nga zhvillimi global dhe i pavarur nga trafiqet dhe informaliteti. Ky ishte ndër të tjera thelbi i rezolutës së miratuar dje nga Asambleja Kombëtare e PS-së lidhur me krizën ekonomike dhe efektet e saj në vend. Ky forum, që u mblodh dje, u ndal në gjendjen e rënduar ekonomike dhe financiare të vendit, duke dhënë përkrah shqetësimeve dhe zgjidhjen për çdo zë. Në këtë mënyrë, duke trajtuar me radhë të gjitha çështjet që lidhen me situatën e rëndë ekonomike, socialistët miratuan në unanimitet një rezolutë për ekonominë në krizë. Sipas kampit rozë, Shqipëria nuk mund ta mbështesë zhvillimin e ekonomisë vetëm në faktorët e deritanishëm, ku dominojnë dërgesat e emigrantëve, informaliteti dhe mungesa e prodhimit. Në analizën e tyre socialistët vlerësuan se viti 2009 po mbyllet me një frenim të përgjithshëm të ekonomisë dhe një rritje negative ekonomike. “Shqiptarët sot ballafaqohen me rritje të përditshme të kostos së jetesës, rritje të faturës së energjisë, shtrenjtimin e ushqimeve, pagesat gjithnjë e më të larta për shërbimet shëndetësore dhe për arsimimin e fëmijëve. Gjendja e fshatit me bujqësi primitive, me kushte jetese mesjetare, pa arsim dhe shërbim shëndetësor, është dëshpëruese. Numrit të familjeve të varfra i janë shtuar së fundi, sipas Bankës Botërore, edhe 30 mijë familje të tjera, të cilat, duke rënë nën nivelin e varfërisë, kanë nevojë të mbështeten me ndihmë ekonomike. Banka Botërore jep alarmin se rreth 40% e pensionistëve mund të rrezikojnë të humbasin pensionet, nëse nuk reformohet skema aktuale”, - theksohet në rezolutën e PS-së. Ndërkohë për situatën në vend ky kamp ia faturon përgjegjësinë qeverisë “Berisha”. Për më tepër, PS-ja parashikon se reformat e domosdoshme të sektorëve prioritarë, si arsimi e shëndetësia, nuk do të mund të financohen, investimet publike do të frenohen, papunësia do të vazhdojë të rritet, varfëria do të thellohet e shtrihet më tej, ndërkohë që masat sociale mbrojtëse për njerëzit në nevojë do të pakësohen. Për këtë arsye, partia më e madhe opozitare në kushtet e kësaj krize, që vetëm mund të thellohet nga mosveprimi i menjëhershëm i qeverisë, apelon ndërmarrjen e një sërë masash. Në fushën e politikave fiskale PS-ja kërkon të rishikohet buxheti i vitit 2010, që sipas saj është mbështetur kuturu në një rritje ekonomike fiktive të supozuar me 6.5%. Gjithashtu ajo propozon që të qetësohet klima e acaruar artificialisht e biznesit për qëllime të mirëfillta politike dhe të rivendoset menjëherë dialogu me komunitetin e biznesit për ta bërë atë pjesë integrale të masave të përballimit të krizës. Ndërsa në fushën e politikave monetare PS-ja propozon që Banka e Shqipërisë të vlerësojë mundësitë për një ulje të shpejtë të normës të interesit, si dhe të vlerësojë mundësi të tjera për politika që lehtësojnë çngrirjen e likuiditetit.
Modeli i ri i zhvillimit
Ekonomi e orientuar nga eksporti i mallrave
Sipas Partisë Socialiste, modeli i zhvillimit që i nevojitet Shqipërisë duhet të mbështetet në standardet europiane dhe të synojë të krijojë një ekonomi funksionale tregu, të aftë t’i bëjë ballë konkurrencës pa kufij, e orientuar nga eksporti i mallrave e shërbimeve dhe jo e mbështetur në eksportin e fuqisë punëtore të pakualifikuar. Sipas saj, njëkohësisht duhet një ekonomi që mbështetet në kursimet e siguruara nga zhvillimi i brendshëm ekonomik dhe nga formalizimi i ekonomisë, që krijon klimë favorizuese për biznesin, veçanërisht atij prodhues dhe që garanton lirinë e konkurrencës. Gjithashtu nevojitet një ekonomi ku zhvillimi mbështetet në hartimin dhe zbatimin e kujdesshëm dhe afatgjatë të politikave makroekonomike, ku ambicia për standarde europiane të sundojë si prioritet i të menduarit qeverisës dhe axhenda europiane të jetë në radhë të parë mendësi qeverisëse. “Partia Socialiste është e vendosur në realizimin e këtyre masave programore, si një proces për të cilin ajo ka objektiva të qartë ekonomikë dhe politikë dhe një mbështetje të shumicës së shoqërisë shqiptare”, - vlerësohet në rezolutë.
Propozimi
PS: Ndërhyrje në fushën e politikave të përgjithshme qeveritare
“Të garantohet pasqyrimi i vërtetë dhe transparencë e treguesve ekonomikë e financiarë të vendit me shifra të pamanipuluara për qëllime dritëshkurtra partiake, si hapi i parë në pranimin, raportimin dhe frenimin e recesionit shqiptar. Kjo të shoqërohet me shkëputjen e menjëhershme të INSTAT-it nga varësia e qeverisë dhe kthimit të tij në një institucion të pavarur në varësi të Kuvendit të Shqipërisë”, - propozoi PS-ja përmes rezolutës së saj lidhur me politikat qeveritare. Njëkohësisht në të propozohet: “Të ftohet menjëherë Fondi Monetar Ndërkombëtar për nënshkrimin e një marrëveshjeje të posaçme me Shqipërinë dhe të kërkohet mbështetje financiare për daljen nga kriza. Të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin pavarësinë e pushtetit lokal, i cili është më pranë biznesit të vogël, duke i dhënë të gjitha instrumentet e duhura për mbështetjen dhe motivimin e këtij biznesi në këtë kohë krize. Të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin biznesin e vogël dhe e klasifikojnë atë artificialisht si biznes të madh.” Po kështu kërkohet distancimi i pushtetit nga monopolet, që çdo ditë e më shumë po e futin ekonominë shqiptare në rrugën e tkurrjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›