Koka mbrohet nga shoku, por nuk i shpëton dënimit
17/12/2009 Hajduti i 100 mijë dollarëve
TIRANË- Dënohet me 10 vjet burg i pandehuri Mentor Koka, akuzuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e një agjencie të këmbimit valutor në Tiranë. Koka vetëm një seancë më parë u mbrojt nga bashkëpunëtori i tij Fatjon Lila, por kjo mbrojtje nuk ia vlejti. Gjyqtarja Fatmira Hajdari nuk e pranoi skemën e Lilës për të përjashtuar nga akuza shokun e tij duke dashur t’ia hedh këtë krim shtetasit tjetër Flamur Hida, i dënuar tashmë me 10 vjet burg për vrasjen e një biznesmeni Italian. Sipas gjykatës, nga të gjitha të dhënat dhe nga vet organi i akuzës vërtetohet se i pandehuri Mentor Koka, pavarësisht kundërshtimit të akuzës ka qenë i pranishëm në grabitjen e 100 mijë dollarëve së bashku me shtetasin tjetër Fatjon Lila. Këtë përfundim e nxori edhe organi i akuzës. Sipas prokurorit, skema e përgatitur nga Fatjon Lila ishte për të nxjerrë shokun nga burgu dhe për të mbajtur një pjesë të madhe të përgjegjësisë. Dënimi me dhjetë vjet burg u dha edhe më parë nga gjyqtari Martin Deda. Por vendimi u rrëzua në apel dhe Mentor Koka u rikthye për rigjykim. Koka u dënua për grabitjen me armë të agjencisë së këmbimit valutor ALAKS. Në momentin kur Fatjon Lila akuzoi Flamur Hidën në gjykatë, ky i fundit tha se nuk e kuptonte lojën që po bëhej dhe se këtë gjë do ta zgjidhte kur të dilte nga burgu. Flamur Hida është dënuar me 10 vjet burg për vrasjen e biznesmenit italian Stefano Rosi disa vite më parë.