E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtesë page për mjekët ofrojnë kujdes të lartë

17/12/2009  Miratohen kontratat e reja që do të lidhen me spitalet gjatë 2010-ës
Gjoba nga 10 deri 30 mijë për moszbatimin e sistemit të referimit
Miratohen kontratat e reja që do të lidhen gjatë 2010-s ndërmjet Institutit të Sigurimeve Shëndetësore dhe spitaleve publike e poliklinikave në të gjithë vendin.
Konkretisht ISKSH-ja do të lidhë kontrata me 39 spitale publike, nga të cilat 4 spitale renditen të jenë të nivelit terciar. Risi në kontratën spitalore të vitit 2010 është aplikimi i formave të reja të vlerësimit të performancës së mjekëve nëpërmjet matjes së një seti indikatorësh, të cilët tashmë janë përcaktuar. “Synimi ynë është që një pjesë e pagesës së spitaleve të bëhet në bazë të plotësimit të këtyre treguesve, në mënyrë që mjekët të kuptojnë së efiçenca paguhet me buxhet shtesë. Në fund të vitit ISKSH-ja do të aplikojë dhënien e bonusit në masën 5 për qind mbi buxhetin e planifikuar, si një metode efikase për të stimuluar mjekët dhe për të rritur cilësisë së shërbimit”, - ka pohuar drejtoresha e institutit Elvana Hana. Një pikë tjetër e rëndësishme e kontratave me spitalet është ngritja e strukturës së shërbimit të recepsionit dhe arkëtimit, e cila do të regjistrojë dhe identifikojë lëvizjen e pacienteve si dhe përfitimin e shërbimit përkatës brenda spitaleve. Mirëfunksionimi i këtij shërbimi do të sjellë ulje të informalitetit dhe rritje të të ardhurave të spitaleve, të cilat do të përdoren për barna, investime dhe shpërblime. Gjithashtu kontratat synojnë forcimin e rolit të kontrollit në spitale. Ndërkohë nga moszbatimi i sistemit të referimit do të gjobitet me 10000 lekë për rastin e parë të konstatuar dhe në rast të përsëritjes 30000 lekë të reja e deri në masa të tjera administrative si propozim për largim nga puna. Lidhur me indikatorët e përqindjes së kryerjes së operacioneve cezariane, drejtoresha e ISKSH-së u shpreh se e duke parë këtë si një trend që ka ardhur në rritje, ne kemi vendosur një standard që është botëror, i sugjeruar dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. “Nëse do të ketë një përqindje më të lartë se 20 %, të gjitha lindjeve me operacione çezariane, kjo do të thotë se spitali ka një performancë jo të mirë. Ne do të japim pagesën Bonus (mbi buxhetin që jepet për spitalet) për ato spitale që nuk e kalojnë limitin prej 20 pë% të lindjeve me operacion, duke iu përafruar kështu standardeve evropiane, përqindje që varion nga 16 deri 20%. Kjo lidhet jo vetëm me koston e spitaleve, por mbi të gjitha në këtë mënyrë u vijmë në ndihmë pacienteve.”
Ndërsa lidhur me respektimin e këtyre treguesve nga spitalet rajonale Hana ka pohuar se
gjithë reforma ka një drejtim që të fuqizojë spitalet rajonale, duke shtuar gamën e investimeve që shërbimi cilësor të rritet në spitalet rajonale, e jo të krijohet fluks në spitalet e kryeqytetit.
Ndryshimet që do të ketë kontrata me poliklinikat
Ndryshime cilësore ka edhe në kontratat që ISKSH-ja do të lidhë me 414 qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Sipas Hanës, me synim parandalimin e sëmundjeve në kujdesin parësor dhe përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së shërbimit shëndetësor, janë shtuar disa tregues, që matin punën e mjekëve, të cilët përfitojnë Bonusin, pra një pagesë shtesë prej 5 për qind mbi pagën. Ndërkohë pranë këtyre qendrave do të matet për herë të parë indikatori për ndjekjen e mirërritjes së fëmijëve dhe ai për ndjekjen e sëmundjeve kryesore kronike: diabetit dhe hipertensionit. Synimi është që mbi 90 për qind e të sëmurëve të trajtuara të kenë brenda parametrave këto dy sëmundje, që janë më të përhapurat në vend. Gjithashtu pjesë e shpërblimit që do të japë Instituti i Sigurimeve Shëndetësore për mjekët janë edhe trajnimet. Pra, nëse mjekët e qendrave shëndetësore nëpërmjet përditësimit të njohurive arrijnë të realizojnë kreditet e përcaktuara nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, do të përfitojnë pjesën e përcaktuar të bonusit. Tashmë është përcaktuar që për vitin 2010 mjekët duhet të mbledhin10 kredite.
Tabela
Në kontratat e reja të 2010-s vlerësimi i mjekëve do të matet nga këta tregues:
• Përqindja e shfrytëzimit të shtratit (sa më e lartë të jetë, aq më efikas është spitali).
• Përqindja e rishtrimeve përmes shërbimit të urgjencës brenda 72 orëve pas daljes nga pavijoni për të njëjtën diagnozë (sa më e ulët të jetë, aq më efikas është shërbimi).
• Përqindja e pacienteve të shëruar që kanë dalë nga spitali (sa më e lartë të jetë, aq më efikas është shërbimi e njëherësh edhe përfitimi i mjekëve që do të shpërblehen).
• Përqindja e kryerjes së operacioneve cezariane te gratë shtatzëna (kur është e ulët, tregon shërbim të mirë të maternitetit).
- Moszbatimi i sistemit të referimit do të gjobitet me 10000 lekë për rastin e parë të konstatuar dhe në rast të përsëritjes 30000 lekë te reja e deri në masa të tjera administrative, si propozim për largim nga puna.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›