E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza te Kastrioti, largohen dy presidentët

Kastrioti jo vetëm që humbi në Kavajë me Besën 1-0, por përpara sfidës me formacionin e Starovës, klubi krutan humbi dhe presidentin e tij, Shkëlzen Zhilli. Ish-bosi i Kastriotit dha dorëheqjen e parevokueshme, e dyta e tij në dy vjet që drejton ish-skuadrën e Vasil Bicit. Bashkë me Zhillin dha dorëheqjen edhe zëvendëspresidenti i klubit, Kujtim Baholli.
Interesant është një fakt, se nëse 45-vjecari Zhilli kampionatin e kaluar duroi për ta dhënë dorëheqjen në dy javë përpara përfundimit të sezonit 2006-2007, saktësisht më 11 maj 2007, atëherë Kastrioti ndodhej në vendin e 9-të, tani ish-presidenti e dha 11 javë përpara përfundimit të Kampionatit të 69-të Kombëtar të Futbollit, kur sërish Kastrioti ndodhej në vendin e nëntë (tani në të dhjetin pas fitores së Teutës me Vllazninë).
Zhilli pas disa hezitimesh për të qenë në krye të Kastriotit, u rikthye në postin e sponsorizuesit me 21 qershor 2007.

Largimi i financuesit kryesor të ekipit pa dyshim që do të sjellë një krizë totale për një grup lojtarësh që nuk kanë marrë disa paga mujore.
Gjatë këtij sezoni në presidencën e Shkëlzen Zhillit, Kastriotin e drejtuan Ramazan Ndreu, Vasil Bici dhe sërish Ramazan Ndreu.
Kastrioti mund të jetë skuadra që do të shoqërojë Skënderbeun në rrugën drejt Kategorisë së Parë.
Skeda e Shkëlzen Zhillit
Klubi i Futbollit Kastrioti
Shkëlzen Zhilli
Datëlindja: 27.07.1962
Vendlindja: Krujë
Vendbanimi: Krujë
Profesioni: Biznesmen
Lloji i biznesit: Import-eksport i mallrave të ndryshëm me shumicë
Te Kastrioti: korrik 2006- mars 2008

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›